“Babai i tij Shaqir Kastrati lindi në Presheve në 1847 dhe vdiq në vitin 1965, ndërsa nëna e tij Aisheja, lindi më 1876 dhe vdiq në vitin 1941. Ali Kastrati mbaroi shkollën fillore në Tiranë në vitin 1938...”, tregon disa momente biografike studiuesi Shehu, shkëputur nga monografia “Ali Kastrati në ring”, botuar në vitin 2000, monografi që sot nuk gjendet në asnjë librari e që do të qe mirë të ribotohej me rastin e kësaj lamtumire.
“Si boksier, Ali Kastrati nisi aktivitetin në vitin 1940 në Tiranë, por famën ia japin ndeshjet me Mario Deniskën 1943, ish-kampion i Italisë e më tej me Hufs Jan kampion i Gjermanisë në 1944 dhe me Rafael Dishnicën kampion i Shqipërisë në Tiranë”, thotë studiuesi Shehu, duke përmendur më tej ndeshjet me fitore me boksierë të famshëm si: në Bullgari me Vladimir Kristof në 1949, në Poloni me Kolshinskin, po në 1949, në Çekosllovaki me boksierin Torma, po në 1949 apo në Hungari me dy nënkampionët e vendit. Sipas studiuesit Shehu, Ali Kastrati e përfaqësoi 20 herë Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, prej të cilave ai fitoi 18 herë. Kastrati ka realizuar mbi 300 ndeshje boksi, ku ka dalë 4 herë Kampion Kombëtar.
Në sportin e peshëngritjes studiuesi Novruz Shehu përmend disa arritje të mëdha të sportistit Ali Kastrati “Në peshëngritje ai u shpall Kampion Kombëtar më 1949-n, vendosi 20 rekorde kombëtare 1949-1966. Ishte trajner i ekipit “Partizani” dhe atij kombëtar, fitues i 18 kampionateve kombëtare dhe gjithë kupave të Republikës të vendosura nga federata 1949-1966...”
Ndërsa në sportin e mundjes, Ali Kastrati u shpall 5 herë fitues i titullit kampion kombëtar si peshë e mesme në vitet: 1949, 1951, 1952, 1953 dhe 1954. Po ashtu vlen të evidentohet edhe roli i tij si kryegjyqtari i spartakiadës së ushtrive mike në Moskë 1958 dhe si trajner ku ai shkëlqeu si themelues i ekipeve të sporteve të rënda për Tiranën, “Partizani” (boks, mundje, peshëngritje) dhe trainer i tyre 1949- 1966. Fotografitë që po botojmë, janë thuajse të panjohura e të papublikuara me parë në media, dhe i janë ofruar studiuesit Novruz Shehu nga vetë Ali Kastrati në kohën e përgatitjes së monografisë në vitin 2000. Sipas Shehut, “fotografitë kanë një vlerë të veçantë për gjithë historinë e sportit shqiptar dhe dëshmojnë disa nga kulmet e karrierës së këtij sportisti të madh”.
Foto: Ali Kastrati me kupën kampionit kombëtar në mundje viti 1954
Foto: Ali Kastrati në ring me boksierin Mehmet Kryeziu
Foto: Ali Kastrati në verën e vitit 1944, gjatë stërvitjes, para se të dalë në ring me boksierin gjerman Hufs Jan kampion i Gjermanisë
Foto: Ali Kastrati në ring me boksierin Mehmet Kryeziu
Foto: Në ring me boksierin bullgar Vladimir Kristof 1947
Foto: Ali Kastrati me të gjithë medaljet e fituara në vite, dalë në vitin 2000, foto e realizuar nga autori i monografisë Novruz Shehu
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)