Brenda pak ditësh çmimi i naftës me pakicë në disa pika karburantesh në Tiranë është rritur dy herë. Rritja justifikohet me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Këtë të premte një litër naftë po kushton deri 184 lekë, e po kaq edhe benzina. Ndërsa në disa kompani të tjera, nga 175 lekë litri një ditë më parë, sot një litër po shitet me 182 lekë.

Por pse ky shtrenjtim i menjëhershëm?
Për ekspertët, kjo lëvizje e shpejtë tregon qartë abuzimin pasi kompanitë e naftës duhet të kenë rezervat, që nuk të lejojnë një shtrenjtim të menjëhershëm pasi janë blerë më lirë.
Shoqata e Hidrokarbureve sqaron për Report TV, se çmimi i naftës caktohet me vlerat e ditës së bursës. Sipas tyre importuesit e blejnë në bursë naftën, e sjellin dhe e mbyllin në magazinat e tyre doganore pa e zhdoganuar, dhe ditën që e hedhin në treg i caktojnë çmimin që ka bursa. Kjo praktikë shtrenjton automatikisht edhe çmimin e naftës me pakicë për konsumatorët.
Zgjidhjen për këtë situatë bizneset e shohin tek ulja e taksave për karburantin përkohësisht. Në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa, akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit, që finale janë 103.8 lekë për litër është taksa.
Ky shtrenjtim i naftës vjen në një kohë, kur kompanitë kanë më shumë se 1 vit që nuk reflektojnë në treg asnjë ndryshim si rezultat i zhvlerësimit të dollarit. Monedha amerikane, me të cilën importohet nafta, është zhvlerësuar me të paktën 10% në 12 muajt e fundit.
Por a duhet të ndërhyjë shteti në këto momente, siç ndodhi në Kosovë, ku u vendos tavan për çmimin e naftës, dhe rritjen do ta mbulojë shteti?!
Report TV mëson se edhe qeveria shqiptare është vënë në lëvizje pasi ka mbledhur para dy ditësh në një takim kompanitë e këtij sektori për situatën e krijuar. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura mes disa ministrive dhe përfaqësuesve të sektorit, për të diskutuar mbi ndikimin që lufta mund të ketë edhe në tregun shqiptar. Deri më tani nuk ka një vendimmarrje nëse do të ndërhyjë apo për formulën e ndërhyrjes në treg.
Në një situatë të ngjashme, në vitin 2022, qeveri ngriti Bordin e Transparencës që caktonte çmimet dhe fitimet e kompanive, e që pavarësisht se u dërgua në Kushtetuese nga opozita, përsëri mbeti në fuqi si i ‘ligjshëm’.
Çmimi i naftës bruto në bursë, kulmoi deri 89 dollarë fuçia, nga 72 dollarë fuçia më 27 shkurt, kur ende Izraeli dhe SHBA-të nuk kishin nisur sulmin ndaj Iranit.
Qeveria shqiptare deri më tani nuk ka dalë me ndonjë vendim apo njoftim nëse do të marrë masa për tregun e karburanteve. Shumë shohin si zgjidhje një ulje të përkohshme të taksave, por të tjerë gjykojnë se duhet të rikthehet Bordi i Transparencës si në vitin 2022.
“Bordi i Transparencës, nuk është se jepte ndonjë efekt konkret. Përkundrazi, në shumë raste kur ishte tendenca për t'u rritur çmimi mblidheshin menjëherë, kur ishte tendenca për t'u ulur çmimi e vononin, e shtynin e të tjerë. Ndërsa tek pjesa e prekjes së taksave është debat i madh edhe ka vite që diskutohet në Shqipëri, por nuk është nuk është kaq e thjeshtë. A është në gjendje shteti që ta zëvendësojë këtë reduktim takse?”, thotë eksperti Klodian Muço.
“Unë mendoj që edhe mund të preken taksat edhe pse e është vështirë sepse në qoftë se ti rishikon taksat kryesore menjëherë ti të ke me dhjetëra milionë euro që do t'i mungonin buxhetit të shtetit dhe ne nuk jemi në një moment sot që mund t'ia lejojmë vetes këtë lloj mungese”, thotë Çoçoli.
Por ekspertët theksojnë se situata aktuale është më e menaxhueshme se rasti me Ukrainën.
“Skenari më pesimist që kam në mendje është që konflikti të vazhdojë më shumë sesa parashikimi i vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë parashikimet e të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë flasin që mund të shkojë edhe 10% rritja e çmimit mesatar të naftës”, thotë Çoçoli.
Rritja e çmimit të karburantit 2-herë brenda pak ditësh, me argumentin e luftës në Lindjen e Mesme, për ekspertin Fatos Çoçoli, është hapur një abuzim.
“Ajo naftë që u shtrenjtua, nuk u prit as pesë ditë nga konflikti, nuk ishte naftë që erdhi me çmimin më të lartë nga tregu. Nuk ishte një naftë që vjen dhe brenda 24 ore shkon tek pompat e pikave me pakicë. Ajo naftë ka javë që qëndron në Shqipëri dhe është blerë me një çmim të dukshëm më të ulët sesa ky çmim i sotëm për shkak të luftës në Iran”, thotë Çoçoli në Report Tv.
Kurse eksperti i ekonomisë Klodian Muço, thotë se këto janë pasojat e shkatërrimit të rafinerive të naftës që i kishim në Shqipëri në vitet 90’.
“Në qoftë se situata do vazhdojë, patjetër që Shqipëria nuk ka sesi si të evitojë. Për fat të keq ne jemi një vend që importojmë 100% të naftën e përpunuar. Pra, për fat të keq neve dhe pse pas në të kaluarën para viteve 90 kishim disa rafineri aktive tashmë i kemi çuar për skrap dhe në të tilla kushte bëjnë që ne jemi të ekspozuar 100% nga çmimet e bursës”, shprehet Muço.
Eksperti Çoçoli kërkon që inspektoratet të ndërhyjnë pasi në tregun e hidrokarbureve s’ka transparencë.
“Tregu i hidrokarbureve është në një pozicion në gjykimin tim të kartelit. Kartel është një marrëveshje e fshehtë. Mjafton të shikojmë tregun e ngjashëm në vendet shumë të ngjashme për nga fuqia blerëse me ne, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, ne shikojmë që atje çmimi i pakicës lëviz ndjeshëm nga një operator që shet me pakicë në një tjetër. Këtu tek ne çmimi i pakicës është shumë i ngurtë”, thotë Çoçoli.
Por a rrezikon Shqipëria të futet në krizë çmimesh siç kur nisi lufta në Ukrainë?
“Nuk jemi në situatën e shkurtit të 2022-it. Pra, e para Irani nuk është Ukraina që ishte prodhuesja dhe eksportuesja e tretë në botë e drithit. Irani nuk është Ukraina që ishte prodhuesja dhe eksportuesja e katër. Vërtetë aty është një damar shumë i ndjeshëm. Por vetëm për karburantet. Kuptohet që në qoftë se rriten karburantet rriten menjëherë edhe të tjerat, por ama nuk jemi në një situatë që zinxhiri i furnizimit i lëndëve kryesore të preket dhe rritet ndjeshëm”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.
Komente









Lajm fantastik per te blere makina elektrike. Si Wolkswagen ID3 apo 4 apo BYD seagull etj me 2/3 € ne jave leviz gjithe kohes punë shtepi! Ekonomia eshte fluide leviz shpejt ! Makinat elektrike mesa duket po futen ne treg fuqishem!
PërgjigjuPse mi non paskemi qeveri edhe un se paskam mor vesh. Qyqa mi non hata e madhe qeveria jon. Pu pu pu... Ah medet o Shqiperi ku ishe ku je e ku do te jesh...
PërgjigjuDeri sa jemi shteti me çmimin më të lartë të karduranteve në rajon tregon HAJDUTËRI,BABUZI dhe krim....
PërgjigjuEsperti thote QE do i mungojne leket buxhetti te shtetit po hoqe akcizen pyetja esht po çmimin Fundor QE paguan consumatori kush e .kompenson apo hajd ta rrjepim.popullin Çmenduri vendi 10 ne bote per çmimin e naftes ne bote esht shqipria
Përgjigju