Ekskluzive/ Ramize Gjebrea, letra e
panjohur e Nako Spiros për Enverin

Ekskluzive/ Ramize Gjebrea, letra e<br />panjohur e Nako Spiros për Enverin
Për botën tani unë do të jem “përgjegjësi”, për shokët, “i tradhëtuari i madh”, për veten “një burrë i vogël me një dhimbje të madhe…
Kjo letër pa datë, me shkrimin e Nako Spiros, që duket se është shkruar fill pas pushkatimit të Ramize Gjebresë, rrëfen dëshpërimin e një burri me pikpamje krejt liberale dhe revoltën e tij pas vendimit për të pushkatuar të “fejuarën e tij” me akuzën për “imoralitet”.

Nako Spiro ka marrë një “letër pa datë” siç e cilëson ai nga shokët e Komitetit Qëndor ku njoftohet për “gjëmën”. Dhe ai iu shkruan një përgjigje, pa doreza, me një hyrje tejet të shkurtër duke kaluar direkt tek “çështja Ramize”,dhe e dënon ashpër këtë vendim.
“Dënimi ndaj Ramizesë  është një grusht i randë për mue… nuk e aprovoj!”  “…Nuk kam asnjë mëni, asnjë urrejtje për Ramizen. Ja fal plotësisht gabimin karshi meje…  Nuk gëzohem aspak (nuk ndjej satisfaksjon personal) për dënimin që i u dha ose pose çdo dënim tjetër – ma të drejtë – qi mund t’i jepesh; përkundrazi hidhërohem, ndjej nji dhimbje të tjellë….”
 
Siç dëshmon ky dokument, deri në këtë çast Nako Spiro nuk ishte njoftuar për asnjë lëvizje. Ai nuk dinte asgjë për ato raporte mbushur me spiunime mbi tradhëtinë e Ramizesë dhe lidhjen e saj më Zahon, (një prej këtyre raporteve, plot detaje intime i ishte dërguar që në mes të shkurtit edhe shoqes së tij dhe bashkëpunëtores së afërt me të cilën shihej çdo dite, Nexhmije Xhuglinit, por ajo siç thotë në një letër të 4 prillit 1944, pas kësaj revolte të Nakos “s’kish pasur guxim t’ia thoshte, pse ai do të tronditej shumë nga ajo tradhëti…”). Siç dëshmon kjo letër Nako Spiro nuk dinte asgjë për arrestimin e Ramizesë, për procesin gjyqësor dhe përballjen e saj me akuzat dhe pretendimet e Zaho Kokës në gjyq. Ai nuk dinte asgjë as për vendimin dhe më pas pushkatimin e saj… Kjo deri në momentin kur i mbërrin kjo letër ‘pa datë’ nga shokët e Komitetit Qëndror, fakt që ai e përmend që në krye të letrës së tij për Hoxhën.

Edhe pse pa datë dhe vend të përcaktuar, mendohet se kjo letër e Spirosh duhet të jetë shkruar në fund të marsit, mbase dy javë pas pushkatimit të Ramizesë. Kjo zbulohet nga letra që pason letrën e tij, dërguar atij nga Enver Hoxha, ku ky i fundit dënon këtë ngjarje me një zell të madh, që në fillim të letrës së tij dhe ngushëllon Nakon, por pa harruar t’i theksojë atij pak rrehsta më poshtë se kjo ngjarje duhet ta forcojë atë dhe e porosit që çështja e Ramizesë të heshtet, pra të mos diskutohet në konferenca…. Hoxha e këshillon Nakon: “Ti shko përpara në punë dhe në jetë si një komunist i vërtet dhe si një udhëheqës”. Dhe në fund si postscriptum, ai bën një shaka bajate, që nuk i shkon tronditjes së Spiros,  një shaka për një nga shokët e Komitetit Qëndror që e thërrasin “Halim”. “Halimin se kemi këtu, ka shkue të rregullojë dhëmbët se i kanë rënë fare, kur them fare, fare; dhe është bërë si ata kuejt pleq”.

Me këtë frazë e mbyll Hoxha letrën e tij, pas gjithë paragrafëve me mbështetje morale e keqardhje për humbjen e ‘shoqes’… Ai ia delegon fajin Xhakes (Ramadan Xhangolli), i cili sipas tij ka mbajtur qëndrim të gabuar dhe e ka dënuar ashpër shoqen në vend që ti jepte dorën.
Kemi zgjedhur ti botojmë bashkë këto dy letra për shumë arsye që përmendëm më lart, por mbi të gjitha për të përballur këto dy personazhe, Hoxhën që nga Lufta doli triumfatori e në sistemin e  ri që ndërtoi vetë u ngjit në pozicionin e 1-it dhe Nako Spiron, “trurin” e Luftës Nacional Çlirimtare, por që shumë shpejt pas luftës iku nga kjo jetë në rrethanat misterioze të një vetvrasjeje.

Letra e Nako Spiros
 
Të dashur shokë – Halim, Taras
 
Nga letra juaj e fundit – edhe ajo pa datë, sikundër kish qen edhe e jemja – morra vesht çeshtjen e Ramizes.
Ja qëndrimi i jem. Nuk kam asnjë mëni, asnjë urrejtje për Ramizen. Ja fal plotësisht gabimin karshi meje (asaj që i thojn tradhti karshi shokut). Nuk gëzohem aspak (nuk ndjej satisfaksjon personal) për dënimin që i u dha ose pose çdo dënim tjetër – ma të drejtë – qi mund t’i jepesh; përkundrazi hidhërohem, ndjej nji dhimbje të tjellë.
Por Ramizeja ka bâ nji gabim të madh sidomos karshi punës që kish – kish përgjegjsi të madhe, duhet të jepte shembullin e mirë. Ndërhymja nga ana e jonë ishte e domosdoshme. Por ndêrhymja nuk justifikon vendimin e gjygjit. Dënimi i dhanun nuk âsht në proporcjon me fajin, âsht shumë i randë, prandaj nuk âsht i drejtë. Un nuk e aprovoj.
Kam për të bâ nji vrejtje. Shokët do e ken marr këtë vendim mbasi puna kish marr erë, kështu mendoni ju, kështu supozoj edhe un. Por shokët duhet të ndërhyshin ma parë. Nga letra e Xhakos kuptova se ata s’kishin bâ asnjë ndërhyrje ma parë, me gjith se kishin dijeni (pa tjetër duhet të kishin, mbasi, si thojn ata, puna morri erë). Kjo më shtërngon të baj një konstatim të hidhët: ka tendencë qi shokët në vend qi të kujdesohen me të dhan dorën në minutin e duhun, presin minutin e fundit, kur asht shumë zor me të dhan dorën, dhe atëhere të japin shkelmin.

Un mendoj gjithashtu se shokët e gjygjit – Xhako sidomos – janë shpejtue për këtë vendim mbasi kishte – “nji shok të trathtuem, dhe i trathtuemi ishe un”. Ky asht nji konsideracjon i gabuem dhe prapanik.
Si gabimi i Ramizes si ai i gjygjit tregojn se në radhët t’ona akoma nuk âsht mrrit pjekunija moral e duhun. Jemi tue vue në zbatim direktivat t’ueja mbi këtë pikë. Por neve këtu e kuptojm se nuk duhet me u dëshpru d.m.th. me e humb toruan kur ngjasin të tilla gjëra, mbasi shoqnija e jonë (në Shqipni) âsht shumë mbrapa. Puna e shumë-anëshme e Partis t’onë, lufta, puna politike, edukata, puna në masë, naltsimi teorik i kuadrove, përparimi i botës përgjithësisht dhe koha, do munden me i shërue ma së miri kto plagë. Por kjo nuk mund të bëhet për një ditë. Me gjith atë rizultate të mira janë arrijt qi tashti në këte fushë.

Të kthehemi ke Ramizeja. T’a përcaktoj me një aforizëm pozitën t’eme. Për botën (mbasi këte punë ka për t’a marr vesht edhe dreqi) un tani do jem nji “chef de gare” (përgjegjësi), për shokët “le grand trahit”  (i tradhëtuari i madh) dhe për veten t’eme “un petit homme avec une grande douleur” (një burrë i vogël me një dhimbje të madhe).
Të mos harrojm se Bota do shofi edhe gjishtin t’em në marrjen e kti vendimi, si hakmarrje. Kjo gjë ka qen për mue nji grusht shumë i randë (si sjellja e Ramizes, si vendimi i gjygjit dhe sidomos vendimi – un nuk do kisha asnjë kundërshtim që ajo të ndahesh nga un). Por un nuk do përkulem dhe do mundohem t’a smadhoj kontributim t’em të vogël qi i jap Partis – do mundohem me të gjitha forcat e mija dhe do e bâj.
Por tani s’âsht koha për konsideracjone qi mund të degjenerojn në sentimentalizëm. Të vdekmit nuk mund t’i ngjallim. Prandaj i vem pikë ksaj ngjarje të hidhët –
 
A.Q.SH./ Fondi 14/ Dosja 72/ Viti 1944

letra e nakos
letra e nakos
(Në foto: Letra e Nako Spiros për Enver Hoxhën)


 
Letra e Enverit për Nakon
“S’është nevoja që në konferenca të theksohet çështja e Ramizesë”
 
Enveri: Hidhërimin që ndjen ti me pushkatimin e Ramizes e ndjejmë që të gjithë neve shokët e tu e të asaj
 
Enveri: Shokët kanë goditur rëndë dhe s’kanë tentua ti jepnin dorën asaj shoqe dhe ta ngrinin në vend që ti jepnin shqelmin

I dashuri shok Nako,
Atë hidhërim që ndjen ti me pushkatimin e Ramizes e ndjejmë që të gjithë neve shokët e tu e të asaj, por jemi të bindur se ky hidhërim nuk do të të mposhtij pse të njohim. Letra që më shkruaje mua dhe Halimit na i forcoj këtë besim pse e dimë që në momente të vështira, qofshin për punën qofshin për çështjet personale, ti do të jeç kurdoherë nga ata shokë udhëheqës që do të kapërxeç ç’do pengesë. Jemi dakord me të gjitha sa na shkruan në letrë dhe na gëzon pa masë qëndrimi i yt shumë i drejtë e komunist qoftë karshi Ramizes qoftë karshi dënimit që i është dhënë.

Me të vërtet shokët kanë goditur rëndë dhe s’kanë tentua ti jepnin dorën asaj shoqe dhe ta ngrinin në vend që ti jepnin shqelmin. Të gjithë shokët e veçanërisht shoku Xhako, në këtë çështje kanë gabuar. Shoku Xhako, duhesh ta shpëtonte atë shoqe, por as në mendimet dhe as në vendimet e tij s’ka qenë i drejtë. Në raportin e tij që bën, jo vetëm që nuk shohim nga ana e tij as më të vogëlën tentativë që ta këshillojë e ti tregojë rrugën e mirë por ka guximin të thotë se e ka bërë këtë gjë pse ka pas frikë se mos e vrisnin.

Nuk është nevoja, shoku Nako, që në konferenca të theksohet çështja e Ramizes, por të flitet në përgjithësi dhe s’duhet të ndalesh shumë nër “ç’do të thonë bota për ty ose për vendimin që është marë kundër saj; dua të them për sa na shkruaje në letrë ku na përcaktoje pozitën tënde në kë çështje. Ty shko përpara në punë dhe në jetë si një komunist i vërtet dhe si një udhëheqës.
Të përqafoj
Taras

 
Më 4 Prill 1944
 
Halimin se kemi këtu, ka shkue të rregullojë dhëmbët se i kanë rënë fare, kur them fare, fare; dhe është bërë si ata kuejt pleq.
 
A.Q.SH./ Fondi 14/ Dosja 72/ Viti 1944

letra e enverit
(Në foto: Letra e Enver Hoxhës për Nako spiron)


Lexoni me shume:
Ditari i Ramizes i mbajtur në luftë
 Letrat e spiunëve që e çuan në pushkatim
Shtatët burra e çuan në pushkatim
Letra që e spiunoi tek Nexhmije Hoxha
Si e shiti Zaho Koka Ramize Gjebrenë

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare