Ekskluzive/ Dosja e SHISH, si spiunazhi rus vepron në Shqipëri dhe roli i bjellorusit/ Dokumenti i plotë

Në një kohë kur influenca ruse në Ballkan ku përfshihet edhe Shqipëria përbën shqetësim për BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Report TV e Shqiptarja.com nisin publikimin e një prej dosjeve të SHISH, ku del në pah se si shërbimi sekret rus ka vepruar ndër vite në Shqipëri. Report TV ka siguruar dosjen e Shërbimit Informativ Shtetëror nga ku me detaje tregohet se si shërbimi sekret rus që prej vitin 1999 ndërtoi një rrjet agjenturor në Shqipëri në të cilin janë përshirë, gazetarë, diplomatë të ministrisë së punëve të jashtme shqiptare, një shtetase ruse e martuar me një shqiptar, si dhe tre persona të tjerë të cilët nuk u identifikuan asnjëherë nga shërbimi ynë sekret. Pjesë e survejimit të shërbimit sekret shtetëror shqiptarë, ka qenë edhe një person i cili më pas mbajti postin e këshilltarit të kryetarit të një prej partive të mëdha të spektrit të djathtë, në vendin tonë. SHISH ka mbajtur nën survejim 18 persona mes tyre 5 persona me nënshtetësi ruse, 1 grek dhe 12 të tjerë shqiptarë. Veprimtaria e 18 personave të survejuar në këtë dosje spiunazhi, nis në vitin 1999 deri në vitin 2003.

“GAZETARI RUS”
Dokumenti prej 28 faqesh vendos në qendër të këtij operacioni spiunazhi një shtetas rus, i cili përmes një pasaporte shërbimi mbërriti në Shqipëri si korrespondent i një gazete ruse për të mbuluar te gjithë hapësirën Shqiptare, në katër shtete Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. Më pas ky person mori rolin e atashehut për çështjet konsullore në Ambasadën ruse në Tiranë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri gazetari rus që fliste shqip me aksent verior, tërhoqi vëmendjen e SHISH, agjentët e të cilit e vunë nën survejim duke i përgjuar edhe telefonin. Në faqen e parë të kësaj dosje spiunazhi tregohet përse për SHISH ky person përbënte interes për ta patur nën mbikqyrje konstante.

RRJETI
Nga ndjekja e gazetarit rus, agjentët e SHISH hap pas hapi zbuluan personat me të cilët ai kontaktonte. Gazetari rus në një kohë të shkurtër arriti të miqësohej me një gazetar shqiptar, i cili u përgjua dhe u survejua nga SHISH. Dosja e SHIK tregon se si ky gazetar rus nuk kishte një zyrë pune në Tiranë por përdorte ambientet e ambasadës. Duke ndjekur gazetarin rus SHISH zbuloi se si përmes OSBE një shtetas rus kishte mbërritur në Shqipëri dhe ishte stacionuar në Fier. Më pas u zbulua se ky person kishte mbaruar shkollën e lartë ushtarake në kohën e ish Bashkimit Sovietik dhe se ka punuar edhe si oficer në zbulimin ushtarak për disa vite dhe se përdorte në Shqipëri një mbiemër tjetër. Report TV në ditët në vijim do të publikojë detajet e plota të kësaj dosje duke përdorur vetëm inicialet e personave që përfshihen në të.

Pjese nga dosja
MBI VEPRIMTARINE E  S. R  KORESPODENT  I  GAZETES RUSE “ROSISSKAJA GAZETA”, I AKREDITUAR NE VENDIN TONE
S. R me shtetesi e kombesi Ruse, i lindur me 27.10.1972, i pajisur nga vendi i tij me pasaporte sherbimi me numer 0072101. I martuar me

Y.R, gjithashtu me shtetesi e kombesi Ruse, e lindur me 30.12.1974, e pajisur me pasaporte Sherbimi me numer 0072950. Ka nje femije te vogel (vajze). Ne vitin 1999 eshte akredituar ne Tirane si korespodent i gazetes zyrtare Ruse “Rosisskaja Gazeta”, botim i qeverise se Federates Ruse dhe qe mbulon te gjithe hapsiren Shqiptare (Shqiperi,Kosove, Maqedoni, Mal i Zi). Banon me qira ne nje vile ne Tirane .Rruga…. Nr73 ku ka ne perdorim telefonin me numer ….. Kjo banese eshte prone e qytetarit……. [ e shoqja quhet ….] i cili para vitit 1990 ka qene me banim e pune ne rrethin e Lushnjes.

Një nga problemet, për të cilat ai ka shfaqur që në fillimet e tij interes, ka qënë cështja e furnizimit të Shqipërisë me gaz nga Rusia. Sipas një informacioni të K.T.  datë 26.04.2000, rezulton se për këtë ai ka qënë i interesuar të marrë një intervistë në Ministrinë e Tregëtisë dhe Bashkëpunimit me Jashtë, pasi siç shprehet ai : “…Kjo paraqet shumë interes për Rusinë dhe redaksinë tonë”, kërkon të njihet edhe me “perspektivat e furnizimit me gazin rus të territorit të Shqipërisë”.

Në informacionin e …., datë 03.06.2000 del se, S.R është i interesuar për një grup artistik rus “Ruskaja Dusha” (Shpirti Rus), që nëpërmjet V. K  (ish Këshilltar Politik në Ambasadën Ruse dhe i ndjekur nga ana jonë për veprimtari spiunazhi në favor të shërbimeve sekrete ruse) e shoqërisë ajorore “Aeroflot”, janë bërë përpjekje që ky grup të vinte në vendin tonë.

Në informacionin e datës 06.06.2000 nga …. thuhet se : “…Në qendër të aktivitetit të tij, do të jenë ngjarjet në Shqipëri dhe Kosovë”.

Më datë 15.06.2000, …… ka informuar se : “… R ishte i mirëinformuar për veprimtarinë e profesorit dhe për miqësinë që ai ka patur me P. K  e të tjerë. R. ka kërkuar prej zotit H.R informacion të hollësishëm për problemet e shoqatës, të “Aeroflot”, të klinikës “F”, etj.

Sipas informacionit nga … të datës 03.07.2000, ai ka qënë i interesuar për një mbledhje, ku kanë qënë dhe përfaqësues nga Serbia dhe është shprehur se : “…Jam shumë i interesuar të di për këtë mbledhje. Unë kam ndërmend të përgatis një material të madh për gazetën time…Shefi im në Moskë është shumë i interesuar për këtë konferencë…”.

Nga informacioni i datës 27.07.2000 del se, R shkëmben mesazhe nëpërmjet email-it me një të quajtur A.  Një burrë i thotë atij se : “…Unë kam një mesazh të shkurtër për G. dhe e lënë të takohen të dy, në orën 21.15 pranë hotel “Rogner”.

Gjatë bisedës telefonike të datës 12.08.2000, babai i A. i jep R. një mesazh nga G : “…Telefonoi D. nga Kukësi. Nuk do të vijnë në Prishtinë. Takimi do të bëhet të hënën në mëngjez në Prizren, tek hotel “T”, afër urës së gurtë”.

Sipas një informacioni nga ….më datë 21.08.2000, ora 21.18 gazetari rus S. R, ka biseduar në telefon në gjuhën ruse, me një burrë të quajtur A. (Bjellorus, i instaluar në Kukës me grupin e monitoruesve të OSBE-së).

A. e vë në dijeni R., se ai ka qënë në Kosovë, ku sipas tij ishte rrëmujë e madhe dhe se shefi i tij për ditët e pushimeve ka shkuar në Shkup. Shefi i tij quhet M., i cili është amerikan dhe ka mbaruar Akademinë Ushtarake.

Nga kjo bisedë duket se A. kupton gjuhën shqipe. Në vazhdim të bisedës A. e pyet R., për një delegacion nga Tirana, nëse ai di gjë se kush po përgatitet. S i thotë se, do të jenë nga udhëheqja. Aty ka qënë Spartak Poçi. Nga ana tjetër A. thotë se : “…Mund të vij ndonjë ditë edhe në Tiranë, dhe se këtu (është fjala për në Kosovë), po mundohen për të vendosur qetësinë, si policia shqiptare dhe UMNIK-u. Këtu ka vetëm italianë, karabinierë”. S. R ndërhyn dhe pyet, -nga ata që quhen KFOR, atje ka vetëm italianë? A. i përgjigjet ; “…Po, vetëm italianë. Nuk ka ndonjë problem”.

Duke vazhduar bisedën e tyre, më tej R. i thotë atij se : “…Lexova se me urdhër të Pocit janë marrë masa në Kukës. Gazeta “Koha Jonë” shkruante se po luftojnë me elementët anti Qeveri dhe pjesëmarrësit në këto ngjarje. Parashikohen dhe masa arresti”. A i përgjigjet : “…Kanë arrestuar disa veta. Janë dhe forcat e Tiranës. Nuk e di se kur do të ikin”. S ndërhyn duke i thënë se : “…Sot ishte shkruar në gazetë një mendim, por që nuk është burim ekspertësh, burim zyrtar, por më shumë burim gazetarësh, sic shkruajnë ata vazhdimisht, sikur tre qytete : Laçi, Kukësi dhe Shkodra nuk janë aspak të lidhur me Tiranën. Autoritetet e vendit dhe policia, në këto qytete nuk lidhet fare me Tiranën dhe në këto tre qytete : Lac, Kukës e Shkodër, do të drejtohet gjithë vëmendja kryesore e Tiranës. Gazeta shkruante se, kur ndodhën ngjarjet në Kukës, policia iku në male”.

A. përgjigjet : “…Po. Nuk kishte fare nga policia vendore….Unë e pashë me sytë e mi shefin e Policisë së Kufirit dhe oficerë nga Policia e Kukësit. Kur erdhi policia nga Tirana, atje nuk kishte asnjë njeri…E di Bajram Currin? Atje, shefi i policisë nuk e njeh Tiranën. Ky është rast real. Gjithë këto kohë, ai e quan veten të plotfuqishëm”.

Me daten 26.08.2000, nepermjet telefonit, S. le takim me A. ne oren 11.00. Kurse me 29.08.2000, gjate nje bisede tjeter me A., R. e njofton ate se me dt. 13 aeroplanet nuk do te fluturojne. A. kete njoftim e pret me kenaqesi dhe i thote se…”me gezove shume”.

Ne nje informacion te dt. 30.08.2000 thuhet se gazetari S.R, fliste mire shqip, por me theks verior.

Interesante duket edhe biseda e zhvilluar midis R. dhe A. më datë 05.09.2000 ku A. i thotë se : “…Unë e mora lejen për udhëtimin. Gjithcka është normale. Kemi dy variante. . Në Tiranë kemi bashkëpunëtorin tonë. Ai është amerikan, por flet shqip”. S. përgjigjet : “…O Zot, si munde ta marrësh vesh? Ti ke simpati për të (qesh). Të kuptoj”. Më poshtë S. pyet për telefonin e tij dhe se kur do të jetë ai. (Amerikani) A. i përgjigjet se : “…Kjo është e ndërlikuar. Stacioni i Kodër-Kukësit quhet. Kjo punë duhet bërë. Atje do të ketë edhe një konsultë. Mendoj se është një punë normale”. Ndërkohë, ndërhyn S dhe thotë : “…Për cdo rast edhe varianti i dytë.”. A përgjigjet : “…Jo, tani”. Pasi S e pyet : “…Të enjten të shkoj atje?”. A përgjigjet : “…Po, kjo është e gjitha”. Më poshtë ata flasin për fushatën elektorale në Kukës, ku do të shkoj Nano dhe S shprehet i habitur për këtë. Më tej ai ankohet për zhurmë në telefon.

Më datë 07.09.2000 ndaj subjektit S. R u organizua MFF-ja (vëzhgim) duke filluar nga banesa e tij. Sipas raporteve të MFF-së rezulton se, për 4 ditë rresht, ai të mos ketë dalë nga banesa !.

Sipas informacionit të datës 08.09.2000 të ardhur nga Drejtoria e SHIK-ut Kukës, konfirmohet se A është fiksuar më datë 07.09.2000 tek UMNIK në doganën e Vërnicës (Kosovë) me punonjësit e OSBE-së, që janë të stacionuar në Kukës. A është bjellorus, fliste pastër gjuhën shqipe, zotëron gjuhën angleze. Ishte trup i shkurtër, pak bjond, me mustaqe. Qëndronte tek hotel “Adriani” në Kukës.

