Raporti sekret: Xhaferllari e përfshirë në korrupsion kur ishte gjyqtare. Por KED e lejoi të kandidonte për Kushtetuesen

Raporti sekret: Xhaferllari e përfshirë në korrupsion kur ishte gjyqtare. Por KED e lejoi të kandidonte për Kushtetuesen

TIRANË - Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, përmes një raporti sekret për llogari të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka konstatuar se kandidatja për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, sot e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta, është përfshirë në veprime korruptive.

Sipas raportit për Marsida Xhaferllarin, ngihen dyshime se në vitet 2001-2002, ka favorizuar një palë nën hetim kundrejt përfitimit financiar. Gjatë kësaj periudhe kandidatja rezulton se ka qenë gjyqtare. Konstatimi i DSIK për Xhaferallin, e cila ishte në të njëjtën kohë edhe kandidate për Inspektore e Lartë e Drejtësisë, reflektohet në vendimin e KED të datës 10 shtator 2019, për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidates Xhaferllari për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Presidenti Ilir Meta në 4 mars 2019.

“Në përfundim të procedurave të verifikimit të znj. Marsida Xhaferllari, kandidate për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, nga organet kompetente disponohen të dhëna të viteve 2001-2002 ku ngrihen dyshime për përfshirje në veprime korruptive duke favorizuar palën nën hetim kundrejt përfitimit financiar”, thuhet në raportin sekret të DSIK të datës 6 qershor 2019.

Ndërkaq, KED, në 25 korrik 2019, i është drejtuar DSIK më një shkresë, duke i kërkuar një informacion më të plotë dhe më të zgjeruar në lidhje me të dhënat e klasifikuara, mbi të cilat është mbështetur konkluzioni mbi znj. Xhaferllari. Në 1 gusht të 2019, DSIK i ka referuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të dhënat rreth veprimeve abuzive të Marsida Xhaferllari.

Një javë më pas, pavarësisht këtij raporti dhe të dhënave shtesë, KED mori vendimin, mes polemikash dhe përplasjesh, që Marsida Xhaferllari të lejohet që të kandidojë për në Gjykatën Kushtetuese, me motivin se Këshillit nuk i janë përcjellë të dhëna të mëtejshme për natyrën e veprimeve dhe kontakteve të papërshtatshme të kandidates. Megjithatë, për shkak të përplasjeve, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rezultojnë se janë ndarë sa i takon vlerësimit të znj. Xhaferllari për kriterit moral.

Disa anëtarë e kanë vlerësuar Xhaferllarin për këtë kriter me zero pikë, duke vlerësuar si të besueshëm raportin e DSIK. Por, disa anëtarë të tjerë e kanë vlerësuar kandidaten me pikët maksimale, duke e hedhur poshtë si të pasaktë dhe të pa provueshëm raportin e DSIK. Si pasojë, Marsida Xhaferllari është renditur e fundit me pikë në listën me katër kandidatura që KED i ka dërguar Presidentit Ilir Meta, për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Vetingu dhe dyshimet për Xhaferllarin

Komisioni i Vetingut nuk mundi të marrë një vendim për vlerësimin e Marsida Xhaferllarin. Në muajin mars të këtij viti, trupa gjykuese pranë KPK, me shumicë votash, vendosi të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit Marsida Xhaferllari, pa një vendim përfundimtar për çështjen, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë e pamundur. Xhaferllari ka vendosur ta ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit këtë vendim, pasi sipas saj, ajo është subjekt i ligjit të Vetingut. Megjithatë, gjatë procesit të Vetingut, vëzhguesit ndërkombëtar ngritën disa çështje mbi profesionalizmin dhe Xhaferllarit në rolin Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë procesit, u konstatuan zvarritje dhe qëndrimet kontradiktore të Inspektoratit në lidhje me vlerësimin e gjyqtarëve. Xhaferllari kundërshtoi gjetjen për qëndrime kontradiktore në vlerësimin e gjykatësve, ndërsa tha se Inspektoriati nuk kishte marrë asnjë vërejtje deri në atë moment.

Karriera

Marsida Xhaferllari ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2013 dhe deri kur u shkri KLD në fund të vitit 2018, Xhaferllari ka mbajtur postin e Kryeinspektores në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa kishte si detyrë ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar. Bilanci i KLD për realizimin e kësaj detyre është katastrofik. Siç e provoi Vetingu, mbi 60 % të gjyqtarëve ishin të korruptuar, por Inspektorati i KLD u kthyer në mburojë e gjyqtarëve abuzivë.

 

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja