Ekskluzive/ Taksat, ndryshon tavani i xhiros për biznesin e vogël

Qeveria po përgatit një draft “elektoral” për të zbutur marëdhëniet e acaruara me biznesin e vogël. Kohët e fundit këto marrëdhënie janë cenuar nga mospranimi i uljes së pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që hapte dyert për futjen e 20-30 mijë bizneseve të tjera të vogla në skemën e TVSH-së. Në ditët e para të hyrjes në fuqi të këtij rregulli të ri, madje, pati edhe organizime të protestave spontane nga disa biznese të vegjël, të nxitur nga opozita politike, të cilët ulën qepenat. Por këto protesta përfunduan shpejt.

Ndërkohë, mësohet se, pa hequr dorë nga ky vendim mbi TVSH-në, që, sipas qeverisë, ka të bëjë me formalizimin e ekonomisë dhe kontrollin më të mirë të transaksioneve dhe taksave të të mëdhenjve, tani është bërë gati nga administrata e Financave dhe Ekonomisë një tjetër draft, sipas të cilit preket një tjetër taksë: tatim fitimi i ndërmarrjes. Deri tani, të gjitha bizneset që realizonin mbi 8 milionë lekë në vit xhiro, konsiderohen si biznes i madh dhe hyjnë në fashën e pagesës së një tatimfitimi në masën 15 për qind.

Kjo fashë është një nga taksat që u rritën nga qeveria Rama 1, pasi në kohën e Ekzekutivit Berisha shifra ishte 10 për qind, në kuadër të taksës së sheshtë. Ndërkohë, bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë nuk paguajnë tatimfitimi, por një taksë të thjeshtuar. Kurse nga 2 milionë deri në 8 milionë, tatimfitimi i nënshtrohet një taksimi tjetër: 5 për qind.

Tanimë duket se kufiri i xhiros do të rritet jo pak – në masën 75 për qind – për të future edhe një numër ndërmarrjesh të vogla në tatimfitimin 5 për qind, duke u hequr atyre detyrimin për t’u taksuar me 15 për qind të fitimit në kuadër të tatimfitimit. E thënë me fjalë të tjera, kufiri që do të ndajë biznesin e vogël nga ai i madh do të jetë tanimë 140 milionë lekë xhiro në vit dhe jo 8 milionë, si ka qenë deri tani.    

Politika
Vendimi që pritet të merret nga Këshilli i Ministrave, por që duhet të kalojë patjetër edhe në shqyrtimin e Kuvendit të Shqipërisë – i vetmi institucion i shtetit që vendos për taksat – ka edhe një prapaskenë politike. Ai pritet të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pasi sipas administratës fiskale, në mes të vitit nuk mund të ndryshohen rregullat fiskale, pa çoroditur të gjithë sistemin e taksave dhe tatimeve në një vend të caktuar.

Këtyre ndryshimeve gjithnjë u lihet një afat i caktuar kohor, në mënyrë që edhe biznesi të marrë masat e nevojshmë për t’iu përshtatur, por edhe administrata të ndryshojë kuadrin e saj informatik për të llogaritur të hyrat nga një ndryshim i tillë.

Por viti i ardhshëm nuk është pa rëndësi nga pikëpamja politike. Kjo, pasi në vitin 2019 do të zhvillohen zgjedhjet për bashkitë në vend dhe drafti pritet të zbutë tensionin e krijuar mes qeverisë dhe biznesit të vogël pas asaj, që u konceptua si rritje e barrës fiskale për më të vegjlit, me hyrjen në skemën e TVSH-së të dyqaneve të vegjël të lagjeve, etj. Kjo do të ketë kosto shtesë pë rata biznesmenë, të pamësuar të përdorin ekspertët fiskalë për të përgatitur bilancet, etj.

Nuk pritet që një vendim si rritja e pragut për efekt të tatimfitimit të ketë një ndikim të gjerë. Sipas ekspertëve të fushës, mund të jenë rreth 3.000 – 5.000 biznese në gjithë Shqipërinë, që do të përfitonin nga një amendim i tillë. Por më tepër kjo do të kishte një ndikim pozitiv lehtësues në opinion, ndërkohë që ulja në 2 milionë lekë xhiro e pragur për t’i përfshirë bizneset në skemën e TVSH-së u konceptua si një shtrëngesë.

Sidoqoftë, administrata fiskale të paktën këtë herë duhet të bëjë një fushatë më të gjerë sqaruese për pasojat dhe arsyet e ndryshimit, për të mos përsëritur gabimet e TVSH-së. Megjithatë, kjo është një masë që besohet se do të pritet pozitivisht.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Albani: 10/05/2018 09:42

    Qeverija Rama 2 te rishikoj pagat dhe te ben nivelizimin e pagave te punetoreve dhe te gjithe bizneseve qofte publike apo private te perafrohen me te rajonit. Ndryshe kjo qeveri i ka ditet e shkurtera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë