TIRANE-I ashtuquajturi nga drejtësia greke si "Eskobari i Ballkanit", Kelmend Balili hyn në negociata për vetëdorëzim.

Burime nga grupi hetimor pranë Krimeve të Rënda thanë ekskluzivisht për Report Tv e Shqiptarja.com se deri më tani janë zhvilluar tre negociata për dorëzimin e Balilit i cili kërkohet si nga drejtësia greke dhe ajo shqiptare me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.

Negociatat, sqaruan burimet, po kryhen me njerëz të afërt të Balilit dhe deri këtë të hënë më 12 dhjetor 2016 rezulton se ai është në territorin shqiptar.

Burime nga grupi hetimor theksojnë se Balili ka theksuar se do të dorëzohet me një kusht. Balili ka kërkuar garanci për një proçes hetimor e gjyqësor pa ndikim politik.

Burime për Report Tv e Shqiptarja.com shtojnë se dorëzimi i Balilit është thjesht çështje orësh.

Në negociata me Balilin kanë hyrë një grup hetimor nga Policia, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërsa janë përfshirë dhe të afërm dhe avokatë të familjes Balili.

Zhvillimet e reja vijnë kur kanë kaluar tre ditë nga urdhër-arresti zyrtar për llogari të drejtësisë greke e operacioni i gjerë policor për kapjen e tij.

Ndërkohë familjarë të Kelmend Balilit shprehen se nuk i ka kontaktuar askush nga grupi hetimor. Ata shtojnë se këto ditë por edhe më herë kanë rënë pre e sulmeve të vazhdueshme politike dhe mediatike.

Më 10 Dhjetor, Policia Shqiptare shpalli zyrtarisht në kërkim Kelmend Balilin duke nisur një operacion të gjerë në Jug të vendit. Mbi 200 forca policore krehën fshatrat duke kontrolluar banesat e familjarëve të Balilit.

Pavarësisht negociatave, operacioni policor për kapjen e Balilit vijon edhe në këto momente.

Dy ditë më parë në një lidhje telefonike, vëllai i Kelmend Balilit u shpreh se i vëllai është i pafajshëm dhe e gjithë kjo është një lojë politike. Sipas Bako Balilit, Kelmendi është gati të përballet me drejtësinë shqiptare nëse ka akuza reale që rëndojnë ndaj tij.

Klement Balili nuk mund te ekstradohet drejt Greqise
Edhe po u kap, Klemend Balili nuk mund te ekstradohet drejt Greqise. Kelmend Balili ishte në kërkim policor nga autoritetet shqiptare për llogari të drejtësisë greke. Burime sqaruan se në rast të ndalimit të Balilit në territorin shqiptar ai do hetohet për llogari të drejtësisë shqiptare dhe procedimit penal të regjistruar tashmë ndaj tij. Kjo dhe për faktin se ai nuk mund të ekstradohet drejt Greqisë pasi ndërmjet Shqipërisë dhe autoriteteve greke nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Nga arratia nëpërmjet avokatit të tij grek, Balili në shtypin helen ka deklaruar se e gjithë akuza ndaj tij është një fabrikim me keqdashje politike dhe ai nuk ka lidhje me trafikun e drogës.

Balili është i dyshuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe të vënë në akuzë sëbashku me të janë dhe dy vëllezërit Xhevahir e Dhimitër Poti po nga Saranda. 

(d.b/Shqiptarja.com)