TIRANE - Teksa radhit tetë hapat që sipas tij përbëjnë tentativat për krijimin e një grushti shteti nga mazhoranca, për të marrë të gjitha pushtet në dorë, Ilir Meta thotë se hapi i fundit që i ka mbetur është ta shkarkojnë si president. Shkarkimi sipas tij, do të vijë me porosi të UDB-së "për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër anti-kombëtar", siç ai shprehet. "Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat Pashë Tradhtari", thekson Meta teksa u bën thirrje qytetarëve që të dalin në tubim më 2 mars në orën 17:00 pranë Kryeministrisë kundër grushtit të shtetit. "Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!", përfundon Meta.

Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar me 8 pika atë që sipas tij është grusht shteti i organizuar nga mazhoranca. Zgjedhjet e 2017-ës i quan të vjedhura duke përmendur rastet në Dibër dhe Shijak që janë nën hetim nga prokuroria. Meta e bën mazhorancën përgjegjëse të daljes nga Kuvendi të opozitës dhe e quan të paligjshëm parlamentin aktual. Fakt tjetër për t'i dhënë formë grushtit të shtetit që ai synon, Meta përmend edhe rezolutën që rrëzoi dekrtetet e tij për shtyrje dhe datë të re të zgjedhjeve vendore te 30 qershorit që ai i quan të paligjshme. KÇK-ja merr gjithashtu kritikat e tij, të cilën e quan asgjësim të drejtësisë në mënyrë që të mos zbulohen sipas tij, korrupsionet e qeverisë. Anti-shpifja është hapi i gjashtë sipas Presidentit, që tregon se qeveria do të kapë edhe median.

Më kryesorja, e radhitur si hapi i shtatë nga Meta, është sipas tij procedura e ndjekur për emërimin e gjyqtarëve kushtetues, që megjithë ngërçin politik e institucional të krijuar, në përfundim në karrigen e gjyqtares në këtë institucion u ul Marsida Xhaferllari e zgjedhur nga Meta, dhe jo Arta Vorpsi. Meta akuzon edhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj si pjesë të grushtit të shtetit, pasi ka kërkuar botimin në Fletoren zyrtare të vendimit të pikëzimit të KED-së ku Arta Vorpsi radhitej e para, një vendim që në fakt nuk dha ndonjë ndikim në ndryshimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, Meta e mbyll me miratimin e ligjit që i heq presidentit kompetencën për organizimin e ceremonisë së betimit të gjyqtarëve të rinj kushtetues.

Statusi i plote i Ilir Metës

Hapi i parë
Vjedhja e zgjedhjeve të 2017-ës, duke përdorur çunat problematikë, sipas dosjeve 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, që lëvizin si top ping-pongu nga një zyrë e prokurorisë në tjetrën.
Përdorimi i Policisë së Shtetit në manipulimin e zgjedhjeve, siç rezulton në këto dosje, e frymëzuar edhe nga thirrja publike e Kryeministrit Edi Rama ndaj çdo polici për të bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Hapi i dytë
Kapja në mënyrë anti-kushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140 vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale të tyre, për të mbyllur çdo çështje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët e tyre, për ta përdorur si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë.

Hapi i tretë
Provokuan braktisjen e Parlamentit nga opozita dhe vrapuan për të zëvendësuar 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës, në mënyrë anti-kushtetuese e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Edhe sot pas një viti, Parlamenti është në gjendje të rëndë anti-kushtetuese (122 deputetë me letra nga 140 që kërkon Kushtetuta).

Hapi i katërt
Përmes Parlamentit monist miratuan Rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase e partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti deri aty sa rrëzoi edhe dekretet e Presidentit duke dhunuar haptas Kushtetutën.
Mosbotimi i dekretit të Presidentit për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare në kundërshtim me ligjin.
Organizuan zgjedhje të paligjshme njëpartiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe të 61 Bashkitë u bënë moniste, bashkë me Këshillat e tyre.

Hapi i pestë
Miratuan KÇK për të asgjësuar totalisht drejtësinë e për ta futur plotësisht në thundrën e qeverisë dhe të policisë, për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të Rilindjes, si dhe për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta.

Hapi i gjashtë
Për të kapur përfundimisht median dhe AMA-n, miratuan ligjin e ashtuquajtur “Anti-shpifje”, megjithëse Këshilli i Europës ishte totalisht kundër, aq sa u detyrua që po vetë ta çojë në Komisionin e Venecias.

Hapi i shtatë
Tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjithë institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Hapi i fundit
Miratimi anti-kushtetues i ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (pa pritur Komisionin e Venecias që e kërkuan vetë), për të futur si anëtarë të saj Dvoranët, Artat dhe Etildat e Rilindjes.
Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër anti-kombëtar.
Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat Pashë Tradhëtari.

Të dashur qytetarë,

Ju ftoj të gjithëve në 2 mars, në ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër grushtit të shtetit dhe mbrojtjes, jo vetëm të integritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, por të vetë shtetit tonë, kombit dhe interesit kombëtar.
Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!