Kaosi i PD në Kuvend, ministri Balla në Report Tv: Horrin ta bëjnë diku tjetër, po i shërbejnë Berishës! S'ka qeveri teknike, në zgjedhjet 2025 synojmë mbi 84 mandate

TIRANË- Ministri Taulant Balla, i ftuar në Report Tv, ka dënuar ashpër skenarët e kaosit dhe dhunës së Partisë Demokratike në Kuvend, të cilët dogjën edhe karriget. ‘Horra’, i quan ministri Balla disa prej deputetëve të cilët sot organizuan edhe përplasjet më të ashpra në tentativë për të mos lejuar socialistët të futen në Kuvend.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, ministri Balla tha se djegia e karrigeve është një akt që tregon se ke djegur besimin e deputetëve që i kanë besuar mandatin. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin thotë për Report Tv se shqiptarët nuk e duan dhunën dhe sipas tij kjo rrugë opozitës nuk do t’i japë asnjë rezultat ndryshe.

“Kjo që keni parë sot nga kjo forcë politike është bërë edhe para 1 viti, ishim në të njëjtën situatë, edhe para 2-3 vitesh po ashtu, në shkurt 2019 u dogjën mandatet, ka pasur ngjarje të tilla në Kuvend, nga e njëjta forcë që mendon se duke përsëritur të njëjtën marrëzi do marrë rezultat ndryshe. Shqiptarët nuk e duan dhunën, madje e kanë dënuar ashpër dhunën sa herë iu është dhënë mundësia me votë. Nëse do kisha mundësi t’iu jepja një këshillë deputetëve të opozitës, do ishte thirrja për të hequr dorë nga kjo qasje, se në demokraci pushteti fitohet përmes votës.

Kur ti djeg mandatet, kur ti djeg karrigen e deputetit, ti ke djegur besimin që të kanë dhënë qytetarët,. Ato karriget nuk janë tonat, të është dhënë me kontratë nga populli. Ti vjen në Kuvend bën horrin te dera e Kuvendit, disa prej tyre s’kanë pasur ndonjëherë lidhje me kuvendin, horrin mund të shkosh ta bësh diku gjetkë. Brenda grupit të PD ka edhe njerëz që gëzoj respekt, në mendjet e tyre s’do donin fare të ishin pjesë e kësaj sjellje. Kjo nuk është një ngjarje që po ndodh për herë të parë. E rëndë që prej ’91, PD vazhdon të jetë peng i një personi, një person që nuk heq dorë nga e njëjta marrëzi, mendon se do japë rezultat ndryshe, nuk jep rezultat ndryshe”, tha Balla në Report Tv.

Për Ballën, PD është një parti e marrë peng dhe i shërben interesit të familjes Berisha.

"Është një parti në interes të një familje të caktuar, ata që vrapojnë për të folur në emër të saj, kanë interesin duke bërë servilin e radhës ndaj Berishës, duke qenë se është mbartësi i vulës t’u japë mundësinë të jenë pjesë e listës së ardhshme në Kuvend”, u shpreh Balla në Report Tv.

Sa i takon synimit të PS për zgjedhjet parlamentare 2025, Balla thotë se tashmë kërkojnë shumicën e cilësuar në Kuvend (pra minimumi 84 mandate). Për ministrin, mandati i 4 i qeverisjes është i domosdoshëm për të konsoliduar progresin e arritur, por edhe për të vijuar me punën për integrimin e Shqipërisë në BE. 

“Qytetarët janë gati ti japin PS një mandat më të fortë se secili prej 3 mandateve të tjera që kanë marrë deri tani. Shqiptarët kanë kuptuar që PS ka nevojë të ketë një shumicë të cilësuar për të çuar para reformat. Mandati i 4 do konsolidojë një fitore të madhe të PS”, tha Balla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:38
Vota e diasporës, Balla në Report Tv: Ja si do funksionojë, e kemi pasur prioritet! Nga 2025, shërbimet konsullore online

 

Ministri Taulant Balla, njëherazi edhe drejtuesi politik i PS për diasporën, i ftuar në Report Tv ka shpjeguar se si do të funksionojë vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare 2025. Balla tha se fleta e votimit do u dërgohet emigrantëve shqiptarë me postë. Ndërkohë, Balla sqaroi se KQZ do të ndërtojë infrastrukturën dhe të gjithë emigrantët me dokument të vlefshëm biometrik do duhet të regjistrohen në platformë që të kenë mundësi më pas të votojnë.

Vota do të kthehet sërish me postë, ndërkohë vota e emigrantëve do të llogaritet në vendin tonë në qarkun ku ata rezultojnë se kanë pasur vendbanimin.

Po ashtu, Balla tha në Report Tv se po punohet që nga viti 2025 të gjitha shërbimet konsullore të ofrohen online.

