Ekskluzive /Lalaj: Mehmet Shehu
disa herë e mendoi vetëvrasjen

Ekskluzive /Lalaj: Mehmet Shehu <br />disa herë e mendoi vetëvrasjen
TIRANE - Nuk ka dyshim se Mehmet Shehu është vetëvrarë. Një analizë logjike na çon në përfundim se vetëvrasjen ai e kishte menduar edhe më parë. Madje jo vetmë një herë. Prof.dr. Ana Lalaj e vijon rrëfimin e saj mbi personalitetin e Mehmet Shehut, natyrën e tij, karrirën politike dhe përplasjet me Hoxhën, deri në vetvrasje, edhe në këtë pjesë të dytë të intervistës, ku fokusohemi më shumë tek krimet e tij, dhe dokumentet e dëshmitë që vërtetojnë se vetëvrasja është menduar prej tij dhe perceptuar prej atyre që e rrethonin edhe në vitin 1938, mandej në vitin 1947 dhe në 1953.

Ana Lalaj tregon takimin e  Fiqeret Shehut me Enverin, ku i tregon e shqetësuar një bisedë që ka bërë me Liri Belishovën, e cila e ka këshilluar të shohë Mehmetin e të tregohen të kujdesshëm që të mos përfundojë si Nako Spiru.

Por mjaft ngacmuese është një letër e rinisë së Shehut, më 1938, ndërsa ai i shkruan një shoku të tij dhe e krahason veten me një  krimb ndërsa i lutet zotit ti marrë ymrin...

Prof dr.Ana Lalaj, na rrëfen në këtë pjesë të dytë të intervistës tonë për marrëdhënien e tij me Hoxhën dhe pikëpyetjet që u ngritën pas vetëvrasjes së bujshme, arsyet pse Shehu shihej nga britanikët si një opozitë e mundshme e Enver Hoxhës, për bindjet dhe kundërshtitë e ish-kryeministrit, qofshin edhe kundërshti të heshtura ose konflikte të fshehura.... 

(Vijon nga dje...)

Ju vetë thoni se veprimet e individëve, po dhe të shtetit, janë të kushtëzuara me rrethanat...

Natyrisht. Pas thyerjes sovjeto-jugosllave, më 1948, Perëndimi u mor seriozisht me projektin për rrëzimin e qeverive komuniste nga brenda dhe me ndihmën e emigracionit nga jashtë, që u quajt ndryshe operacioni Rollback. Ky operacion filloi nga Shqipëria, për shkak se ajo u konsiderua si hallka më e dobët dhe është quajtur herë “operacioni i vlefshëm” e herë “eksperiment klinik”. Në fillim të viteve ’50-të operacioni ishte në kulmin e vet. Kudo nëpër Shqipëri hidheshin fletushka nga ajri me thirrjet për të rrëzuar qeverinë e Hoxhës. Në malet e Veriut desantonin grupe, të cilët edhe ato, pavarësisht qëllimeve, aplikuan veprime edhe terroriste. Bardhok Biba, një figurë e respektuar politike në Mirditë, u vra nga këto grupe. Por jo vetëm ai. U vranë edhe njerëz të thjeshtë, mësues të cilët u mësonin fëmijëve shkrim e këndim, vajza që sfiduan zakonet e deriatëhershme të mbylljes në kulla dhe që u përfshinë në ndërtimin e vendit etj. Duhet të kuptojmë se situata e ndërhyrjes nga jashtë, objektivisht e ashpërson dhe kundërpërgjigjen e pushtetit, por nuk mund të justifikojë kurrsesi dhunën jashtëligjore dhe bën përgjegjës ata që e nxisin ose e zbatojnë. Në këtë vështrim, mendoj se në kushte paqeje janë kriminale vendime politike, si ai me të cilin u trajtua incidenti në ambasadën sovjetike. Edhe më kriminale janë vendimet e organeve që japin drejtësi në emër të popullit, duke mos respektuar asnjë parametër ligjor. Me këto raporte e rrethana u përpoqa ta shpjegoj më sipër, me aq sa munda, edhe rolin e personit politik Mehmet Shehu.
   
mehmet shehu Vetëvrasja e Shehut, disi e pashpjegueshme për një karakter të fortë si ai, apo jo?
Nuk marr përsipër ta shtroj në plan psikologjik. Ajo çka mund të them është se simptoma depresive ai ka shfaqur edhe herë të tjera. Bën përshtypje një letër e hershme e Shehut, shkurt 1938, dërguar një shoku të tij, ku i thotë: “Unë ankohem kurdoherë për fatin tim, se shokët e mi ndodhen në universitete... Jam aq pesimist kundrejt avenirit tim, sa e shoh veten si një krimb që gërmon e s’di ku vete... Në një moment melankolik e të pamendtë, kam thënë duke iu lutur Zotit, ja të më merrte ymrin, ja të më nxirrte në dritë, si gjithë shokët e mi.” (Foto majtas, Mehmet Shehu pas vetëvrasjes)

Kuptohet, rasti i mësipërm do të ishte i neglizhueshëm, nëse nuk do të kishte të dhëna të tjera për t’u marrë në konsideratë. Shkojmë në vitin e vështirë 1947, kur u shfaq konflikti i jugosllavëve me Nako Spirun dhe më 20 nëntor Spiru u vetëvra. Kjo datë shënon edhe nënshtrimin e plotë të Enver Hoxhës përballë jugosllavëve, të cilët tanimë në Shqipëri bënin si në shtëpinë e tyre. Në dhjetor, në Tiranë erdhi një delegacion ushtarak jugosllav, ndër të tjerë tre gjeneralë, të cilët kanë diskutuar platformën e unifikimit të dy ushtrive. Bashkëbiseduesi kryesor i tyre ishte Mehmet Shehu, si shef i Shtabit të Ushtrisë Kombëtare. Por ata nuk nguruan t’i shprehen Shehut se ai, sipas tyre, “ishte i ndikuar nga Nako Spiru, veprimtaria armiqësore e të cilit ishte përhapur edhe në ushtri”. Më e pakta, kjo do të thoshte se ai nuk mund ta mbante më tej atë post. Ambasadori jugosllav, Josip Gjergjia, bashkë me emisarin Savo Zllatiç, nisur nga burimet e tyre të informacionit, i thanë Hoxhës se Shehu e kishte kuptuar se po ndërmerrej diçka kundër tij dhe se “mund të kishte rënë në një gjendje që lehtë mund të bënte ndonjë marrëzi”. Nga frika e një vetëvrasjeje tjetër, pas Spirut, çka do të ishte shkatërruese për prestigjin e jugosllavëve, ata i sugjeruan Hoxhës ta thërriste në parti dhe t’i jenin një lloj perspektive. Pra, nga interesat e tyre, jugosllavët nuk e dogjën kartën Shehu dhe për këtë qëllim u krijua një ministri e re për komunikacionin dhe ai u dërgua atje ministër.

Për t’u shënuar është një rast tjetër në vitin 1953, kur Shehu ishte ministër i brendshëm që prej pesë vjetësh. Atë verë Sokrat Bufi, ish sekretar i parë i partisë së Fierit, student në Moskë, i kishte shkruar Hoxhës se, sipas tij, Mehmet Shehu ishte provokator, karrierist, antisovjetik etj. Hoxha e kishte thirrur vetë Bufin, u thirr edhe në sekretariat të KQ dhe u qortua për akuzat e pambështetura. Për këtë atij iu ndërpre e drejta e studimit. Shehu ishte i pakënaqur me këtë masë. Ai kërkonte që Sokrat Bufi të shkonte në burg, por Hoxha nuk jepte asnjë shenjë më shumë. Shehu e njihte mekanizmin në kësi rastesh dhe mendoi se jo Sokrat Bufi, por ai do të ishte i humburi. Për këtë arsye Shehu shkoi në ambasadën sovjetike për mbështetje, qau, por ambasadori Leviçkin i tha se kjo ishte një çështje e brendshme, megjithatë ai do ta njoftonte qendrën. Ishte pak a shumë një situatë e ngjashme me rastin e Nako Spirut, kur edhe ai shkoi tek i ngarkuari me punë i ambasadës sovjetike, por ishte përcjellë me heshtje.

Por paralelja Nako-Shehu nuk mbaron këtu. Gjendjen e vështirë Shehu e kishte reflektuar edhe në familje. Fiqreti, e shoqja e Shehut, dhe njëkohësisht anëtare e KQ të PPSH, i shkoi në zyrë Enver Hoxhës dhe e shqetësuar i tregoi se Mehmeti ishte mbyllur në dhomë, nuk dilte fare, as hante e as pinte dhe se ajo kishte frikë për të shoqin. Madje frika e saj u shtua edhe më tepër kur Liri Belishova, para se të nisej me studime në Moskë, i kishte thënë: “Ruaje Mehmetin,... se dhe ne nuk morëm masa në kohë për ruajtjen e Nakos!” Me apo pa qëllim ajo ia kishte raportuar menjëherë këto fjalë Hoxhës.

Arsyeja që Shehu as hante e as pinte ishte jo Sokrat Bufi, por analiza e punës në ministrinë që ai drejtonte. Në qershor, në Moskë ishte arrestuar Beria,  ministri i brendshëm sovjetik dhe Hoxha kishte porositur për reflektime, nën frymën e kritikave që po publikoheshin në “PRAVDA”. Katër vjet më parë Koçi Xoxe ishte dënuar me vdekje, duke i rreshtuar midis të tjerash edhe një varg arbitraritetesh në Ministrinë e Brendshme. Shehu e dinte më mirë se kushdo se të njëjtat praktika vazhdonin njësoj si më parë. Prandaj dhe i frikej të ardhmes së vet. Por ai e kishte gabim. Sigurimi i Shtetit ishte pikëmbështetja reale më e rëndësishme e Hoxhës, pushteti i të cilit ishte ngritur pikërisht mbi frikën, dhunën dhe arbitraritetet. Veç të tjerash, Hoxhës iu komunikua edhe përgjigja e Moskës se ajo ishte një çështje e brendshme e Byrosë Politike shqiptare, që në fakt mund të merret edhe si mesazh besueshmërie. Për këtë arsye kjo histori u mbyll në Byronë Politike, pa u shënuar asgjëkund kurrfarë qortimi.

Këto ishin dy a tri raste që flasin për një gjendje depresive të këtij njeriu, i cili njihet si karakter i fortë. Vetëvrasja është pasojë e një tronditjeje psikologjike. Më pas u sajua një “tablo sinoptike” për të mbushur dosjen Shehu, e cila sipas meje është një manipulim i tërë. Tronditja psikologjike nuk ka ardhur për shkak se Shehu e paska ndjerë se më në fund u zbulua dhe nuk gjeti rrugë tjetër, siç është trajtuar në variantin zyrtar të kohës. Mendoj se çështja është më e thjeshtë. Ajo që kishte ndodhur kishte për subjekt pjesën më të ndjeshme të Shehut baba - familjen, fëmijët. Ndërsa intriga ishte ndërtuar mbi një temë, ku Mehmet Shehu komandant, ministër, kryeministër nuk kishte toleruar kurrë, ajo që quhej luftë klasash. Shehu e ndjeu se e ardhmja e tij ishte vënë në vështirësi. Ai ka sjellë ndërmend fatin e shokëve, por edhe ia kanë kujtuar. Sidoqoftë, ky fund ka qenë shkatërrimtar edhe për vetë Hoxhën.

Megjithatë, ka mendime se Shehu ishte properëndimor dhe ndoshta një opozitë e fshehur përballë Hoxhës...

Ne historianët operojmë kryesisht me çfarë ka ndodhur dhe shumë pak me opsione hipotetike. Po të nisemi nga dokumentet e shkruara, në asnjë rast nuk kam ndeshur kundërshtime e aq më pak përplasje parimore midis Hoxhës e Shehut. Përkundrazi, ky i fundit është mbështetës aktiv dhe permanent i Hoxhës, aq sa edhe kjo në vështrim të konspiracionistëve mund të jetë një arsye për të dyshuar. Bie në sy që mjaft teza ose orientime të Hoxhës, kryeministri i ka trajtuar periodikisht, me zbërthime të detajuara, si për çështje politike, por më shumë për ato të drejtimit të ekonomisë dhe për çështje ushtarake. Ndoshta ai këtë e ka bërë edhe për çështje, për të cilat nuk ka pasur bindje. Në një rast bashkëpunëtorë të tij janë shprehur se Shehu e ka kundërshtuar direktivën e tufëzimit të bagëtive, më 1980, por Hoxha kishte këmbëngulur në zbatimin e saj. Për çudi, pas kësaj, Shehu doli me një studim të hollësishëm për dobitë e gjithanshme që do të sillte tufëzimi i bagëtive!

