Ekspertët e huaj propozojnë: Ku ta
fokusoni ekonominë, si të hapni vende pune

Ekspertët e huaj propozojnë: Ku ta<br />fokusoni ekonominë, si të hapni vende pune
TIRANË – Dita e dytë e konferencës “'Shqipëria e gjeneratës tjetër" të organizuar nga Partia Socialiste u fokusua sot tek ekonomia, punësimi dhe rreziqet e zhvillimit. Të ftuarit në konferencë ishin personalitete, drejtues në fushën e ekonomisë si dhe ekspertë financiare ndërkombëtarë, të cilët dhanë propozime konkrete dhe ide praktike që mund të zbatohen në Shqipëri.  Konferencën e hapi kryeministri i ardhshëm Edi Rama.

Fjala e tij u pasua nga ajo e ekspertëve të huaj, si e znj.Goldstein të Bankës Botërore etj. Në konferencë sot spikati fjala e një përfaqësuesi të biznesit izraelit, i cili mbajti një fjalim që u cilësua si shumë frymëzues. Ai kundërshtoi idenë e Zv.Kryeministrit të ardhshëm Niko Peleshi për rihapjen e industrisë tekstile ku konkurent do ishte vetëm Indonezia dhe ftoi që shqiptarët të investonin në teknologjinë e lartë, telemjekësinë, nanoteknologjinë prej nga burojnë fitime miliarda dollarëshe.

Konferenca, e konceptuar me tri pjesë, solli tri panele lektorësh që e morën fjalën me radhë si më poshtë:
 
HAPJA : SHQIPËRIA DHE BOTA, FRYMËZIMET PËR NJË RILINDJE EKONOMIKE
 
  • Z. Edi Rama, kryeministri i zgjedhur
  • Znj.Ellen Goldstein, drejtore e BB për Evropën Juglindore
  • Z. Shkëlqim Cani, ministër i Financave
  • Z. Durmus Tilmaz, ish-Guverntaor i Bankës Qëndrore të Turqisë
  • Z. Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë
  • Z. Gerald Knaus
 
PANELI I: SI TË KRIJOSH VENDE PUNE NË SHQIPËRI
 
  • Znj.Mathias Kollatz-Ahnen
  • Z.Erion Veliaj, ministër i Çështjeve Sociale
  • Znj. Saskia Bruysten
  • Z. Niko Peleshi, Zv.Kryeministër i ardhshëm
  • Z. Jacob Faas
 
PANELI II: RRITJA EKONOMIKE, MUNDESITE DHE RREZIQET
  • Z. Eric Berglof
  • Z.Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
  • Z. Douglas Tweddle
  • Z.Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë
  • Z.Sebastian Vladescu, ish-ministër i Financave të Rumanisë
  • Znj.Stephany Griffith-Jones, profesore e ekonomisë në Britaninë e Madhe

GRIFFITH: KREDITIM NGA BANKAT PRIVATE
 
“Të gjesh një model të ri ekonomik është pak e vështirë,” - tha znj.Stephany Griffith-Jones,  profesore e ekonomisë nga Britania e Madhe, e ftuar në këtë konferencë. Sipas saj, ““Eurozona” po kalon një krizë. Situata nuk është aq e lehtë, sepse kemi shumë kufizime përsa i përket bankave private. Investimi duhet mbrojtur dhe qasja që ka sjellë qeveria këtu me programin e vet do ishte një mënyrë e mirë për të bërë konsolidimin fiskal.

Mendoj se çka ka sugjeruar edhe FMN-ja është e mirë; se duhet të jeni të kujdesshëm dhe të krijoni hapësira për të rritur investimet dhe kjo është një strategji më e mirë sesa ulja e tyre; së dyti, mund të përdoren burimet publike me një kapital mundësisht më të ulët dhe të arrihet tek kreditë e duhura. Së treti, duhet të keni idetë tuaja për zhvillimin, një bankë tuajën që të inkurajojë dhënien e kredive.

Gjermania psh ka bankën tregtare, që u kapitalizua me ndihmën e “Marshall” dhe ka qënë shumë dinamike psh për energjinë diellore, atë nga era etj. ka përvoja të mira edhe në vende të tjera si në Brazil që duhen parë në mënyrën e duhur. Ndaj do punuar shumë me bizneset private, me bankat private. Këto janë parakushtet për të pasur sukses.   

INSTITUTI I EKSPORTEVE, BRITANIA E MADHE   
 
Një përfaqësues i Institutit të eksporteve nga Britania e madhe solli përvojën e vendit të tij për mbledhjen e taksave. Ai tha se “niveli apo shkalla aktuale e taksës është më pak e rëndësishme se parashikueshmëria sa do paguhet. Në Shqipëri ka një shkallë të madhe të ekonomisë informale, mbi 40% që është më shumë se shumë dhe niveli i punësimit i ulët. Këmi shumë njerëz që punojnë e nuk paguajnë gjë, janë në zonën gri të ekonomisë e këtu duhet të bëhet diçka.
 
Sa për doganat e tatimet shohim se ka njerëz që ruajnë kufijtë nga gjerat e paligjshme dhe nuk kujdesen  t;u afrojnë shërbime bizneseve. Korrupsioni është një kancer që ju nuk duhet të lejoni të përhapet. Dhe nëse njerëzit nuk pranojnë t’i ndjekin këto rregulla, atëherë nuk duhet të kenë vend në administratën tuaj.”
 
 VLADESKU: NUK TE GJENI MODEL ZHVILLIMI, KRIJONI TUAJIN
 
“Kam pyetur veten se kush është modeli i ri i zhvillimit për Shqipërinë dhe mund të them se nuk e di, ashtu si mund të them edhe për Rumaninë,”- tha ish-ministri i Financave të Rumanisë, Sebastian Vladescu. – “Unë i dëgjova me kujdes  ministrat që do marrin detyrën dhe problemet që ata paraqitën… Ata janë në pozitë të mirë tani dhe mund të thonë se asgjë nuk është bërë mirë dhe do duhet të përballemi me sfidat. Nga përvoja ime do thoja se kanë 95% shans të dështojnë, pasi kanë shumë optimizën dhe se do përpiqen të zgjidhin problemet dhe do shohin se nuk kanë burime të mjaftueshme për t’i realizuar. Ndaj do sugjeroja: përpiquni në pak gjëra, fokusohuni psh tek popullsia rurale.
Unë jam përpjekur ta bëj këtë gjë në Rumani dhe kur erdhi puna politikanët më thanë: tani largohu, se nuk kemi nevojë më për ty. Askush nuk vjen me një model, as FMN-ja, por ju duhet të krijoni modelin tuaj. Modeli i FMN-së që vjen psh nga Paraguaj nuk mund të përdoret këtu, por FMN-ja duhet.  Nuk mund të gjesh një model në teorinë ekonomike."

GJIKNURI:  NJEREZIT E AFTE PO EMIGROJNE NE KANADA
 
“Njerëzit e aftë në fushën e energjitikës dhe minierave janë duke emigruar në Kanada, po i largohen vendit, - tha ministri i ri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri; në këta sektorë abuzohet dhe ka probleme korrupsioni, ndaj këto do jenë sektorë prioritarë ku do të punohet në mandatin e ri.  Përdorimi i energjisë diellore kursen shumë para dhe mund të jetë e ardhmja e vendit tonë në këtë fushë.”

HAXHINASTO: DO NISIM PUNËN QË NGA ULJA E ÇMIMEVE NË TRANSPORTIN AJROR
 
Edmond Haxhinasto, ministri i ardhshëm i Transportit dhe Infrastrukturës, prezantoi drejtimet ku do punojë qeveria e re, duke vënë në dukje se parësore, në aspektin afatshkurtër, do jetë e çmimeve të transportit ajor.
 
“Infrastrktura, furnizimi me ujë dhe përpunimi i ujërave, shëndeti publik janë gjëjat kryesore që duhen përmirësuar,”- tha ai.- “Kostot e larta për disa nga shërbimet janë probleme, si psh çmimet e larta të biletave të avionëve.  Ne na duhet një qasje e bashkërenduar për mënyrën sesi duhet t’i ristrukturojmë këta sektorë.
 
Kënvështrim tjetër është integrimi i infrastrukturës sonë jo vetëm në rajon, por dhe në Evropë dhe një standartizim më i mirë o infrastrukturës dhe shërbimeve që ofrohen.
 
Janë një sërë hapash që duhen ndërmarrë: duhen mbaruar ato punë që janë ende pambyllur, të standartizojmë cilësinë e tyre, se është e dukshme se nuk janë fare të pranueshme dhe këtu e kam fjalën për rrjetin hekurudhor, furnizimin me ujë etj.
 
Ne kemi disa pjesë “të zeza” në rrugët e Shqipërisë që duhen rregulluar për të mos patur humbje jetësh. Përsa i përket hekurudhave, ne duhet që këtë shërbim ta lidhim me rajonin, duke nisur nga Mali i Zi e dalë tek Kosova.
 
Tek ne është e rëndësishme të ulim kostot e shërbimit ajror. Kjo do jetë një masë afatshkurtër me prioritet për ne. Ne do merremi dhe me çështjen e menaxhimit të mbetjeve urbane, sepse për ne mjedisi është me rëndësi jetike.
 
Përsa i përket mbështetjes së biznesve private, ne duhet të gjejmë formulën e duhur që të kryejmë ato pagesa që nuk janë bërë ende tek biznesi. Ata kanë bërë shumë punë dhe duhen paguar për to.

Duhet të angazhohemi edhe më shumë për të marrë investime të reja në fushën e transportit, që të bëjmë të mundur financimin dhe të krijojmë një gjeneratë të re shqiptarësh.
 
Inovacioni është një nga faktorët më të rëndësishëm në cilësinë e shërbimeve që duam të afrojmë. Nëse nuk kemi inovacion, nuk do kemi konkurencë dhe nuk do bëjmë punën tonë në rajon as në nivelin europian. Kjo është e vetmja mënyrë për të sjellë standarte europiane për këtë sektor të rëndësishëm.

PANELI I - PUNESIMI

MODELI IZRAELIT: SHQIPËRISË I DUHET TEKNOLOGJIA E LARTË, JO TEKSTILET
 
Përvoja e Izraelit në hapjen e industrive të teknologjisë së lartë ishte një sugjerim i fortë që u dha në konferencë nga z.Jacob Faas, drejtues i këtij komuniteti biznesi në Izrael. “Nuk jam dakord që ju të investoni në tekstilet ku të krahasoheni me Indonezinë që prodhon me 1 dollar, por të investoni në teknologjinë e lartë.
 
Në Izrael ne investuam një fond të vogël dhe sot kemi fitime deri në 5 miliardë dollarë. Ideja është që kishim 1100 apo 1200 biznese dhe këto arritën të gjeneronin para e të futeshin në bursë. Ne arritëm të ndryshonim mënyrën sesi mendonim. Këtu nuk dëgjova për nanoteknologjinë, për nanomjekësinë, mirëpo këto ju bëjnë vend të varur nga BE-ja kur ju mund të jeni të konkurueshëm.
 
Ju duhet të tregtoni veten jashtë, të bëni shfaqje, të tregoni se çfarë projektesh nisni. Kam jetuar në Japoni për 10 vjet. Kam bërë një konsorcium atje me Mitcubishin. Ata nuk kishin detaje fare për projektin. Kam ardhur dje me avion dhe dëgjova shqiptarë që vinin nga SHBA e flisnin një anglishte të mirë. Këta duhen shfrytëzuar.  Kam qënë ambasador i Izraelit në Tajvan. Ata hodhën poshtë idetë tona dhe vendosën të ndërtonin vetë industrinë e tyre të aviacionit dhe ta ngrinin vetë një satelit me njerëzit që kishin punuar në Amerikë.
 
Përse duhet të investoni në Evropë? Evropë është në krizë? Synoni vendet përtej saj, synoni vepra të mëdha. Hëngra mëngjes sot tek “Sky”, por nuk pashë atje panele diellore kur ju keni kaq shumë diell. As për energjinë e erës nuk pashë. Çdo gjë krijon një industri. Futuni tek novatorizmi. 50% e energjive tuaja duhet të futen në teknologjinë e lartë: krijoni nanomjekësinë, përdorni fibrat optike, përdorni elektricitetin në hekurudha. Përpiquni të merreni me bioteknologjinë.
 
Nëse do organizoja një seancë të tillë do ta ndaja në dy pjesë: burokratët janë të mirë, por flasin për makro. Juve ju duhet mikro, me njëzet njerëz që të flasin për mikro, si unë.
 
Pra, ju nuk duhet të rrotulloheni vetëm tek fusha juaj, por shisni veten, dilni me projekte konkrete. Dje fola me një grup ministrash dhe doja t’u thoja: a mund të më jepni një listë projektesh? Ndoshta ajo ekziston, por është amorfe, nuk më nxit të përfshihem në të si investitor.

Vetëm mjete të vlerës së lartë të shtuar janë ato që sjellin 850 dollarë në vit. Sot, në Izrael, çdo person që punon në teknologjinë hap 2-3 vende pune dhe janë sipërmarrës nën moshën 30 vjeçare dhe unë mund t’ju jap emra,”- përfundoi përfaqësuesi i biznesit izraelit.
 
"BIZNESI I VOGËL SOCIAL, NJË SHANS I RI I PUNËSIMI"

Znj. Mathias Kollatz-Ahnen, një përfaqësuese e huaj për bizneset e vogla sociale, që afrojnë vende pune, solli eksperiencën dhe propozimet e saj:” Ne kemi ngritur një ekip në Shqipëri prej një viti, që bën edhe trainime. Ky ekip nuk është tjetër përveçse një “inkubator” për zhvillimin e bizneseve, si mund të hapim punë. Kemi investuar pak, psh në një biznes social “Rozafa”, gra profesioniste. Tani kemi hedhur tek një tjetër investim, një kafe për personat me aftësi të kufizuara, që të hapim vende pune për ta. Do hapim dhe një qëndër riaftësimi. Shqipëria nuk ka mundësi punësimi njerëz me diploma, por ka për njerëz me aftësi, si zdrukthtar, elektricist.  Pra, ne po fokusohemi tek bizneset sociale që të krijojmë një model të ri ekonomik.”

PELESHI: DO TE HAPIM INDUSTRINË TEKSTILE, KA QËNË E SUKSESHME
 
Zv.Kryeministri i Qeverisë “Rama”, Niko Peleshi, dha idetë e tij për hapjen e vendeve të punës, duke vënë prioritet industrinë tekstile, tashmë të mbyllur por dikur shumë të sukseshme.
 
“Ne si qeveri duhet të përmballemi me modelet teorike, të jemi si ndërlidhës të modeleve ekonomike me dëshirat, pritshëmritë e qytetarëve. Doja të përmendja një aspekt mjaft të mirë të qeverisjes, vullnetin e mire, por që nuk mjfaton për të zgjidhur problemin. Dua t’i siguroj të gjithë se me këtë mund të bëjmë më shumë. Çfarë pret komuniteti? Pret një siguri më të madhe jetese, duan siguri, shërbime më të mira mjekësore, të jenë të sigurt se e ardhmja e fëmijëve të tyre është e garantuar.

Pra, jo çdo gjë bëhet me vullnet të mirë, por mund të realizohen shumë aspekte të tjera. Kur themi se modeli ekzistues i ekonomisë ëhstë i ezaruar, e themi se ai nuk mundi të krijojë vende pune, nuk rriti të ardhurat. Ndaj duhen investime të huaja të drejpërdrejta dhe kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë, nga globalizimi. Do të jemi shumë miqësore më investimet e huaja të drejtpëdrejta, do t’i mirëpresim.

Le t’i kthehemi tani industrisë tekstile, që ka shumë potencial në Shqipëri dhe ka ekzistuar. Ne kemi eksportuar në Hollandë në Gjermani e vende të tjera të Evropës. Pse ky sektor është në depresion? Kemi humbur deri në 3 mijë vende pune në një rajon, kryesisht gra. Pse ka ndodhur? Sepse nuk ëhstë trajtuar me prioritet nga qeveria dhe ka pasur probleme me energjinë elektrike. Qeveria nuk u shqetësua të zgjidhte para çdo gëje tjetër furnizimin e tyre me energji elektrike. Tani, ne s’i kemi tëra pjesët e zinxhiriti për t’i grumbulluar këto njësi. Kostoja e punës është shumë konkuruese në të. Pra, në rastin e industrisë tekstile do ta mbështesim krijimin e vendeve të punës,”- përfundoi Peleshi.

VELIAJ: DO TË PËRMBYSIM MENTALITETIN E “PUNEVE TË PISTA”, ZANATEVE
 
Erion Veliaj, ministër i ardhshëm në qeverinë “Rama” tha ne synojmë të krijomë 300 mijë vende pune e të përmysim mentalitetin e “Punëve të pista”, që janë zanatet në të vërtetë, si hidraulik, elektricist etj. “Në vend që të përcaktojmë ambicien me vendet e zhvilluara, ne duhet të krahasohemi me vendet e rajonit me të cilët ne jemi pas. Si  mund ta ndryshojmë këtë situatë?
 
Prindërit shqiptare mezi presin të dërgojnë fëmijët në shkollë por nuk i çojnë ku duhet. Shohim avokatë që shesin patate të skuqura dhe duhet të orientojmë se nuk ka vende pune për këtë inflacion diplomash. Ne i kemi shpallur luftë, “punëve të pista”, si hidraulik, elektricist” etj. Jo, ne duhet të bëjmë të kundërtën. Ne dje bëmë një eskursion dhe takuam njerëz që na thanë që duam “një Shqipëri që të mos jetë armiku ynë”.
 