"Kodi Zgjedhor i ka shuar këtë dilema. Më 26 korrik Kuvendi votoi me një shumicë të madhe ndryshimet që i japin mundësinë KQZ të ngrejë infrastrukturën dhe të organizojë një proces votimi i bazuar në dërgimin me postë të fletës së votimit. Do duhet që çdo vëlla e motër shqiptar që jeton jashtë territorit, që disponon një dokument të vlefshëm biometrik deri në momentin e regjistrimit, të regjistrohet në një platformë e cila do të ngrihet nga KQZ. Ata që ndihen më mirë me arritjet e qeverisë janë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë, se ata kanë vuajtur më shumë lajmet negative që vinin nga Shqipëria, ata sot janë më krenarë se kushdo tjetër. Shqipëria është një vend më i respektuar dhe sa herë që vijnë në Shqipëri për pushime është një patriotizëm që duhet vlerësuar, patriotizëm është të konsumosh prodhime bujqësore shqiptare apo të bësh pushime në atdhe. Po punojmë që deri në fund të viti të ardhur çdo shërbim konsullor t’u jepet online. Votën e diasporës e kemi pasur gjithmonë prioritet", tha Balla në Report Tv. 

Ora 18:22
‘Duan të jenë sërish në Kuvend’, Balla deputetëve të PD: Po bëni servilin e radhës ndaj Berishës

 

Kaosin që opozita po krijon në Kuvend, ministri Taulant Balla e sheh si një servilizëm të radhës të deputetëve demokratë ndaj kryetarit Sali Berisha. I ftuar në 'Studio Live' Report Tv, ministri i Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin thotë se deputetët e PD po servilosen që Berisha t’i fusë sërish në Kuvend në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Balla tha për gazetarin Arbër Hitaj se PD po i shërben interesit të familjes Berisha. 

“Përpjekja nga ana e opozitës për t’u kapur si i mbyturi pas çdo lloj dosje dhe për të thënë që ky vendim i gjykatës është i padrejtë, ndërkohë që pak muaj më parë për një vendim të ndryshëm nga e njëjta trupë, thonë ‘ja e shikoni ka edhe burra dhe gra të ndershëm në drejtësi’ dhe kur e njëjta trupë merr një vendim që ty s’të pëlqen këta janë gjyqtarët e narko shtetit. Këta mendojnë se populli shqiptar është budalla, se kuptojnë që populli e di mirë ca ka ndodhur te Partizani, te çështjet e tjera, secili nga ne duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka që thotë. PD nuk justifikon atë që quhej ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, është në një ditë të zezë, pasi është marr peng nga interesat. Është një parti në një interes të një familje të caktuar, ata që vrapojnë për të folur në emër të saj, kanë interesin duke bërë servilin e radhës ndaj Berishës, duke qenë se është mbartësi i vulës t’u japë mundësinë të jenë pjesë e listës së ardhshme në Kuvend”, tha Balla në Report Tv.  

Ora 18:17
Qeveri teknike? Balla i përgjigjet opozitës: Po bëheni qesharakë, entuziazmoni militantët! Edhe vetë e dini që s’ka për të ndodhur

1727968569_taulantballa.jpg

Me ironi iu është përgjigjur ministri Taulant Balla thirrjeve të opozitës për qeveri teknike. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Balla thotë kjo kërkesë i ka përndjekur që nga dita e parë kur PS ka marrë qeverisjen, ndërsa thekson se po bëhen qesharakë pasi edhe ata vetë e dinë që një gjë e tillë s’do të ndodhë. Ministri e sheh si një taktikë për të entuziazmuar militantët.

“Kjo qeveria teknike i ka shoqëruar që nga dita e parë që kemi ardhur në qeverisje vendi. Neve na është besuar qeverisja në qershor 2013, në shtator është betuar qeveria, në tetor 2013 është kërkuar qeveri teknike. Kjo është bërë qesharake. Shqipëria s’ka asnjë minutë kohë për të humbur, qeveria është duke u përgatitur seriozisht për takimin e datës 15, sepse konferenca e dytë ndërqeveritare hap kapitujt, ato që quhen themeloret dhe është punë intensive e të gjithave niveleve, politik, administrative përfshirë edhe institucionet e pavarura. Edhe ata vetë e besojnë që kjo s’ka për të ndodhur. Kjo lloj thirrje entuziazmon militantët e partisë, tifozët. Të çohen tifozët e Lecces dhe thonë do mundim Interin. Interi në fund fiton 4 me 0”, u shpreh Balla.

Ora 18:06
Afera ‘Partizani’, Balla në Report Tv: Korrupsion i pastër, kam besim te drejtësia e re

 

Ministri Taulant Balla thotë se ka besim tek drejtësia e re se do bëjë detyrën në zbardhjen e plotë të aferën se privatizimit të klubit Partizani. I ftuar në Report Tv, Balla, i cili është edhe një prej kallëzuesve të kësaj çështje në SPAK, thotë se privatizimi i klubit të Partizanit është forma më e qartë e korrupsionit, se si një kryeministër përdor zyrën, karrigen, firmën për të krijuar favore për të afërmit e tu.

“Mënyra e privatizimit të Partizanit ka qenë dhe mbetet një nga format më të qarta të asaj çfarë është korrupsioni. Të përdorësh zyrën, karrigen, firmën, që të ka besuar populli apo parlamenti si kryeministër, të krijosh favore për të afërmit e tu. S’ka njeri në Shqipëri që nuk e beson pastërtinë dhe provueshmërinë e veprave penale në këtë dosje. Kjo çështje i takon drejtësisë. Që nga momenti kur SPAK ka iniciuar një procedim dhe ka marrë persona në hetim dhe ka ngritur akuzat, s’kam bërë asnjë koment duke qenë se jam personi që kam bërë kallëzimin, kam besim se drejtësia do bëjë detyrën e saj”, tha Balla për gazetarin Arbër Hitaj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim (EMRAT)

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim (EMRAT)