Nga informacioni i datës 23.09.2000 në bisedën zhvilluar midis S.R. dhe A., nga televizioni i Moskës, thuhet se rusët janë të interesuar për burgjet shqiptare dhe elementët pro Rusë të dënuar. A. nga Moska thotë se : “…Me burimet tona kemi gjetur një shqiptar, që ka qënë në burg dhe do të merret me këto punë. Emrin e ka R.. Ai ka qënë i martuar me ruse”. S.R nga ana e tij i rekomandon A. se : “…Kam unë një njeri shumë të njohur, që më përpara ka punuar në M. P. Jashtme. Ka qënë dhe ai nja 10 vjet. Në Rusi ka familjen, atje i ka mbetur gruaja dhe fëmijët. Këtu është martuar dhe ka fëmijë të tjerë. Para 4 vjetësh ai shkoi atje dhe i takoi. Mund t’ju ndihmojë shumë. Ka gjëra shumë interesante, ka fotografi. Unë kam ndenjur dhe kam biseduar gjatë me të. Flet shumë mirë rusisht”. Po në këtë datë rezulton se, Konsulli Rus E.U, i kërkon S.Gj., që të prenotojë në hotel “Dajti”, tre dhoma fjetje, pasi vijnë tre veta nga televizioni rus, për datat 28 shtator-8 tetor.

KONTAKTET E VJETRA
Nga Moska interesohen për elementët pro Rusë të dënuar nga ish-regjimi
Nga survejimi I gazetarit rus S. R. del se rusët janë shumë të interesuar për të kontaktuar me shtetas shqiptarë që janë dënuar nga regjimi komunist I para viteve 90-të si element pro rusë. Në bisedën zhvilluar midis S.R. dhe A. më 23.09.2000 të survejuar nga SHISH thuhet se rusët janë të interesuar për burgjet shqiptare dhe elementët pro Rusë të dënuar. “A. nga Moska thotë se : “…Me burimet tona kemi gjetur një shqiptar, që ka qënë në burg dhe do të merret me këto punë. Emrin e ka R.. Ai ka qënë i martuar me ruse”. S.R nga ana e tij i rekomandon Aleksandrit se : “…Kam unë një njeri shumë të njohur, që më përpara ka punuar në M. P. Jashtme. Ka qënë dhe ai nja 10 vjet. Në Rusi ka familjen, atje i ka mbetur gruaja dhe fëmijët. Këtu është martuar dhe ka fëmijë të tjerë. Para 4 vjetësh ai shkoi atje dhe i takoi. Mund t’ju ndihmojë shumë. Ka gjëra shumë interesante, ka fotografi. Unë kam ndenjur dhe kam biseduar gjatë me të. Flet shumë mirë rusisht”, thuhet në document.






Dosja e SHISH mbi agjenturën ruse, e siguruar nga Report Tv 

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Abduli: 26/07/2018 01:08

    Ky artikull duket si shkrimet e PAMFLETIT SHISH DENANCON SE KANE ARDHUR SPIUNE NJE I MARTUAR ME RUSE PO NJE GJE ESHTE E PA KUPTUESHME KUSH ESHTE EFEKTI NEGATIV I SHQIPERISE NGA ARDHJA E KETYRE AGJENTEVE CFARE GOZHDE PO I NGIL ED RAMES APO LUL BASHES SHUME E CUDITESHME KY MUABETIN ME RUSET RUSET NGA SHQIPERIA IKEN ME NENDETESEN 105 dhe NUK PERSERITET ME AJO QE NDODHI KETO JANE THJESHTE IMAGJINATA KOMUNISTO SOCIALISTE

    Përgjigju
  • Ilo: 24/07/2018 10:31

    Tani behet me e qarte qe Trump e Putin jane te interesuar te ndezin nje lufte te re ne ballkan por jo shqiptare-serbe po shqiptare-malazeze qe per momentin duket skenari me i pamundur

    Përgjigju
  • ai qe lufton: 23/07/2018 21:06

    Sherbimet sekrete veprojne ne qindra forma.Njeri eshte edhe neprmjet gazetarve,financojne kompani tregetare apo dhe terheqin politikane te shumte qe ketu ne Shqiperi per pese pae te qelbura japin edhe bythen,grate e tyre si dhe vajzat.I gjithe elementi qe kishte mbaruar ne bashkimin Sovjetik eshte riaktivizuar ne favor te Rusise.Ne politiken shqiptare ka element te rekrutuar nga Rusia qe kerkojne informacione per NATO si dhe te tjera

    Përgjigju
  • Naimi: 23/07/2018 17:43

    Ne krye te spiunazhit rus qendron ambasadori rus Karpushin i cili te thirret nga prokuroria dhe te futet prapa hekurave.

    Përgjigju
    • Naim kungulli: 24/07/2018 07:27

      Hahahahhahahaha te arestohet ambasadori RUS eee i madh je..po pastaj ??

    • Pjeshku: 23/07/2018 21:49

      Nuk arrestohet diplomati ne kete rast, thjeshte i kerkohet te largohet.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje