Tërheqin vëmendjen me trupin plot me muskuj, por pakkush e di sakrificën që i është dashur një bodybuilderi për të arritur deri aty.
Çim Sabrija po lë gjurmët e tij në këtë sport. Prej 10 vitesh stërvitet intensivisht dhe mban një regjim strikt ushqimor me vakte të matura në peshore. Është shpallur kampion në disa gara dhe punon fort për t’u bërë versioni më i mirë i vetes.
“Rrugëtimi im ka nisur në 2015-n ku u futa në palestër sepse doja të bëhesha i fortë. Pas 6 muajsh stërvitje bëra garën time të parë në Gjirokastër ku u rendita i dyti.
Që prej 2016 dhe deri më sot, kam bërë çdo vit 1 ose 2 gara dhe arritjet e fundit janë fitorja në Tiranë e ‘Classic Bodybuilding Over All’ që do të thotë Kampion absolut i gjithë Shqipërisë për 2024. Pas dy javësh vendosa të bëja një garë në Shkup ku fitova vendin e parë në kategorinë Classic Physique dhe pas kësaj fitoreje vinte karta e IFBB PRO.
Gjithashtu kam fituar vendin e 6-të në Kampionatin Botëror të zhvilluar në vitin 2023 në Spanjë. Kartën IFBB e synon çdo bodybuilder sepse bën ndarjen e një atleti profesionist nga një amator. Synimet e mia për këtë vit nuk janë thjesht kupat, por të arrij sa më shumë rezultate të larta dhe përfaqësimi i Shqipërisë në kampionatin Europian dhe atë Botëror”, shprehet 25 vjeçari në emisionin “Një nga ne”.
Gjithë ditën e kalon në palestër. Eksperiencën e tij në industrinë e fitnesit po e përdor për të ndihmuar klientët në arritjen e objektivave.
“Kam mbaruar Ekonomikun, paralelisht me shkollën bëja stërvitje. Punoj si instruktor salle dhe trajner personal. Vij në orën 7 e gjysmë të mëngjesit deri në orën 7 të darkës. Duket se interesi i shqiptarëve, por dhe gjithë botës po kthehet tek fitnesi. Kur vjen puna tek personat që duan të humbasin peshë, kryesorja është dieta. Ti mund të bësh stërvitje sa të duash, por nëse nuk je i qëndrueshëm tek dieta, nuk do kesh rezultate. Sekreti i gjithë fitnesit është qëndrueshmëria. Duhet të stërvitesh 4-5 herë në javë, nuk ka rëndësi orari, thjesht stërvitu”.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.