TIRANE-Në një intervistë ekskluzive në emisionin "5 pyetjet nga Babaramo", Presidenti Ilir Meta paralajmëron shpërndarjen e parlamentit më 2 mars. 'Presidenti do të bëjë gjithçka që qytetarët do t'i kërkojnë në tubimin e 2 marsit në bulevard para kryeministrisë', u shpreh Meta përballë gazetarit Ilir Babaramo.

Ilir Babaramo: Nëse qytetaret më datë 2 mars qytetarët iu kërkojnë të shpërndani parlamentin, do ta bëni?

Ilir Meta: Unë jam i sigurt që do të jemi në një sintoni të plotë me qytetarët. E rëndësishme është nëse ata pranojnë apo nuk pranojmë më që një grup puçistësh të rrëmbejnë çdo të drejtë të tyre kushtetuese dhe njerëzore, të lirisë së tyre, të llogaridhënës në këtë vend para tyre që paguajnë taksat edhe që paguajnë borxhin që po shkon në stratosferë. Dhe të jenë të sigurt se presidenti do të bëjë detyrën e tij në mënyrën më shembullore për rivendosjen e rendit kushtetues dhe do t'i kërkojë të gjithëve të bëjnë detyrën e tyre, të gjithë aktorëve të tjerë. Këtu nuk mund t'i shmangemi dot kësaj historie. Jemi në një përballje finale me puçistët, nuk ka temë tjetër më të rëndësishme në Shqipëri deri në momentin që do të zgjidhim këtë çështje.

Ilir Babaramo: Dhe atë akt do ta bëni në atë moment, që atë ditë?

Ilir Meta: Çdo ditë do të ketë detaje të reja.  

(Kliko këtu për të lexuar intervisten e plotë e Presidentit Meta me gazetarin Ilir Babaramo)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Zgjedhje në bashkitë pa kryetar? Meta: Pyesni zëdhënësin tim, se unë po merrem me 2 marsin

Disa bashki në vend kanë mbetur pa kryetar, pasi të zgjedhurit socialistë në 30 qershorin e vitit të kaluar u kapën nga ligji i dekriminalizimit. Por a do të dekretojë një datë të re për zhvillimin e zgjedhjeve në këto bashki? Ilir Meta e injoroi këtë temë duke e vendosur theksin te protesta e 2 marsit. "Lidhur me këtë mund t'i drejtoheni zëdhënësit tim, nuk ekziston si çështje e rëndësishme në axhendën e Presidentit, në axhendën e Presidentit është vetëm një cështje e rëndësishme, organizimi i të gjithë popullit, pa asnjë dallim për të mbrojtur republikën" tha ai.

Ora 21:38
Pakt të dytë Rama-Basha? Meta: Nuk ka në botë Republikë pa President, ka pa Kryeministër...

I pyetur nëse dyshon se ka një pakt të dytë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha, Presidenti Ilir Meta tha se "Unë asnjëherë nuk kam pasur asnjë pakt me askënd kundër Kushtetutës, demokracisë dhe popullit. Kam pasur pakte për të qenë në opozitë apo ardhur në pushtet, por jo kundër Kushtetutës, asnjëherë dhe për asnjë gjë. Unë kam pakt për mbrojtjen e Kushtetutës dhe do ta mbroj atë edhe me jetën time deri në 24 korrik të 2022. Nuk ka republikë pa president në botë, ka pa kryeministër...Nuk ka republikë pa president në botë të tjerat i thotë populli nga 2 marsi deri kur të vendosim rendin kushtetues dhe demokratik sikur ka votuar populli në referendum në 1998".

I pyetur nëse do të shpërndajë parlamentin, Ilir Meta tha se "Nuk është përgjegjësia ime nëse parlamenti sillet si i vetë-shpërndarë, institucion i shpartalluar që merr pjesë në veprime mafioze dhe bën akte mjaft të rënda. Ky nuk është faji im. Për ata të cilët kërkojnë të zhdukin demokracinë në këtë vend me qëllim që t'ia dorëzojnë sovranitetin një organizate ndërkombëtare e cila synon shpopullimin e Shqipërisë përmes kësaj bande nuk do të ketë asnjë tolerancë.

Kjo do të thotë se mbi presidentin, që është i vetmi institucion legjitim, qëndron vetëm Kushtetuta dhe gjykata Kushtetuese me integritet dhe mbi këtë vetëm populli dhe Zoti. Ilir Meta i ka provuar të gjitha funksionet dhe pushtetet, ka bërë çdo gjë, sot është president. Shiko betimin e presidentit të SHBA-së, tre herë për të mbrojtur vendin e vet, "to preserve, to protect dhe to defend" dhe ne të ardhmen duhet ta formulojmë më mirë betimin e presidentit dhe cdo njeriu që vendos dorën në kushtetutë" tha ai.

Ora 21:34
Meta: Pse thirra Bashën në Presidencë dhe tre arsyet pse socialistët duhet të vijnë të parët në bulevard

Pak ditë më parë Ilir Meta thirri në Presidencë, Lulzim Bashën për t'i shpjeguar sipas tij provat e grushtit të shtetit që ka bërë shumica qeverisëse. Por përse nuk thirri kryeministrin? E ndërsa i përgjigjet kësaj pyetje, Meta ka një apel për socialistët.

"Unë i kam thirrur të dyja palët për mirëkuptim dhe për rastin konkret i kam konsumuar veprimet e mia me parlamentin. Thirra opozitën për disa fakte, sepse për cfarë tha thërrisja Ramën për veprat kriminale të Etilda Gjonaj, ai i dinte këto gjëra. Por jam i sigurt se kryetari i opozitës nuk i dinte këto gjëra dhe Presidenti ua sqaroi këtë veprimtari kriminale. Bashkëngjitur edhe me veprimin për kalimin e ligjit anti-kushtetues dhe pasojat që mund të ketë për Shqipërinë.

Unë nuk kam përjashtuar njeri dhe nuk kam bërë thirrje të vijnë disa parti kundër disa të tjerave. Socialistëve u takon të parëve që të vijnë në bulevard. Sepse kanë pasur kontributin kryesor me tolerancën në 1998 për Kushtetutën demokratike, në 2008 nuk e kuptuan skenarin e organizatës ndërkombëtare për ndryshimet kushtetuese për të ardhur në këtë situatë dhe janë më të përjashtuar nga qeverisja dhe jam i sigurt se do të vijnë për të shpëtuar dinjitetin e tyre" tha ai.

Ora 21:30
Meta sulmon Donald Lu dhe Vlahutin: U puthën në buzë...pastaj njëri në Taxhikistan, tjetri në pension

Presidenti Ilir Meta sonte në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv sulmoi ish-ambasadorët e SHBA dhe BE-së që kanë qenë në Shqipëri kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese për Reformën në Drejtësi në korrik të 2016, Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Kur u pyet nëse pret zgjidhje të krizës aktuale politike nga ndërkombëtarët, ai tha se nuk 'pres zgjidhje nga diplomatë që sot janë në Shqipëri dhe nesër ikin në Taxhikistan, Afganistan apo dalin në pension'. Në fakt Donald Lu pas përfundimit të mandatit në Shqipëri u emërua ambasador në Kirgistan.

"Për zgjidhjen e krizës, unë nuk pres zgjidhje nga ndërkombëtarët, zgjidhjet janë në Kushtetutë po të donin. Për atë Kushtetutë që votuam me 140 vota ne na u puthën në buzë dy ambasadorët më të rëndësishëm nga gëzimi i madh, që bëmë me konsensus. Ashtu sikur për fat të keq bekuan kapjen e prokurorisë me 69 vota në kundërshtim të hapur me përcaktimin me 84 vota. Unë nuk e pres zgjidhjen nga diplomatë që sot janë në Shqipëri dhe nesër ikin në Taxhikistan, Afganistan apo dalin në pension. Unë zgjidhjen e pres vetëm te respektimi i Kushtetutës. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona të përditshme. Prandaj unë kam thirrur popullin dhe duhet të thotë fjalën e tij dhe unë kam besim se do ta thotë. Në radhë të parë me pjesëmarrjen, prandaj të tjerat do i komunikojmë në miting...manifestim, kjo është fjala më e mira. Shqiptarët duhet të nguten" tha ai.

