Çifti i të moshuarve që u dhunuan dhe u grabitën në Vuno të Himarës para dy netësh, Kolo dhe Efigjeni Proto 85 dhe 80-vjeç kanë folur ekskluzivisht për Report Tv, duke treguar me lot në sy për gazetarin Armand Xhelili ngjarjen. Tortura e ushtruar ndaj 85-vjeçarit Kolo Proto në Vuno të Himarës, i kalon të gjitha kufijtë e njerëzores. 85-vjeçari tregon shenjat e dhunës që ushtruan grabitësit me hekur, ndërsa më pas i lidhën.

Me trup, krahë dhe fytyrë të nxirë nga goditjet me çelës papagall, ai thotë se hajdutët në momentin që ishin futur në banesë u thanë që të mos tremben se ishin policë dhe se kishin ardhur për të bërë një kontroll, por në momentin që hasën rezistencë e goditën me çelës dhe çekiç. Kolo Proto shprehet se i tha njërit prej autorëve që e dhunoi që nëse ishte shqiptar ta vriste dhe të mos e torturonte. Ai tregon se autorët i grabitën 800 eurosh dhe një shumë lekësh.

"Më vranë, ushtruan dhunë me një çelës anglez. Ishin dy persona. Njëri ushtroi dhunë dhe tjetri kontrolloi dhe mori atë që gjeti. Kishte kaluar ora 01:00 e natës. Ishim vetëm me gruan, në gjumë kur erdhën. Na kanë vjedhur dy herë. Radhën e parë morën vaj dhe raki. Këtë herë morën paratë, plot. Kur erdhën zunë këtë përpara në dorë (gruan) dhe na thanë 'mos u trembni, jemi policia'.

Unë bërtita, por të shkuara të harruara me kaq qoftë. Më lidhën këmbë e duar. Unë bërtisja ai më qëllonte me çekiç. Nuk mendoj se janë banorë të fshatit. Nuk kishin armë. I thashë në je burrë shqiptari më vra mos më torturo. Erdhi policia, por cfarë do të bënte policia?! Në Vuno janë bërë shumë vjedhje. Kur biem gjumë mbyllim dyert, nuk e di a kishin çelës tjetër" tha i moshuari.

Duke treguar shenjat e gjakut të mbetura në banesë e në dyshekun ku flinte i moshuari, 80-vjeçarja Efigjeni Proto shprehet se autorët ishin dy persona të maskuar dhe se dera kryesore e shtëpisë nga ata hynë, ishte e padëmtuar,  çka ngritën dyshimin se ata mund të kenë pasur ndonjë kopje të çelësave. E moshuara shprehet se autorët i kthyen shtëpinë përmbys për t'u marrë paratë, me pretendimin se djali i tyre u kishte marrë borxh shumën 15 mijë euro.  Efigjeni Proto rrëfen se tentoi që t'i hiqte masën, por nuk mundi dot. Çifti i të moshuarve jetonin vetëm, pasi djalin e kishin në Athinë.

"Ora ishte 01:03 minuta, thanë jemi policia mos shqetëso se jemi policia, kemi ardhur për një kontroll të vogël. Mblodha veten thash kontroll policia në këtë orar, ne nuk kemi vrarë njeri, as grabitur njeri, as mizat e rrugës, natën nuk prek njeri në banesë. U thashë që policia nuk është me maska, ju jeni me maska, jeni grabitës. Puna e parë që bëra, u ngrita maskën, por nuk ia hoqa dot, se e kishte të lidhur dhe kishte fuqi ai. Në ishim në gjumë. Dera ishte e hapur, pa e prishur fare.

Nuk na lanë të luajmë nga vendi. U thashë, merrni ckeni për të marrë dhe na lini se jemi në shtëpinë tonë. Mua nuk më rrahën, por burrin po. E qëlluan me hekur, me çelës anglez, e lidhën me çarçaf duart dhe këmbët, donin t'ia thyenin, por nuk ia thyen se i kishte të forta. Ai donte të ngrihej, por e përplasën në mur. Shenjat e gjakut janë në mur dhe dyshek. Ai qëlloi më pas nxori thikën. Kishin një elektrik të vogël, më morën edhe telefonin edhe elektrikun. Ua mora njëherë telefonin dhe e fsheha poshtë dyshekut dhe ai e mori prapë. Më duhej për mëngjes, se nuk kisha me cfarë të komunikoja.

Na hodhi edhe ilaçet, i thashë lerë se jemi të sëmurë dhe se me ilaçe jetojmë. Burrit i thoshte se më lodhi. Më tha kemi ardhur se djali jot na ka marrë para borxh, unë i thashë na merre në telefon se ka një vit se nuk e kam parë se është në Athinë. Më tha më ka marrë 15 mijë euro. I thashë ne pleq jemi, por të shushatur jo. Nuk diskutohet ajo punë, që djali im nuk të ka marrë borxh.

Qëndruan 2 orë e 30 minuta bën inventarin dhe pastaj ikën. Kur iku ai tha mua merre telefonin e kësaj dhe foli policisë. Nuk kemi pasur frikë, por kemi shumë tani, shumë pak shtëpi mund të kenë ngelë pa hapur. Ne kërkojmë ndihmën e shtetit" tha e moshuara. Vunoi është kthyer në një zonat më të lakmuara për grabitjen e banesave. Mësohet se vetëm në dy javët e fundit, janë të paktën 20 banesa të grabitura vetëm në këtë fshat, e pjesa më e madhe pa autorë.