Ditën e fillimit të rebelimit antiqeveritar, më datën 19.11.1926, nënprefekti Lin Delia bashkë me Rrethkomandantin e Xhandarmërisë dhe nëpunësit e tjerë, duke mos qenë në gjendje t’u bënin qëndresë u detyruan të largoheshin pasi u lanë të lirë nga kryengritësit. Ata ia mbathën pa zë rrugës së Prekalit për në Shkodër. ”Dom Lazer Shantoja në ditarin e vet shkruan se në mëngjesin e 20 nëntorit, pas largimit të autoriteteve qeveritare nga qendra e nënprefekturës u mblodhën rreth 700-800 veta”. Vet komanda e zonës se veriut e çmonte numrin e kryengritësve malësorë, deri në 1000 vetë nga të cilët 400 prej tyre ishin të armatosur. Kolë Binaku ishte një patriot dhe fanolistët më të spikatur të Dukagjinit të kohës vet, mik që u flijua në fushën e luftimit gjatë sulmit të kryengritësve të Dukagjini mbi Postkomandën e Mesit, natën e 22 nëntorit 1926. U shquan ndër gjithë të tjerët Mark Nikë Ula nga Shoshi dhe Kolë Binaku nga Shala në sulmin mbi postën e Mesit të cilët ne mënyrë spektakolare kapërcyen rrethimin e filluan te lëshonin bomba duke mbledhur tmerr, panik dhe vdekje. Kapiteni xhandarmerisë Fiqiri Dine i kërkoi ndihme Mark Milanit dhe Kapiten Vas Kirit duke bërtitur fort:
- “Në dorën tuaj e të Zotit o burrat e Malësisë! Qafa shtrirë nuk pritet, ndaj e morën në besë tyre së bashku me efektivin e postës” (Camillo Libardi.”Si u Bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu”, fq 86.) Gjithashtu në kujtime te tij historike Kolonel Faik Quku, ish oficer i Ushtrisë Kombtare, na rrëfen disa detaje interesante të papublikuara më pare për këtë ngjarje:
…Në anën tjetër, posta e xhandarmërisë, me 3-4 vetë të parisë së Shkodrës dhe Zv/Komandantin e Xhadarmarisë, Fiqiri Dinen, vazhdojnë qendresën. Më në fund fillojnë bisedimet për dorzimin e tyre. Merret vesh se brenda janë disa nga paria e Shkodrës. Ndalet pushka dhe vendoset me i përcjellë të gjithë në Shkodër. Në këtë kohë një xhandar gjuan e vret nga brenda portës djalin e Vojvodës së Shalës( Kolë Binakun) që gjendej përpara portës. Ky i fundit duke thirrë “më prenë në besë”. Malësorët ndahen në dysh, pro dhe kundër. Atëhere Babun Celi burrë me autoritet, hidhen në mes e deklaron:
”Këtu janë paria e Shkodrës. Ata që kanë të bajnë me ta, kanë të bajnë me mue”. Kështu fashitet ngjarja dhe paria bashkë me xhandarët dhe Fiqiri Dinën shkuan në Shkodër. Kolë Binaku nuk mbeti i vdekur në vend por ashtu i plagosur u mor nga shokët e tij dhe vdiq gjatë rrugës për në Shalë. Gjatë ndeshjes së ashpër për marrjen e Postëkomandës së xhandarmërisë te Ura e Mesit “prej forcave qeveritare pati 17 të vdekur, ndër të cilët një kapiten prej Dibre dhe 15 të varruam. Gjatë konfrontimit të ashpër mes të dy palëve u plagos edhe prijësi i kryengritësve Ndokë Gjelosh (Zef Harapi “Dukagjini në dokumente historike, fq 218), gjë e cila krijoi pështjellim, ngadalësim dhe mungesë sinkronizimi në marrjen e vendimit të mëtejshëm në radhët e drejtuesve të tjerë popullorë. Në telegramin që i dërgonte Ministrisë së Brendshme me datën 23 nëntor komandant i zonës së veriut, zotni Ohri njoftonte se: “Fuqia e armatosur ishte 150 veta me pushkë dhe 400 të tjerë të pa pushkë. Ndokë Gjeloshi është plagosë keq në gojë dhe kraharor”.
”-Sikur Ndokë Gjeloshi të mos ishte plagos tek Çuka e Urës së Mesit- shkruan Kolonel Faik Quku,- revolucionarët do të kishin hyrë në Shkodër dhe fati i Shqipërisë mund të kishte ndryshue krejt. Shkodrën e kishte kapur hija e vdekjes, “prej Shtojt pushka vlonte, të varruem ktheheshin nëpër kamionë prej ballit të luftës, pak vullnetarë niseshin përpjetë, qeveritarët n’atë ditë kishin ba gati teshat me ikë prej Shkodre”. Në vijim të idesë se Kolonel Qukut, kryengritësit u sollën më shumë dinjitet duke manifestuar fisnikëri, besë dhe naivitet foshnjarak në lirimin pa asnjë kusht të autoriteteve lokale, të cilat duhej t’i mbanin jo për t’i ndëshkuar, por si garanci për vetëmbrojte, dhe të mos dekonspiroheshin si kryengritës gjysmë të armatosur, ndërkohë kur autoritetet e Shkodrës i kishte kapë tmerri dhe paniku i jashtëzakonshëm dhe ishin gati në dy mendje të qëndronin apo t’ia mbathnin, pasi ishte hapur lajmi se drejt Shkodrës po marshonte një ushtri e rregullt jugosllave e mbështetur nga mijëra dukagjinas. Në këtë agoni të trishtë mbërrijnë në Shkodër forcat e çarmatosura të postëkomandës së Mesit.
(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print) më e diel, 30 qershor 2013)
(ar.sh/shqiptarja.com)