TIRANË - E tmerrshme, por e vërtetë. Një person ka qëndruar për minuta të tëra në gjendje kritike për jetën dhe askush nga kalimtarët e shumtë që kalojnë aty pranë nuk I jep asnjë ndihmë. A1Report publikon videon rrënqethëse të aksidentit të ndodhur mëngjesin e të enjtes në Kthesën e Valiasit në Tiranë.

Një automjet “Renault Klio” me targa AA 905 HD përfshihet nga flakët pasi kishte dalë rruga dhe ishte përplasur me një shtyllë elektrike.

Ndërsa një person ka vdekur në vend, 37-vjeçari, Hasbi Hidri kishte dalë nga makina dhe dergjej në asfalt.

Në videon prej 10 minutash që ka mundur të sigurojë A1Report, duket të mbërrijnë 2 automjete zjarrfikëse ku edhe zjarrfikësit duken më shumë të interesuar për zorrat e ujit sesa për 37-vjeçarin që kërkonte ndihmë.

Pas 2 minuta e 40 sekonda një zjarrfikës shkon tek i plagosuri, por sërish nuk e largon askush për ta nxjerrë në një vend më të sigurt.

Fati e shpëton për të dytën herë të plagosurin pasi në minutën e katërt të filmimit automjeti shpërthen sërish nga flakët, sikundër dhe telat e linjës së tensionit të lartë që shkëputen dhe bien mbi asfalt. Për disa sekonda zjarrfikësit dhe policët rrugorë duken të përfshirë nga paniku.

Më pas zjarrfikësit kthehen dhe e tërheqin zvarrë të plagosurin për ta nxjerrë në një zonë më të sigurtë.

Në minutën 05:30 mbërrin autoambulanca e urgjencës, por do të duheshin edhe 4 minuta të tjera  që kryen transportimin e të plagosurit për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.

JA VIDEO E PLOTE