I pyetur nëse janë trembur apo shantazhuar nga zyrtari i lartë i DASH, Palmer që i telefonoi ai u përgjigj "Ju nuk jeni këtu për të bërë shaka, unë kam respekt për të gjithë partnerët dhe kam folur seriozisht me ata për të gjitha këto shqetësime, se cfarë bëjnë ata është përgjegjësi e tyre, koha më ka dhënë mua gjithmonë të drejtë. Se cfarë ka bërë opozita është cështje e opozitës dhe jo e imja" tha ai.

Përqafimi mes Donald Lu dhe Romana Vlahutin në korrik 2016 pas miratimit të reformës në drejtësi në Kuvend me 140 vota
Ora 21:26
Meta: Nëse njerëzit mendojnë se s’jam në rregull dhe s’dalin në shesh, do të vdesin, do vrasin veten

Presidenti Ilir Meta u shpreh se në datë 2 mars do të zbresë në fushën e betejës, prandaj fton qytetarët që t'i bashkohen në shesh kundër qeverisë. Por i pyetur se cfarë do të ndodhë nëse populli e refuzon thirrjen e tij, Ilir Meta dha këtë përgjigje "Qytetarët duhet të tregojnë vullnetin e tyre.

Presidenti do të tregojë vullnetin e tij. Presidenti po del në fushën e betejës për t’i bërë paralajmërimin e fundit grupit puçist. Populli shqiptar, në qoftë se është mirë dhe mendon se Presidenti nuk është rregull, le të vazhdojë të rrijë në shtëpi, të durojë çdo ditë thundrën e një pushteti shtypës. Edhe më të larta do t’i ketë taksat. Edhe më të shumta do të jenë padrejtësitë.

Do të vdesin njerëzit, do të vrasin veten për 12 mijë lekë si ai tjetri apo të tjerët që nuk kanë paguar energjinë për aq apo për kaq muaj. Apo tërë njerëz që dënohen për gjëra fare të vogla, por që duhet të dënohen në bazë të ligjit apo ministren me etikë të Drejtësisë se si flet për sukseset e reformës, ndërkohë që është në krye të një bande që falsifikon dhe bën shumë vepra penale për të rrëmbyer me vetëdije të plotë, se ia kërkon partia, Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Ia rrëmben këtë kryetarit të shtetit, të cilit Kushtetuta ia ka dhënë në mënyrë të qartë atij dhe vetëm atij" tha ai ndër të tjera.

Ora 21:22
Meta: Qeveria po fton afrikanët për të punuar në Shqipëri se janë të bindur

Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar sipas tij arsyet se përse qeveria shqiptare u ka bërë thirrje të huajve që të vijnë në Shqipëri për të punuar për rindërtimin pas tërmetit."Kjo bëhet që një pakicë, jo vetëm të përjashtojë shumicën e njerëzve, por ta shpopullojë Shqipërinë nga njerëzit problematikë, jo si ata të Dibrës, por nga ata që kërkojnë të drejtat e tyre dhe ta zëvendësojnë, ju i keni parë thirrjet që u bëjnë atyre në Afrikë 'hajde punoni në Shqipëri' se janë më të bindur, më të varfër dhe mund të flenë 100 veta në një kapanon dhe mund të shfrytëzohen më lirë se shqiptarët" tha ai.

Ora 21:17
Dhunë në tubim? Meta: Nëse do të ketë provokime, përgjegjësia e qeverisë

Kreu i shtetit ka rrëfyer në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' se cilat janë objektivat e tij për protestën e 2 marsit. Gjithashtu, Presidenti tha se në tubim nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë akte dhune. Ai paralajmëroi se 'nëse segmente të qeverisë dhe bandave të tyre do të provokojnë, përgjegjësia do të jetë e tyre'.

"Në 2 mars do u drejtohem qytetarëve si në dhjetor kur u shty. Në 2 mars unë do të i drejtohem popullit dhe ndërkombëtarëve duke u bërë të qartë se mbi kushtetutën qëndron vetëm sovrani i tij. Fjalën do ta ketë populli. Vetëm me flamurin kuqezi për të vendosur sistemin demokrat. Qytetarët janë ftuar në bulevard në orën 17:00, parullat janë të qartë 'Jo grushtit të shtetit' dhe 'Jo shpopullimit'. Objektivat e mia janë të qarta, të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit, t'u bëj të qartë se instalimi i grushtit të shtetit asgjëson liritë dhe demokracinë. Si mund të garantojë gjykata Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë mafioze dhe përmes këtyre falsifikimeve, se do të ketë garanci për pronat e tyre? Nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë akte dhune. Nëse segmente të qeverisë dhe bandave të tyre do të provokojnë përgjegjësia do të jetë e tyre. Populli do të bëjë një manifestim historik në mbrojtje të Kushtetutës dhe kush janë puçistët që duan të përdhunojnë përfundimisht edhe reformën në drejtësi për të instaluar 'Rama-formën'. Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe dhe e kuqe flakë" tha ai.

I pyetur nëse është penduar për thirrjet në protestat e opozitës për të stopuar turmën e njerëzve që po i drejtoheshin Kuvendit, ai tha se "Jo, absolutisht. Kur dikush merr përsipër të drejtojë diçka ai duhet të marrë i pari përgjegjësinë edhe për gjithçka, në rastin konkret për rivendosjen e rendit kushtetuese unë përgjegjësinë nuk ia lë popullit, por e marr vetë i pari dhe përmes dekreteve kam të drejtë të rivendos rendin kushtetues në rast se parlamenti do të vijojë të thellohet në puçin e tij. Dhe përgjegjësinë e marr unë, për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe populli do të përgjigjet. Do i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqë institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura" tha ai.

Ora 21:15
'UDB-ja serbe do të më shkarkojë'! Meta tregon provat që ka për 'grushtin e shtetit'

Presidenti është shprehur se shkarkimi i tij synohet me porosi të UDB-së serbe, por ku bazohet Ilir Meta? "Patjetër, unë mendoj se derisa siguron hapësira pafund televizive që i dalin në mbrojtje këtij grushti shteti dhe sulmojnë në mënyrë rrugaçërore Presidentin për Kushtetutën dhe Kosovën për ato qëndrime që ka mbajtur duke penguar skenarët ogurzi që defaktorizojnë Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Për llogari të kujt shkon kjo?

Njerëzit kanë sytë hapur dhe do i kenë më shumë në ditët e ardhshme. Ju e dini që vazhdimisht ne jemi vigjilentë, të habitur nga guximi i marrë dhe i tepruar i këtij grupi që vepron në kushtet e pengmarrjes. Unë këtë e lidh me shumë projekte që në fund të ditës kanë të bëjnë me instalimin e grushtit të shtetit. Grushti është i disa formave, dhe ajo që ka bërë qeveria është që përmes uzurpimit të kompetencave të Presidentit ka arritur të kontrollojë të gjitha institucionet" tha ai.

Ora 21:10
Meta: Hapi i parë i grushtit të shtetit është uzurpimi i PS-së nga Rilindja

Ilir Meta shprehet se hapi i parë i grushtit të shtetit nga shumica socialiste ka qenë uzurpimi i Partisë Socialiste. "Rilindja, se për PS-në kam respekt, se ka bërë Kushtetutën në 1998. Dhe në fakt kam bërë gabim sot, se hapi i parë i grushtit të shtetit është uzurpimi i PS-së dhe vrasja e demokracisë në atë parti dhe ndjeja e përgjegjësisë para shtetit dhe shantazhimi i atyre njerëzve. Por nuk kanë cfarë të bëjnë se janë në presion të madh të shantazhit" tha ai.

Ora 21:05
'Do ta kishin paketuar e ambalazhuar për 24 orë'! Meta sulm dhe paralajmërim për ambasadorët?

Presidenti Ilir Meta sulmoi sërish ambasadorët e huaj në Shqipëri që kërkuan që fjalën e fundit për debatin për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ta thoshte Komisioni i Venecias. Kreu i shtetit shqiptar tha se nëse ambasadorja e Shqipërisë në Romë do të vinte në diskutim dekretin e Presidentit italian, do ta kishin paketuar e ambalazhuar dhe për 24 orë do ta kishin sjellë në Rinas. Megjithatë, thotë Meta, u ka thënë ambasadorëve se kërkesa për Venecian për të dhënë opinion mbi këtë debat është qesharake.

"Ambasadorët të gjithë thanë përpara dhe bënë gabim shumë të gabuar, dolën jashtë statusit të tyre diplomatik. Mendoni sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit italian, do ta kishin paketuar, ambalazhuar, sikur paketohen ato plaçkat, që sillen dhe për 24 orë do ta kishe në Rinas. E dyta mirë ata e bënë, dhe unë u thashë se nuk është kërkesë për Venecian se është qesharake, se e ka shkruar se ndërtohet në mënyrë të balancuar nga presidenti, që është i pari, parlamenti, demokratik jo si ky i joni dhe nga gjykata e lartë.

Dhe vetë Venecia ka thënë dhe radha do të përcaktohet në Kushtetutë dhe në ligj, sepse e ka thënë vetë Venecia. Sepse mund të ndodhë që Presidenti dhe shumica mund të jenë të një linje politike. Lëre se çfarë thonë socialistët, specialistët, jo socialistët, se socialistët janë seriozë, rilindasit. Dvorani ka bashkëpunëtorë të shumtë, se janë shumë, do të dalin edhe ndërkombëtarë për fat të keq në këtë tentativë për grusht shteti. Meqë e kërkuan ata e kërkova edhe unë, që të shikojnë se cfarë ka ndodhur. Kur unë të shkoj në seancën plenare në Venecia, që po më çon rilindja, ata do ta kenë më të qartë" tha Meta.

Ora 21:00
Kallëzimi i Gjonajt, Meta: 'Perla' që bëri ishte çmenduri, nxorën një alibi, por u zbuluan

Presidenti Ilir Meta u shpreh sonte në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv se me veprimet që ka bërë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe kupola e këtij dikasteri, që i kallëzoi kanë shkatërruar besimin te reforma në drejtësi. Meta e akuzon ministren e Drejtësisë dhe nëpunësit në varësi të saj se botuan në Fletoren Zyrtare duke shkelur ligjin renditjen dhe pikëzimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, që në fakt duhet të botohej vetëm në faqen e Gjykatës së Lartë.

"Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se në këtë vend kemi ende popullin shqiptar aq sa ka mbetur edhe pse i tretur nga shpopullimi edhe disa puçistë që kanë realizuar një grusht shteti, në mënyrë që anëtarët e Kushtetueses të jenë në standardet e Dvoranit, Artave dhe Etildave dhe atyre që për besnikëri të verbër apo pengmarrje të organizatës që po drejton Shqipërinë të shkelin ligjin, të falsifikojnë dokumentet në mënyrë të strukturuar dhe kriminale sikur u demonstrua qartë me provat e fundit, jo vetëm nga letërkëmbimi i kryetarit të KED-së dhe kryetarit të Kuvendit por ajo që ishte më e rëndë të fakteve të funksionimit të ministrisë së Drejtësisë. Këta kanë falsifikuar. Kushtetuta dhe ligji janë shumë të qartë, dhe drejtuesit e ministrisë së Drejtësisë janë garantë edhe për institucionet e tjera, të Ministrisë së Bujqësisë, pasi më parë kalon te Ministria e Drejtësisë nëse është në përputhje me ligjin. Këta kanë botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të një institucioni tjetër, të pavarur si KED, i cili e kishte botuar atje ku ia kishte caktuar ligji në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Duke bërë një botim të karakterit propagantistik, pa ia kërkuar askush. Ata nuk kanë bërë kërkesë zyrtare as nga vetë Dvorani, as nga Kuvendi, por pasi e kanë dërguar me një numër tjetër protokolli të më passhëm kanë marrë një letër nga sekretari i Kuvendit për ta përdorur ai alibi nëse do të zbulohej sikur është zbuluar.  Menduam ta denoncojmë ne, pasi jo vetëm thirrën kot komisionin e Venecias, por një ditë para se komisionit të vinte e miratuan ligjin e betimit te Lana për të kapur institucionin e Presidentit. Kjo përbën një ekzekutim të Kushtetutës së Shqipërisë. E bëjnë për të shuar cdo mundësi për ndryshime demokratike në vendin tonë. Kjo që kanë bërë ata është njëlloj si të regjistroj unë në hipotekë pronën tënde si pronën time dhe pasojat janë shumë të rënda. Kanë shkatërruar besimin te reforma në drejtësi. Kjo çmenduri është 'perla' më e madhe e zbatimit të reformës në drejtësi" tha ai.