TIRANE-LSI ka nisur edhe zyrtarisht fushatën duke u bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestë krah Presidentit Ilir Meta në datë 2 mars në bulevard kundër qeverisë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama u shpreh sot se çdo alibi për tu fshehur pas virusit kinez apo pas krimovirusit të qeverisë, sikur e cilësoi ai, është shërbim për të fshehur dhe për t'i shërbyer antikushtetueshmërisë. Referuar kallëzimit që kreu i shtetit bëri në SPAK për ministren e Drejtësisë, ai tha se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion duhet të ndërhyjë.

"2 marsi është data që ndan shqiptarët që duan Atdheun përballë horrave që duke shkelur ligjin mendojnë të kapin edhe gjykatën kushtetuese. 2 marsi është apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkë jo përkrah Ilir Metës, por për të qenë bashkë në anën e kushtetutës dhe për të mbrojtur legjitimitetin dhe për të kthyer integritetin. Çdo alibi për tu fshehur pas koronaviorusit apo pas krimovirusit të qeverisë është shërbim për të fshehur dhe për t'i shërbyer antikushtetueshmërisë.

SPAK duhet të ndërhyjë menjëherë sipas kodit të procedurës penale për të ndaluar veprimin e keqbërësve kudo që gjenden në KED apo Ministrinë e Drejtësisë, në kuvend apo në qeveri në mënyrë që duke vepruar me forcën e ligjit të parandalojnë thellimin e mëtejshëm dhe të zbardhen të vërtetat e puçit kushtetues në përpjekje për të dhunuar kushtetutën dhe rrëzuar republikën" deklaroi ai.

Deklarata e plote e zëvendëskryetarit të LSI, Luan Rama
Denoncimi i vazhdueshëm i shkeljeve sistematike dhe të njëpasnjëshme në bashkëpunim i përfaqësuesve të niveleve të ndryshme të qeverisë, në përpjekje për të marrë në mënyrë antikushtetuese kompetencat e intitucioneve dhe autoriteteve të tjera kushtetuese, siç është në rastin konkret përpjekja për të marrë me dhunë dhe në kundërshtim me Kushtetutën kompetencat e Presidentit të Republikës, është dëshmia më e qartë dhe shfaqja më alarmante e antikushtetutshmërisë dhe e panikut në të cilën vepron grupi i strukturuar i keqbërësve në qeveri në dhunim të Kushtetutës. 

Në këto kushte, jo për të bërë presion, po për të bërë apel që organet e zbatimit të ligjit, dhe në mënyrë të veçantë, organet e SPAK-ut, duhet të ndërhyjnë menjëherë sipas urdhëresave që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale, për të ndaluar veprimin e mëtejshëm të keqbërësve kudo që ata gjenden, në KED apo në MD, pra në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo në Ministrinë e Drejtësisë, në Kuvend apo në qeveri, në mënyrë që duke vepruar me forcën e ligjit, të parandalohet thellimi i mëtejshëm i të gjithë funksionarëve të këtyre institucioneve në shkelje të ligjit.
Ndërkaq, nga an tjetër, duhet të zbardhet e vërteta e puçit kushtetues, në përpjekje për të rrëzuar Republikën. 

Në këtë kontekst, veprimi i menjëhershëm i SPAK-ut, është imperativë për të vendosur autoritetin e ligjit pikë së pari; për të ndërshkuar keqbërësit pikë së dyti; dhe ajo çfarë është e rëndësishme, për të treguar integritet dhe paanësi në zbatimin e ligjit, ç’ka do të bënte që SPAK-u te jepte përmes shembullit konkret, mesazhin e parë tek qytetarët shqiptar të cilët mund dhe duhet të kenë besim tek reforma në drejtësi dhe tek institucionet e reja të qeverisjes së drejtësisë. 

Por ndërkaq, çdo përpjekje për të krijuar alibi apo çdo alibi për t’u fshehur pas coronavirusit apo pas krimovirusit të qeverisë, është në thelb shërbim për antikushtetuetshmërinë, është shërbim ndaj atyre që kanë shkelur kushtetutën.

Prandaj, data 2 mars është data që ndan shqiptarët që duan Shqipërinë, shqiptarët që duan atdheun, shqiptarët që respektojnë dhe nderojnë Kushtetutën, përballë çetës së horrave dhe fallsifikatorëve, që duke shkelur ligjin mendojnë të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese, për t’ia kundërvënë pastaj këtë institucion për interesat e tyre kriminale, interesave europiane të vendit.
Data 2 mars është datë apel për të gjithë qytetarët shqiptarë për të qenë të gjithë bashkë, në anën e Republikës, për të qenë bashkë në anën e Kushtetutës.