Megjithatë, siç e thatë ju, flitet edhe për një kundërshti të heshtur ose konflikt të fshehur midis dy partnerëve kryesorë në krye të vendit. Shehu ishte ambicioz për pushtet dhe këtë gjë më parë se të tjerët e kanë vërejtur britanikët. Në një raport analitik dhe prognozë mjaft të zgjeruar që 12 oficerë britanikë të ndërlidhjes përpiluan bashkërisht në fund të luftës, më 10 nëntor 1944, dhe që konsiderohet ndër raportet kryesore të Force 399- Bari SOE, për Mehmet Shehun thuhet se është “kokëfortë, ambicioz, komunist, por ambicia e tij personale e tejkalon besimin e tij te Partia”. Në dokument emri i Shehut është njëri prej atyre që mund të drejtonte opozitën e ardhshme në Shqipëri. Në vitin 1972 nga Shqipëria u dërguan studiues në arkivat britanike dhe u sollën që andej disa dosje, ndër to edhe dokumenti për të cilin po flasim. Sipas Jon Halliday-t, dokumenti i ka vajtur në tryezë vetë Enver Hoxhës dhe ky “ia ndezi Hoxhës fitilin e dyshimeve”. Në fakt, nuk është kjo e vërteta. Dokumentet që erdhën aso kohe u depozituan në arkivin e Institutit të Historisë. Në vitin 1974, Prof. Ndreçi Plasari ka përkthyer një pjesë prej tyre, me sa duket me qëllim botimi. Në këtë përmbledhje të daktilografuar, në faqet 158 deri 165, është vënë dokumenti në fjalë, por duke iu hequr pjesët që flasin për Shehun. Sipas procesverbalit të mbledhjes së organizatës së partisë të Institutit të studimeve marksiste -leniniste, pas vetëvrasjes së Shehut, Prof. Ndreçi Plasari kishte vënë në dijeni eprorët e tij për praninë e këtij dokumenti në arkivat tona, dokument të cilin ai vetë e “e kishte bërë me vijë të kuqe”, pra e kishte censuruar. Midis akuzave të tjera për glorifikim të figurës së Shehut në librin “Brigada I Sulmuese, shpresë për popullin tmerr për armikun”, ky fakt i kushtoi Prof. Plasarit humbjen e postit si zëvendës i Nexhmije Hoxhës dhe të funksioneve të tjera.

Spartak Ngjela në librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” ka një vështrim të gjerë dhe mjaft interesant të marrëdhënieve midis drejtuesve komunistë të asaj kohe. Në fund të jetës së vet Enver Hoxha u gjend në pikën më të dobët të sundimit dhe atij iu desh të luajë, duke ekuilibruar forcat. Në këtë plan, pas vitit 1973, Mehmet Shehu u kujdes për të forcuar pushtetin e vet dhe për këtë arsye ai likuidoi Beqir Ballukun me dorën e Petrit Dumes, thotë Ngjela. Por edhe Hoxha luajti ta dobësonte Shehun, duke asgjësuar kastën e ushtarakëve rreth tij. Pastaj e hoqi si ministër mbrojtjeje, duke i dhënë një detyrë shtesë në parti, sekretar i Komitetit Qendror, ndoshta për ta pasur më shumë në kontroll. Me këtë rast Hoxha forcoi Kadri Hazbiun, i cili likuidoi Shehun dhe pas tij Hoxha likuidoi Hazbiun.

 
Nuk di deri ku shkojnë paralelet me oborrin kinez të Mao Ce Dunit, pra nuk di të them deri në ç’shkallë është lojë e Enver Hoxhës ajo që ndodhi me bashkëpunëtorët e tij dhjetëvjetshin e fundit të jetës. Ajo që dihet është se spastrimet më të mëdha ai i ka bërë sa herë ka qenë i pasigurt. Në këta dhjetë vjet Hoxha ka qenë më i pasigurt se asnjëherë. Në mospajtimet ideologjike me kinezët, më shumë se kundërshtues, kinezët ndjeheshin të bezdisur. Më kryesorja, Kina, aleatja e fundit komuniste, duket se nuk kishte më interesa për Shqipërinë. Vendi po rrëshqiste në varfëri dhe vështirë se mund të shpëtohej. Enver Hoxha ia ka njohur kapacitetet Mehmet Shehut, por nuk i ka besuar asnjëherë deri në fund. Ndoshta për këtë arsye ai u kujdes të mbledhë rreth vetes një grup besnikësh, që deri atëherë kishin qenë jashtë intrigave të bllokut, jo shumë të aftë, po të gatshëm të sakrifikonin për të. Ramiz Alia, pasardhësi i tij ekuilibrist, mund të manipulonte më lehtë me këtë grup, që do ta ruanin të paprekur idhullin e përbashkët.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(bm.shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim