Shpallja e Gafurr Mazrekun "Qytetar Nderi" të Hasit, me motivacionin "Personalitet Intelektual, për kontributin e pashoq ne Pushtetin Vendor" ka prodhuar akuza të forta nga opozita në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Opozita përmes deputetit Gent Strazimiri tha se “Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij”.
Report Tv ka mundur të sigurojë listën e plotë të 21 anëtarëve dhe subjekteve politikë që formojnë Këshillin Bashkiak të Hasit. PS e Edi Ramës që akuzohet nga opozita për këtë vendim ka vetëm një anëtarë në këtë këshill dhe ai është Agron Geca i cili ka votuar kundra.
Lista e anëtarëve të Keshillit Bashkiak të Hasit dhe partive nga jane zgjedhur
Në të tilla kushte kur PS ka vetëm 1 anëtarë në këtë këshill, pretendimet e opozitës se vendimi u votua me bekimin e Edi Ramës është dashakeqës dhe po përdoret si motiv në betejën politike të PD-s.
Këshilli bashkiak në Has pjesë të tij ka një dyzinë forcash politike të cilat në zgjedhjen e shkuara lokale ishin në koalicion me PS por në fakt votat i morën nën siglën e partive të ndryshme politike.
Këta këshilltarë mbeten tërësisht të varur nga forcat e tyre politike dhe përgjegjësinë opozita duhet ta kërkoj tek ato dhe jo Edi Rama i cili u distancua nga ky veprim madje i kërkoi prefektit të Kukësit mos firmosjen e vendimit për ta shpallur Gafur Mazrekun qytetar nderi.