Ekskluzive/Suedi - Ju prezantoj
me John, babain me leje lindje 

Ekskluzive/Suedi - Ju prezantoj<br />me John, babain me leje lindje 
Një baba duke shtyrë karrocën me një fëmijë të vogël, padyshim që nuk është një pamje e rrallë askund, edhe në Shqipëri. Por kur takova John Pelling, gazetarin suedez që jeton në Stockholm i cili quhet një “stay at home dad”, (baba që rri në shtëpi) pra baba me “leje lindje” (megjithëse në Suedi quhet leje prindërore) nuk e mohoj që isha shumë kurioze. Edhe ligji shqiptar gjithashtu parashikon që babai të mund të marrë leje kur bëhet me fëmijë sipas ndryshimeve që janë miratuar në kodin e punës në prill të vitit të kaluar, por deri më tani nuk ka ndonjë baba në Shqipëri që të ketë lënë punën për disa muaj e të kujdeset full-time (me kohë të plotë) për fëmijën e tij.

Madje për shumë burra shqiptarë kjo është ende e paimagjinueshme.
John është vetë gazetar e nuk i bën përshtypje fare që është rrethuar nga grup gazetarësh të huaj ndërsa jemi ulur të bisedojmë në një kafene në periferi të Stockholmit, por Sid, djali i tij 18 muajsh çoroditet nga aq shumë vëmendje dhe një grup grash (thuajse të gjitha me fëmijë) që magjepsen pas syve të tij blu.

bebi suedi

Në Suedi, baballarët që marrin lejen, nuk janë ndonjë fenomen i ri. Vendi nordik u bë në vitin 1974, i pari në botë që zëvendësoi lejen e lindjes me lejen prindërore duke i dhënë mundësinë që të dy prindërve të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Për shumë ky ishte një sinjal i qartë nga shteti se burrat dhe gratë duhet të kenë të njëjtin status si prindër dhe se jo vetëm njëra gjini duhej të merrte përgjigjegjësinë më të madhe.
 
“I lumtur që mund të njoh më mirë fëmijën tim”
Vetë John thotë se avantazhi më i madh që i jep të qënit në shtëpi me djalin, është se ka mundësinë që të krijojë një marrëdhënie të fortë me të birin ndërsa partnerja e tij (ata nuk janë të martuar) të mund të fokusohet te kërkimet e saj shkencore.

“Ajo mund të merret me kërkimet e saj ndërsa për mua është një mundësi e mirë që të krijoj një marrëdhënie me fëmijën tim, pra në këtë mënyrë mund ta njohim mirë njëri-tjetrin duke evituar shumë probleme që zakonisht ndodhin kur thjesht e lë fëmijën në çerdhe dhe nxiton me vrap të mbarosh punë”-thotë 38 vjeçari, ndërsa vogëlushi Sid kënaqet që të gjithë duan ta marrin nga pak në krah e të luajnë me të.

John nuk ndjehet aspak i vetëm ndërsa kujdeset për të birin, sepse shumë miq të tij, kanë marrë gjithashtu lejen prindërore. Ata takohen thuajse çdo ditë bashkë kur nxjerrin fëmijët në park dhe në grup ka burra dhe gra prindër.
“Përveç dy miqve që kanë bizneset e tyre dhe e kanë më të vështirë, sidomos me fëmijën e parë, kam plot miq që janë me lejen e lindjes dhe kujdesen për fëmijët e tyre. Jemi disa baballarë, por ka edhe mami në grupin e miqve të mi që aktualisht janë me leje lindje. Madje edhe motra ime ka marrë lejen e lindjes dhe rrimë goxha bashkë të dy me fëmijët tanë”. 
John duket mjaft i kujdesshëm ndaj të birit, duke u munduar ta mbajë në krah, ulur apo në këmbë, pasi Sid ndërsa vazhdon të flasë me ne.

E pyes nëse i mungon puna gjatë kësaj kohe që po qëndron në shtëpi duke u kujdesur për Sidin, dhe duket krejt i sinqertë kur thotë “po janë vetëm disa muaj dreqi ta hajë dhe kjo nuk e pengon aspak karrierën time”.
“Kam punuar aq shumë gjatë jetës time dhe ky është thjesht një pushim i shkurtër. Pra tani thjesht po fokusohem te diçka më e rëndësishme duke lënë pas ato fokuset e përditshme. Kam që në janar që kam marr lejen dhe do qëndroj deri në gusht, pastaj do rikthehem në punë”-thotë ai. 

Vendi nordik u jep mundësinë çifteve që të marrin së bashku 16 muaj (480 ditë) leje prindërore të paguar kur bëhen me fëmijë. Në 390 ditët e para, prindi që është me leje përfiton 80 % të pagës nga shteti, megjithëse ka punëdhënës që japin edhe 90 % të pagës. Për pjesën tjetër, 90 ditët e mbetura paguhen me një përqindje më të ulët. Si rezultat i ndryshimeve të fundit në legjislacionin suedez, që prej 1 janarit të këtij viti, maksimumi që një nënë mund të marrë leje është 390 ditë pra deri në 13 muaj sepse 3 muaj i përkasin ekskluzivisht vetëm babait, i cili mund t’i marrë ato ose të heqë dorë prej pagesës por nuk ka të drejtën t’ia kalojë bashkëshortes siç ndodhte 3 dekada më parë kur filloi kjo reformë në Suedi.

John dhe partnerja e tij spanjolle, Silvia i kanë ndarë 12 muajt e lejes prindërore thuajse në mënyrë të barabartë duke përfituar nga sistemi që ofron vendi.
“Në Suedi ka madje një sistem bonusi, sa më barabar që ta ndash lejen e lindjes aq më shumë para të japin. Ajo ka marrë 60 % ndërsa unë 40 %. Por edhe 50 me 50 do të ishte shumë mirë me mua”.

E pranon që ndonjëherë edhe mërzitet në shtëpi, ndërsa kujdesi për Sidin ka lodhjen e vet, por John mendon se leja prindërore i jep edhe mundësinë që të bëjë ato gjëra që nuk mundej kur ishte në punë, si përshembull të gatuajë, çka atij i pëlqen shumë. Veç kësaj John është rritur edhe vetë me babain, kështu që sa herë ka nevojë për ndonjë këshillë i telefonon pikërisht atij dhe jo të shoqes.

“Unë vetë jam rritur me babain dhe po flasim për vitet 80. Ai ishte baba që kujdesej për mua edhe pse e kisha nënën. Por ai kujdesej pjesën më të madhe të kohës. Tek ne kjo reformë ka nisur herët, që në vitet 50. Sa herë kam patur nevojë i telefonoja babait tim dhe e pyesja çfarë duhet të bëj me këtë gjë. Veç kësaj kam dhe motrën time që më jep shumë këshilla sepse ka më shumë eksperiencë dhe është dhe mjeke”.

John mendon se askush nuk mund të thotë që të rrisësh fëmijët “është punë për gratë”, sepse burrat nuk dijnë ta bëjnë këtë dhe na jep një argument mjaft logjik. “Mos harroni se edhe gratë që bëhen nëna për herë të parë nuk dijnë shumë gjëra, i mësojnë ato rrugës ashtu si dhe unë apo çdo baba tjetër”
 “Gjëja me vështirë do të ishte të shihja partneren time të hiqte dorë nga karriera e saj”

bebi suedi

John është i vetëdijshëm që ende ka shumë baballarë në Suedi që nuk e marrin lejen prindërore, megjithëse vetë nuk njeh asnjë burrë që ta ketë refuzuar ta bëjë këtë gjë. Eksperienca e gjatë si gazetar edhe jashtë vendit i ka dhënë mundësinë të kuptojë se sa e vështirë është për gratë që bëhen nëna e shpesh detyrohen të braktisin karrierën dhe ëndrrat e tyre.
“Kur jetoja në Londër, kam takuar shumë gra të frustruara të cilat kishin kaluar 30 vjet duke u arsimuar dhe pikërisht kur duhej të fokusoheshin tek karriera e tyre që sapo kishin nisur, u duhej të shkëputeshin për tu kujdesur për fëmijët. Çka nuk më duket dhe aq racionale, sepse në këtë mënyrë nuk vlerësohet gjithë mundi dhe arsimimi që ke bërë. Kur më pyesin a është e vështirë, u them se gjëja më e vështirë  do të ishte të shihja partneren time të hiqte dorë nga karriera e saj për mua. Kjo do të ishte frustruese për mua”.

bebi suedi

Për John, lënia e përgjegjësisë për rritjen e fëmijës vetëm nënave jo vetëm që dëmton ato vetë por në fakt dëmton edhe ekonominë e një vendi, diçka për të cilën shoqëritë duhet të ndërgjegjësohen. Sipas tij ligjet e Suedisë për lejen prindërore kanë ndihmuar shumë që të zbutet diskriminimi gjinor në vendet e punës.
“Ajo çka është më pozitivja e gjithë kësaj reforme, është se një punëdhënës nuk e sheh si avantazh të punësojë një burrë sepse është gruaja ajo që merr lejen e lindjes apo kujdeset për fëmijët, pasi edhe babai tashmë ka të drejtë të marrë leje nga puna nëse fëmija sëmuret me grip. Pra të dy prindërit janë njësoj në këtë drejtim, çka do të thotë se punëdhënësi nuk bën dallime nga ana gjinore por vlerëson talentin apo aftësitë e një burri apo një gruaje. Edhe shefat e mi burra marrin leje për tu kujdesur për fëmijën e sëmurë, ndërsa kam mikesha që janë në kulmin e karrierës së tyre”

Analistët suedezë argumentojnë se kur gruaja ka një nivel më të lartë arsimimi se burri, leja prindërore ka prirjen të ndahet në mënyrë më të barabartë.
“Për ekonominë e një vendi kjo është shumë pozitive sepse nuk mund të arsimosh njerëzit dhe gjysmën e tyre ti lësh në shtëpi. Kjo ka ndryshuar shumë gjëra edhe në mendësinë e punëdhënësve të cilët nuk e shohin aspak si negative që burri të qëndrojë për disa muaj në shtëpi dhe të kujdeset për fëmijën duke i bërë ata edhe më tolerant”-thotë John.
Ndryshimi ende i vështirë edhe për qeverinë e parë feministe në botë

Por pavarësisht se ka dekada që ka nisur, të ndryshosh disa norma ëshë e vështirë edhe në Suedi, ku barazia gjinore është realitet në çdo fushë të jetës. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, sot Suedia renditet e 4 në botë pas Islandës, Norvegjisë dhe Finlandës për hendekun më të vogël gjinor.
Edhe Asa Regner, ministre për fëmijët, të moshuarit dhe barazinë gjinore e pranon se pavarësisht se 80 % e grave në Suedi punojnë, çka është dhe një prej përqindjeve më të larta në botë, ka ende shumë gjëra për të rregulluar në mënyrë që të arrihet objektivi për barazi të vërtet. 

bebi suedi 

“Një pjesë e madhe e grave punojnë part time, dhe kjo duhet rregulluar. Ndaj ka një hendek të pagave mes burrave dhe grave.Tjetër cështje është që tregu i punës është i ndarë nga ana gjinore, ka sektorë të ekonomisë ku punojnë vetëm burra. Ndaj dhe ne e shohim të nevojshme të vazhdojmë të nxisim politika të reja për ta ndryshuar këtë gjë”.
Që prej tetorit 2014, Suedia ka qeverinë e parë feministe në botë që ka shpallur barazinë gjinore si fokusin kryesor të punës së saj qoftë në punët e brendshme por edhe në politikën e jashtme me një objektiv: Gratë dhe burrat duhet të kenë të njëjtin fuqi për të formësuar shoqërinë dhe jetët e tyre”.

Për ministren Regner, një qeveri feministe është një lloj mjeti për ta zhvilluar më tej këtë model suedez por edhe për të trajtuar çështje që deri tani nuk kanë qënë histori suksesi. i tillë është vendimi i marrë vitin e kaluar për ta bërë 3 muaj lejen prindërore për baballarët.
“Muajt e lejes mund të ndahen mes dy prindërve. Nëse babai do të marrë 9 muaj dhe nëna vetëm 3, s’ka asnjë problem. Por tashmë me ligj, njëri nga prindërit duhet të përdorë të paktën 3 muaj dhe prindi tjetër pjesën e mbetur. Nëse babai nuk i merr ato 3 muaj leje lindje, familja e humbet të drejtën e marrjes së lejes. Pra kjo e bën të detyrueshme që baballarët të marrin të paktën 3 muaj leje lindje, nëse duan më shumë mbetet në dëshirën e tyre. Përndryshe duhet të heqin dorë nga përfitimet që ofron shteti.

Një përqindje e madhe e burrave madje kanë marrë më shumë se sa 3 muajt e tyre “të detyrueshëm”. Por natyrisht do të duhet kohë deri sa të arrijmë që të dy prindërit ta ndajnë në mënyrë të barabartë, pra përgjysmë lejen e lindjes”-thotë Regner.
Pavarësisht se ligji i miratuar në 1974-ën u lejonte baballarëve të merrnin lejen prindërore, dy dekada më pas rezultonte që 90 % e lejes përdorej nga burrat. Kështu, në vitin 1995 nisi të implementohej për herë të parë e ashtuquajtura “kuota e babait” për ti dhënë një zgjidhje kësaj situate. Kuota parashikonte një muaj leje (30 ditë) vetëm për babain nën bazën e sistemit “përdore ose humbe”.

Pra nëse babai nuk merrte një muaj leje nga puna për t’u kujdesur për fëmijën atëherë çifti e humbte të drejtën e pagesës për këtë muaj. Në 2002-shin kjo periudhë u bë 2 muaj (60 ditë). Që të dyja ndryshimet patën impakt të menjëhershëm në përqindjen e lejes që merrnin burrat. Në vitin 2014 rezulton që baballarët kanë marrë 25 % të të gjithë lejes prindërore që i ofrohet çiftit. Dhe që nga 1 janari i këtij viti, kuota është 90 ditë.
“Natyrisht këto reforma nuk janë të lehta e nuk bëhen përnjëherë. E kemi bërë në Suedi sepse nevojiteshin talente apo profesione të ndryshme. Kjo s’ka të bëjë thjesht me barazinë gjinore.Por kjo bëhet edhe për arsye shumë praktike.

Psh nëse ti do të ishe një drejtues ekzekutiv do të zgjidhje më të mirët për kompaninë tënde, por gjysma e popullsisë duhet të qëndrojë në shtëpi edhe pse janë të kualifikuar. Sikur s’ka shumë sens apo jo?”-thotë gazetari John Pelling.
E megjithëse është i bindur se ndarja e lejes prindërore ndihmon shumë tregun e punës duke i lejuar që të dy prindërve të punojnë dhe të kujdesen për fëmijët, John e pranon se veç baballarëve që refuzojnë ka edhe gra që nuk duan të heqin dorë nga “e drejta e tyre” për t’u kujdesur për fëmijët. Ndaj i takon shtetit të zhvillojë politika të tilla që inkurajojnë apo edhe e imponojnë barazinë gjinore.

 “Si unë dhe partnerja ime punojmë, kujdesemi për fëmijën, dhe që të dy do të kemi pension kur të mos punojmë më. Pra e gjithë kjo të jep një output më të mirë ekonomik edhe për njerëzit por edhe për vetë shoqërinë. Por kjo duhet të vijë nga lart, pra nga ata që qeverisin dhe ekonomistët që i kuptojnë shumë më mirë përfitimet e kësaj reforme. Gjithësesi nuk është kaq e lehtë, se përveçse vështirësisë për të bindur baballarët që të ndajnë këtë përgjegjësi pra lejen e lindjes, ka dhe plot gra që nuk duan të heqin dorë nga ky rol që mendojnë se u takon vetëm atyre”.
 
Një këshillë edhe për burrat shqiptarë
E ndërsa jemi në fund të intervistës, voglushi Sid nuk duron dot më dhe do të dalë të luajë në park aty ku janë plot fëmijë të tjerë e madje edhe ndonjë tjetër baba me që po shijon lejen. Duke dashur të bëj pak “avokatin e djallit” për ta ngacmuar e pyes kolegun tim suedez nëse ndihet më pak burrë për shkak se po qëndron në shtëpi duke u kujdesur për djalin.
“Absolutisht jo, përkundrazi ndjehem edhe më shumë, sepse kam nën kontroll të plotë jetën time dhe do të kem të njëjtën lidhje të fortë me tim bir, njësoj si lidhja që ka partnerja ime, pra nëna e tij me të.

Dhe mendoj se kam fituar shumë në këtë aspekt, lindja dhe vdekja janë dy momente tepër të rëndësishme në jetën e një njeriu dhe unë dua të jem pjesë e rëndësishme e muajve të parë në jetën e fëmijës tim. Veç kësaj është shumë qejf të jesh për ca kohë në shtëpi, të gatuash çfarë të dojë qejfi dhe të bësh gjëra që nuk ke mundësi kur je duke punuar çdo ditë.
Duke i kujtuar se vij nga një shoqëri shumë patriarkale ku ende me shumë probleme përsa i përket barazisë gjinore dhe ka shumë burra shqiptarë që kur të lexojnë intervistën mesiguri mund të thonë: ”Po ky s’qenka burrë more, s’i takon burrit të kujdeset për fëmijën, por nënës”, i kërkoj Johnit ti japë një këshillë burrave shqiptarë.

“Atyre do tu thosha që për një shoqëri është thelbësore që të ketë një nivel të lartë përfaqësimi me njerëz të kualifikuar. Unë nuk dua kurrësesi që t’i vendos limite partneres time dhe zhvillimit të saj profesional kështuqë thjesht po bëj detyrën time si prind dhe si partner. Sepse mes moshës 25-40 janë vitet më të rëndësishme në karrierën tënde por pikërisht në këtë periudhë bëhesh edhe prind, çka është përgjegjësi e të dyve si gruas dhe burrit”.

E për ata që janë kuriozë nëse ai kujdeset vetëm për Sidin tani që është me leje, John na shpjegon se është më shumë se sa thjesht një “baba që rri në shtëpi”. “Unë pastroj, bëj pazarin dhe gatuar, njësoj siç bënte Silvia kur ishte në shtëpi. Është mëse e natyrshme që shumë përgjegjësi bien mbi mua tani që kam më shumë kohë”.

Sot rreth 90 % e baballarëve e marrin lejen prindërore. Por në Suedi janë dashur 40 vjet dhe shumë reforma politike që të arrihej deri në përgjysmimin e lejes prindërore në Suedi. Gratë ende punojnë më shumë part time (me kohë të pjesshme) ose marrin periudha më të gjata të lejes së papaguar. Megjithatë nëse tendenca vazhdon siç edhe ka ndodhur në vitet e fundit, leja prindërore do të ndahet 50 me 50 brenda 10-15 viteve.
 
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema