Si bëhet vlerësimi i pronave? Na kanë shkruar shumë qytetarë të interesuar.
Kemi pasur shumë shqetësime për këtë temë, e cila është me shumë interes për qytetarët, duke qenë se vlerësimi i pronave nuk është bërë në bazë të kritereve dhe vlerësimeve reale. Qeveria tani është duke punuar me një projektligj për ta saktësuar pronën në zonën e caktuar, për t’i dhënë çmimin dhe vlerën reale sipas zonës.
Në datën 1 prill ky projektvendim do të kthehet në vendim dhe do të kalojë pranë bashkive, në koordinim me hipotekat ku janë të regjistruara pronat dhe qytetarët do të interesohen që, për çdo pronë që kanë, zëri kadastral për qytetin dhe për fshatin, do të vlerësohen me vlerën reale sepse kanë pasur një vlerë të përgjithshme.
Po e konkretizoj termin vlerë reale me një shembull: në rast se qytetari ka një apartament me sipërfaqe 100 m2, dhe që quhet apartament i ri nëse është ndërtuar pas vitit 1993-1994, sepse apartamentet ndahen në dy kategori: ata që janë ndërtuar para vitit 1993, kryesisht me punë vullnetare nga ndërmarrjet dhe apartamente të reja të ndërtuara pas vitit 1993-1994 nga firma ndërtuese. Nëse kostoja e këtij apartamenti shkon 100 000 euro, atëherë taksa e apartamentit do të shumëzohet me 0,55% të vlerës, që do të thotë se qytetari paguan 55 euro në vit për këtë banesë.
Në rast se qytetari ka një banesë të vjetër, atëherë taksa do të llogaritet me këtë raport por do të zbritet 30% e shumës dhe diferenca që mbetet do të jetë taksa e apartamentit, për arsyen se këto apartamente kanë amortizim. Do të bëhet një grafik edhe për bodrumet, për garazhet, por gjithmonë duke u referuar te njësia apartament.
Qytetarët duhet të kenë kujdes që të orientohen drejt Bashkisë së Tiranës, ku do të marrin sqarimin më të saktë për këtë taksë. Duhet të kenë me vete një fotokopje të certifikatës, kartelën e pasurisë dhe kartën e identitetit. Në bazë të këtyre dokumenteve, specialistët japin shpjegimin për taksën reale që do të paguajnë.
Jam invalid pune dhe ju pyes a duhet të paguaj taksën e shtëpisë?
Është e sanksionuar me ligj që çdo qytetar qoftë invalid qoftë i papunë që merr përkrahje sociale, përjashtohet nga taksa e bashkisë sepse këta vetë ushqehen me ndihma sociale dhe nuk munden të paguajnë. Në qoftë se zotëria ka një banesë nuk paguan. Nëse ka dy banesa duhet të paguajë për të dytën.
Kam pronën e babait. E ka blerë tokën në vitin 1960 për ndërtim banese. Në qoftë se nuk ndërtohej banesë në atë pronë, ta shtetëzonte shteti. Unë i kam të gjitha dokumentet në rregull, me taksën që është paguar atëherë në Komunale, me leje ndërtimi, me planimetri. Shtëpia është ndërtuar në këtë pronë. Projekti ka qenë për dy kate, por u ndërtua vetëm një kat, që në vitin 1960. I kam të gjitha të regjistruara në hipotekë dhe pas vitit 2006, një i ashtuquajtur pronar na ka bërë mbivendosjen në pjesën e bahçes. Ne kemi 412 m2 tokë. Dhe kaq është blerë më 1960, 7 400 lekë. Kam shkuar në hipotekë për të nxjerrë certifikatën e pronësisë dhe atje më thanë që kam mbivendosje. Kam takuar kryeregjistruesin që ka qenë dhe më tha që vetëm me gjyq mund ta zgjidh. Unë nuk kam pse të shkoj në gjyq.
Nëse ndërton një banesë me leje, brenda truallit që ke blerë nga shteti, shteti është i detyruar që ta regjistrojë këtë pronë. Në këtë rast ka ndodhur përplasje midis institucioneve. Ka vepruar dhe vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave që këtë pronë ia ka kaluar dikujt tjetër. Tani në hipotekë del regjistrimi me emër tjetër. Kemi shumë raste të tilla që po dalin me mbivendosje të tapive.
Prokuroria ka bërë edhe arrestime për falsifikime dokumentesh. Ka kohë që brenda institucioneve tona ndodhin këto fenomene. Normalisht këto çështje i zgjidh vetëm gjykata sepse nuk ka më të drejtë hipoteka të fshijë një certifikatë pronësie. Këtë të drejtë e ka pasur kohë më parë kryeregjistruesi. Me vendim të Gjykatës Kushtetuese iu hoq kjo e drejtë dhe iu la në dorë gjykatës sepse bëheshin shumë abuzime. Dhe zonja duhet t’i drejtohet gjykatës sepse hipoteka nuk mund t’ia zgjidhë më problemin.
Kam një ngatërresë me tokën ku kam ndërtuar shtëpinë. I kam mbyllur dokumentet për tek ALUIZNI. Shumë kohë më vonë më kthyen përgjigje se më është ngatërruar parcela. Parcela ime figuron një parcelë më poshtë. Kam marrë një topograf që ka bërë një hartë, por e bëri gabim se duhej firma e kufitarit. Kufitari nuk ma jep firmën. Tokën e kam blerë nga një pronar dhe e kam me certifikatë të rregullt.
Ky qytetar ka blerë tokën, por kur e ka blerë nuk është konsultuar me një topograf, që t’i tregonte në terren kufijtë realë të pronës. Ka shkuar direkt te zyra noteriale dhe ka bërë një akt noterial, me të cilin merr kartelën. Por duhet të kemi një gjë parasysh që për tokat bujqësore vlerën më të madhe e ka harta, ku tregohet vendosja e pronës. Edhe pse ke një hartë treguese nga hipoteka, përsëri duhet marrë një specialist dhe duhen kontrolluar në terren kufijtë e tokës. Këtë këshillë e them edhe për zyrat noteriale që punojnë me kontrata, të cilat duhet të komunikojnë me topografë specialistë për të tilla raste.
Kjo është një ngatërresë që ka ndodhur në të gjitha komunat e Tiranës e kudo. Tani kur zotëria dërgon dokumentet tek ALUIZNI i del që parcela e vet ndodhet te parcela e komshiut. Kjo zgjidhet ose me marrëveshje ose në gjykatë. Meqenëse ky fenomen po haset shumë shpesh, dhe i bie që gjykata të punojë vetëm me këto çështje, qeveria ka vendosur të azhurnohet zona dhe po futet në sistem. Kështu që qytetari të ketë durim dhe të presë. Unë e ftoj zotërinë në studion time për të biseduar më hollësisht dhe të gjejmë një zgjidhje teknike, pa shkuar në gjykatë.
Kam dy prona, të pashpronësuara. Janë bërë ndërtime pa leje. Si thotë ligji, te pronat e pashpronësuara a mund të ketë mbivendosje?
Në qoftë se zotëria ka marrë një pronë nga Komisioni i Kthimit të Pronave, ose edhe nga ligji nr. 7501 sepse mund të jetë edhe tokë bujqësore, por me forcë ia kanë zënë. Ky fenomen dihet që ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Me futjen në fuqi ose me zbatimin e ligjit të legalizimit, kjo gjë zgjidhet me ligj. E ka marrë përsipër legalizimi që të bëjë shpronësimet.
Qytetari që ka ndërtuar paguan faturën pranë legalizimit dhe legalizimi bën shpronësimin e qytetarit për pjesën që i është zënë toka. Zotëria nuk ka përse të shqetësohet, nuk ka përse t’i drejtohet gjykatës. Kjo gjë është zgjidhur me ligj dhe po punohet që aty ku ka legalizime, bëhet edhe shpronësimi. Nëse në këtë zonë ende nuk ka filluar legalizimi, qytetari duhet të presë fillimin e procesit të legalizimit që të marrë shpronësimin për tokën e tij.
Kam marrë tokën sipas Ligjit nr. 7501, por nuk kam marrë tapinë e tokës. Si mund të veprojmë? 10% e fshatit e ka marrë tapinë e tokës, pjesa tjetër jo. Kemi një akt pronësie të vitit 1992, kur u nda toka.
Ky fenomeni i tapive ose Ligji nr. 7501 që është akoma në fuqi dhe që vepron për tokat bujqësore, është i pafund. Unë kam shumë shpresa dhe po jap një mesazh për qytetarët. Puna e tokave ka lidhje me Vetting-un, do të thotë që çështja e Vetting-ut do të sistemojë edhe problemin e çështjeve të pronësive se të gjitha gjyqet që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri, në pjesën më të madhe janë të manipuluara. Një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë punuar për interesat e tyre dhe jo për interesat e qytetarëve.
Qytetarët mund të shpresojnë që ky do të jetë viti i fillimit të pastrimit. Në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje, duhet të konsultohen pranë studiove ligjore që kanë tagër për këto çështje. Për rastin konkret, pushteti vendor, me ndarjen e re administrative, po punon, sidomos në rrethinat e Tiranës por edhe në të gjithë Shqipërinë, për futjen e zonave në sistem sepse për 27 vjet kemi qenë si një magazinë pa inventar, vetëm hynin e dilnin letra. Tani ka ndryshim.
Unë e ndjej se punoj vetë me njerëzit dhe ndryshimi po preket edhe në hipoteka. Po futen zonat në sistem, që do të thotë të kemi një tokë të përcaktuar me koordinata të sakta, dhe pikërisht këtu duhet të fillojë veprimi, ndërsa më parë hartat punoheshin me dorë, nga njerëz shpeshherë jo specialistë topografë dhe këto harta futeshin në hipotekë. Tokat aty janë, por duhen sistemuar dokumentet. Qytetarët të presin që zona e tyre të futet në sistem dhe për këtë po punohet.
Që në vitin 1993 kam ardhur me shtëpi në Kamëz. Kam marrë tokën në atë kohë me noter dhe me firmën e pronarit. I kam paguar të gjitha detyrimet shtetit, tek ALUIZNI e te hipoteka. Kam 3 muaj që pres përgjigje nga hipoteka dhe nuk më ka ardhur. Kam bërë dy ankesa dhe përsëri s’kam marrë përgjigje.
Zonja nuk na e shpjegoi se ku apo kujt ia ka blerë pronën zonja në vitin 1993. Kemi dy raste të blerjes së pronës. E zëmë se zonja ka marrë një vërtetim në vitin 1993, me një vulë katrore të vogël, ku thuhet data dhe numri i regjistrimit të pronës. Pas kësaj zonja duhej të kishte aplikuar për certifikatë. Zona e Kamzës para 6 muajve ka hyrë në sistem. Ka qenë zonë jashtë sistemit dhe është punuar me hartën e vjetër. Tani që Kamza ka hyrë në sistem, duhet të aplikojë për certifikatë. Të shkojë në hipotekë, të bëjë një plan rilevimi për pronën e vet, të ketë dhe dokumentin e vjetër dhe të aplikojë edhe një herë për certifikatë pronësie.
Kam një pronë në Ersekë, 32 dynymë tokë, kemi toka ku janë bërë ndërtesa nga të tjerë, kemi dhe toka të pazëna dhe tani po bëjmë një gjyq atje. Ka dy vjet që motra sillet vërdallë, dhe avokatja nuk po na jep asnjë zgjidhje. Një herë thotë se e ka Gjykata Administrative, tani na thotë se e ka Gjykata e Apelit. Lekë sot e lekë nesër. Motra mbeti duke dhënë vetëm lekë. Komisioni i Kthimit të Pronave na kërkoi vendim gjykate për një gabim në emër.
Me sa kuptova, zonja ka pronë të trashëguar në trungun familjar, në Ersekë. Ka dorëzuar dokumentet pranë Komisionit të Kthimit të Pronave. Një pjesë mund të jenë tokat bujqësore që i ndau Ligji nr. 7501, që kanë qenë shtetëzuar në vitin 1946 nga Reforma Agrare dhe mund të jetë zënë. Një pjesë mund të jenë toka të lira dhe i janë kthyer fizikisht pronarit dhe pjesa tjetër ka mbetur për kompensim.
Unë e kam thënë dhe herë tjetër që Komisioni po punon akoma me dosjet e vitit 1997 për shpronësimet. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që janë vlera të mëdha financiare dhe nuk mund të kompensohen të gjithë brenda një dite. Duhet të bëjnë durim. Komisioni e ka bërë shpronësimin me faza. Nëse qytetarit i duhen para shpejt, mund të marrë 20% të vlerës, ose më pak. Në qoftë se dikush ka durim, i merr në fund të gjitha.
A ka të drejtë një person ta shesë tokën që e ka marrë sipas Ligjit nr. 7501?
Po. Në rast se personi zotëron një certifikatë pronësie, qoftë nga Ligji nr. 7501, qoftë nga Komisioni i Kthimit të Pronave, qoftë dhe nga një institucion tjetër që ka tagrin për të dhënë tituj pronësie, ka të drejtë të shesë e të blejë ose ta japë këtë pronë me qira. Nëse ka marrë certifikatën e kësaj toke, është pronar. Ka tagrin të shesë nëse ka marrë certifikatën nga hipoteka.
* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431
d.c./shqiptarja.com











