Me të parë policët që u dolën në “pritë”, shoferët e 19 kamionëve, mbushur me krom dhe inerte, nxituan të mbushnin fatura fiktive, por nuk mundën ta justifikonin ligjërisht, as vendburimin dhe as destinacionin e mallit, duke ua lënë mjetet ekspertëve të Policisë së Bulqizës. Plot 15 kamionët e sekuestruar mbanin të paktën 1 mijë ton krom, të nxjerrë nga galeritë e Bulqizës dhe mineralet vlenin rreth 200 mijë dollarë, ndërsa 4 mjetet e tjera ishin me inerte.
Operacioni i djeshëm shërbeu si pikënisje e asaj që vetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e përkufizoi me frazën “Historia e të paprekshmëve ka mbaruar, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, asnjë shkelës nuk do të tolerohet”. Në takimin që ai pati në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, shpalli si synim primar forcimin e masave për të luftuar kontrabandën e mineralit të kromit, si një nga prioritetet e punës së policisë e në mënyrë më të veçantë të policisë së dy qarqeve Lezhë e Dibër, ku shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi si dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm, Altin Qato.
(Në foto, kamionët e bllokuar sot në Lezhë)
KOMPANITE E BLLOKUARA
Burime të mirëinformuara pranë Policisë së Shtetit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se Seksioni Kundër Krimit Financiar në Policinë e Lezhës dhe komisariatet e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës, dje bllokuan 19 kamionë të tonazhit të rëndë. Sipas këtyre burimeve, një ndër kamionët me krom i përket Shoqërisë “ALB-LEA shpk”, me 3 raste të evidentuara, me 3 kamionë të bllokuar, të nisur nga zona “D” e Bulqizës. Shoqërisë “GLONAJ INTERPRIZE GROUP”, me 2 raste të evidentuara, i janë bllokuar 2 kamionë me krom, të nisur nga Batra e Bulqizës, shoqërisë “BLENDI import eksport”, me një rast të evidentuar iu bllokua një kamion me kron, i nisur nga Lajthiza, Orosh, Mirditë dhe shoqërisë “OKSEOLA shpk”, iu bllokuan 3 kamione me krom, të nisura nga Iballa e Pukës.
Ndërkaq, shoqërisë “KURTI shpk” iu bllokua vetëm një kamion, i nisur nga Batra e Bulqizës, shoqërisë “TURALB, KROM” iu kap një kamion i nisur nga galeria “D” në Bulqizë, kompanisë “RAMO TRANS” iu gjet një kamion, i nisur nga Thekëni dhe një person fizik u kap me një kamion që nisej nga Bulqiza. Së fundmi, kompania “BESLAND shpk”, u gjet me një kamion, i nisur nga Thekëni, Bulqizë dhe shoqërisë “LESHNICA shpk”, iu sekuestrua një kamion i nisur nga Durrësi. Së fundmi, kompanisë “DEVIS B.A shpk” dhe shoqërisë “KASHJETO shpk” iu bllokuan nga 2 kamionë me inerte, të ngarkuara në lumin Mat.
POROSITE E MINISTRIT
Në takimin që pati me drejtuesit e policisë së Lezhës, Ministri Tahiri kërkoi tolerancë 0 ndaj krimit, duke shtuar se “Duhet që policia të bëhet organizata më e pastër, ka ende shumë punë për të bërë, për këtë keni mbështetjen time dhe të drejtorit të Policisë së Shtetit, të gjithë ne jemi në provë përpara qytetarëve”. Përmes zëdhënësit, Florion Serjani, Ministria e Brendshme deklaroi se u vendos për hartimin e një plani operacional me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë për të goditur kontrabandën e kromit. Plani do të parashikojë forcimin e kontrolleve si në akset rrugore kombëtare ashtu edhe në pjesë të tjera të territorit ku mund të zhvillohet kjo veprimtari e paligjshme, e deri në pikat kufitare nga ku ky mineral nxirret jashtë vendit. Ministri Tahiri ka lënë porosi të veçanta për forcimin e masave ndaj dy drejtorive të policisë në Lezhë dhe Dibër, si dy nga qarqet më kryesore prej nga ku nis e kalon kjo kontrabandë.
KOMPANITË E KAPURA ME KAMIONË KROMI
1-“ALB-LEA shpk”, 3 kamionë bllokuar
2-“GLONAJ INTERPRIZE GROUP”, 2 kamionë bllokuar
3-“BLENDI import eksport”, 1 kamion kapur
4-“OKSEOLA shpk”, 3 kamionë sekuestruar
5-”KURTI shpk”, 1 kamion bllokuar
6-“TURALB, KROM”, 1 kamiaon kapur
7-“RAMO TRANS” 1 kamion sekuestruar
8-“BESLAND shpk”, 1 kamion bllokuar
KOMPANITË E KAPURA ME INERTE
1-“DEVIS B.A shpk”, 2 kamionë bllokuar
2-“KASHJETO shpk”, 2 kamionë kapur