Opozita më në fund ka folur se çfarë do të bëjë për protestën e 2 marsit duke u rreshtuar krah presidentit Meta, si qytetar në tubim. Basha tha se thirrja e presidentit është për të mbrojtur 'kushtetutë dhe drejtësinë që po kapet nga oligarkët dhe puçistët'. Sipas Bashës, tubimi i 2 marsit nuk është për partitë politike, por për qytetarët shqiptarë pasi demokracia është në rrezik  dhe institucionet po shkatërrohen çdo ditë. Pjesëmarrja e opozitës në tubim do të jetë si qytetarë të thjeshtë dhe një gjë të tillë e tha një ditë më parë edhe Monika Kryemadhi.

 'Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, krahas krizës ekonomike që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Si qytetarë, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik. Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën! Duhet ta kujtojmë gjithmonë se sovrani është populli. Dhe ushtrimi më i lartë i këtij pushteti është të largojmë me zgjedhje të lira e të ndershme këtë Qeveri të dështuar. Kudo ku shkoj dhe këdo që takoj, kërkesa kryesore e qytetarëve është të kenë një Qeveri të zgjedhur prej tyre dhe që kujdeset për ta, që i dëgjon dhe që është e ndershme me ta", shkruan Basha

Sipas tij opozita ka deklaruar vazhdimisht që Kushtetuta ka rënë dhe se ai po punon çdo ditë që të bëjë realitet ëndrrat e shqiptarëve.

'Unë dhe opozita kemi qenë dhe jemi fare të qartë: Kushtetuta ka rënë, asaj i ka mbetur vetëm kapaku! Prandaj na duhet një zgjidhje politike për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur. Për të zgjidhur krizën ku është futur vendi, për tu kthyer qeverisjen shqiptarëve, për tu kthyer bashkitë shqiptarëve, për tu kthyer ekonominë shqiptarëve, për të garantuar drejtësinë e pavarur nga politika, ka një zgjidhje demokratike: përfundimi në kohë i reformës zgjedhore dhe menjëherë mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme! Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po punon çdo ditë për këtë dhe me mbështetjen e qytetarëve ndryshimi do të bëhet realitet', shkruan Basha.

Në lidhje me tubimin e 2 marsit, më 19 shkurt presidenti thirri në takim kryedemokratin Lulzim Basha, që u zhvillua me tone të ashpra dhe Report Tv mësoi ekskluzivisht se i kishte kërkuar 10 mijë persona në shesh. Opozita hoqi dorë nga protesta duke u ulur në tavolinë me qeverinë  dhe opozitën parlamentare për reformën zgjedhore dhe për të 'justifikuar' pjesëmarrjen në tubimin e presidentit do të paraqiten si qytetarë të thjeshtë në mbrojtje të demokracisë në vend.