Le të përmendim Turqinë, historinë e atij vendi që tregon sesi qeveria dhe sektori privat mund të punojnë bashkë. Punësimi i të rinjve është shqetësues. Shifrat thonë 30% të të rinjve janë pa punë, por realisht janë 60%.”
 
HAPJA - SHQIPERIA DHE BOTA - FRYMEIZIMI PER NJE RILINDJE EKONOMIKE

AHMETAJ: EKONOMIA DUHET TE KALOJE NGA KONSUMI TEK PRODHIMI


"Qeveria ka borxh 400 milione euro dhe kjo lidhet me bankat me biznesin,"- tha ministri i ardhshëm Arben Ahmetaj, - " sepse flasim për hua të këqija dhe këto janë edhe detyrimet e qeverisë mbi biznesin.

Kjo qeveri do të përballet me një situatë emergjente energjitike, më pas do të vijojë me sfidat afatgjata. Kjo ekonomi duhet të shkojë nga konsumi tek prodhimi. Flas për rigjallërimin e prodhimit të brendshëm dhe zëvendësimin e importeve duke e orientuar tek eksporti. Prodhimi i brendshëm, punësimi e këto e bëjnë që rritja ekonomike të mos mbetet më një retorikë. Të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë nëse nuk arrijnë një rritje të mirfilltë ekonomike atëherë gjithcka mbetet një retorikë. Shqipëria e ka konsumuar borxhin nga të gjithë koorporatat. Flasim për një ulje të reminitancve.

Ne po shkojmë tek një element shumë i rëndësishëm që janë investimet e huaja të drejtpërdrejta. Kjo qeveri ka sfidën të nxisë situatën . Na duhet të bëjmë pazar për të tërhequr këto investime të drejtpërdrejta. Në këtë një apo dy vjet do të duhet që të shkojmë pas historive të suksesit.

ISH- MINISTRI SUEDEZ I EKONOMISE: SHLYENI BORXHET, JU MBAJNE PENG

"Kam vetëm 12 orë që gjendem në Shqipëri dhe do të doja të flisja për mësimet që ne kemi nxjerrë në Suedi dhe dua që këto t'i merrni edhe ju,"- tha z.Leif Pagrotsky, - ish-ministër i Ekonomisë në Suedi.- "Kam shpenzuar mjaft energji si Ministër i Ekonomisë për të tërhequr eksportet. Ju jeni një vend që keni fqinj me probleme të mëdha si Italia dhe Greqia. Por jeni me fat që jeni fqinj me një ekonomi në rritje si Turqia dhe kjo do t'ju ndihmojë si një mbështetje për zhvillimin tuaj. Duke lexuar për Shqipërinë , mund të them që kur je në politikë duhet të bësh dicka duke i premtuar dikujt.

Ulja e taksave është shumë e rëndësishme. Pse duhet të marrësh taksa kur do të rrisësh ekonominë? Suedia nuk mund të merrej me vlerësime dhe proceduarat që aplikoheshin nga tatimorët në të gjithë vendin . Kjo nuk ka të bëjë me shifrat në vetvetë por ka të bejë me thjeshtimin.

Gjëja e fundit që dua të them është e rëndësishme, por pak më e vështirë është që të bazohet ekonomia juaj në deficit dhe borxhe është shumë e rrezikshme. Mund të duket gje e mirë në aspektin afatshkurtër por ata që ju kanë dhënë borxh mund t'jua kërkojnë para kohe si na ndodhi neve në 1992, gjëja me e mirë që bëmë në 20 vitet e fundit ishte të dilnim nga ky makth. Ne humbën vota, humbën zgjedhje por ne tani jemi në pozicionin e duhur."

YILMAZ: MERRNI VENDIME ME DYER TË MBYLLURA E DILNI ME NJË ZË PARA PUBLIKUT

“Shqiptarët që jetojnë jashtë,”- tha z.Durmus Yilmaz, ish-Guvernator i Bankës Qëndrore të Turqisë,  -“po dërgojnë më pak para dhe ekonomia nuk merr tani atë që merrte më parë. Ndaj duhen marra masa pa vonese dhe kjo qeveri të marrë vendime me dyer të mbyllura, sepse kjo qeveri është një koalicion dhe diskutimet duhet të merren me dyer të mbyllura dhe vendimet të dalin me një zë të vetëm, me qëllim që të  mos krijohen probleme tek publiku, as pesimizën dhe as optimizën i tepruar.
Çdo gjë që do të bëni duhet të jenë të buzhetuara, sepse nëse nuk ka zë në buxhet për atë që do bëni, atëherë s’ka disiplinë fiskale.

ZNJ.ELLEN GOLDSTEIN, DREJTORE E BB: 4 DREJTIME KU DUHET TE SYNOJE QEVERIA E  RE

Drejtuesja e Bankës Botërore në Shqipëri e nisi fjalën e saj me hyrjen në Shqipëri për herë të parë. Ajo rrëfeu sesi kishte ardhur në Shqipëri dhe i duhej një hartë, por një i ri i kishte sugjeruar “Google map” në një qëndër interneti! Ky fakt e kishte habitur shumë dhe ishte bindur sesa shumë ndryshime ishin bërë në këtë vend.
 
“Unë do sugjeroja katër fusha prioritare: të parandalohet; të krijohen vende pune; dhënia e shërbimeve; mbrojtja e shërbimeve natyrore.
 
Parandalimi i krizave – ne e dimë që të sigurohemi të mos ndodhin gjëja të këqia është prioritare. Sektori i energjisë ka shumë probleme, investimi ka qënë neglizhent, tarifat nuk mbulojnë kostot e tanishme dhe institucionet financiarisht kanë hequr dorë. Qeveria duhet të marrë masa për dimrin dhe të shohë aspektin fiskal.
Përveç parandalimit të të këqiave, qeveria duhet të bëjë çmos për krijimin e vendeve pune, qoftë edhe në aspektin afatshkurtër dhe reformat në këtë fushë kanë mbetur pas. Një nga prioritetet është që të mbarohet regjistrimi i pronave. Por kufizimi më i madh në aspektin afatgjatë.
 
Kujdes me analfabetizmin sepse të dhënat tregojnë se gjysma e të rinjve janë analfabetë funksionalë.
 
Në aspektin e shërbimeve, duhen masa që të jepen shërbime më të mira dhe qeveria paguan më shumë për interesat se për arsimin. Edhe mosha e pensionit, sistemi nuk është aq funksional, por duhet të rritet besimi tek institucionet publike.
 
Pika e fundit ka të bëjë me djepin e Shqipërisë, burimet natyrore, ka disa pika të nxehta, si menaxhimi i mbetjeve dhe do ta vendosin Shqipërinë në rrezik. Kur isha në Porto Romano, BB ka ndihmuar për ta pastruar dhe atje shikojmë se kemi një kopësht për fëmijë në një zonë që dikur ka qënë toksike. Qeveria mund të bëjë më shumë në këtë aspekt. Menaxhimi i mbetjeve do parë krahas menaxhimit të ujërave.
 
Unë mora familjen time dhe erdhëm këtu me pushime, sepse ëhstë një vend i mrekullueshëm që duhet të mbrohet. Pra, ndër shumë e shumë çështje,  unë zgjodha këto të katërta,”- përfundoi drejtuesja e Bankës Botërore në Tiranë.

CANI: DOGANAT DHE TAKSAT DUAN NDRYSHIM RRËNJËSOR

Ministri i ardhshëm i Financave, Shkëlqim Cani, që mbylli panelin e parë të diskutimit për ekonominë e vuri theksim tek ndryshimi rrënjësor në Dogana dhe Tatime. Ai tha: “Stabiliteti financiar kërkon dhe stabilitet të ekonomisë. Ekonomia ka hyrë në një fazë interesante dhe realitet të vështirë. Pika e parë që do të thoja, janë reformat strukturore, modeli i ri dhe liberalizmi i ekonomisë.
 
Si pikë e dytë do ishte mirëqeverisja. Është një fjalë e gjërë për gjithë qeverinë, por unë do specifikohesha tek Doganat dhe Tatim-Taksat, që duhet të shohin një përmirësim rrënjësor lidhur me monopolet, korrupsionin etj.
 
Por duhet edhe një përmirësim i klimës me biznesin. Duhet mbyllur epoka e marrëdhënieve të tensionuara me biznesin dhe duhen ndërtuar shërbime të reja për klientelën, zyrën e ankesave, trasnparencën e parave të taksave dhe tatimeve, të mbyllet periudha e ndryshimeve të përmuajshme të akteve nënligjore,”- përfundoi Cani.  Diskutimet e plota të panelit të parë në "Shqipëria e gjeneratës tjetër"

Redaksia online
(ar.sh/j.k/shqiptarja.com)

 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre