Eksperti i naftës Kastriot Bejtja:
Shitblerja e ARMO-s, e dyshimtë

Eksperti i naftës Kastriot Bejtja:<br />Shitblerja e ARMO-s, e dyshimtë
TIRANE - Ekspertët thonë se rishitja e 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO është një transaksion i dyshimtë financiar që thellon krizën e sektorit të naftës. "Po aplikohet e njëjta skemë e zbatuar që në momentin e privatizimit të ARMO-s para 5 viteve, tani për t'i dhënë asaj një retushim me një model tjetër. Problemet që ka kjo shoqëri: financiare, të detyrimeve palëve të tjera, të detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit apo individëve të ndryshëm, nuk zgjidhen me këtë transaksion", tha dje për median Kastriot Bejtja, ekspert i industrisë së naftës.

Sipas tij, transaksioni përmbyll një periudhë të errët 5-vjeçare të administrimit të naftës në Shqipëri, gjatë së cilës prona publike është vjedhur nga një grusht njerëzisht përmes mashtrimeve, të toleruara dhe dirigjuara nga ministria e Ekonomisë. Sipas tij, dëmi i shkaktuar qytetarëve nga grabitja e naftës është i pallogaritshëm. "Meqënëse zyrtarët e kësaj ministrie në qëndrimin apo me mosveprimin e tyre ndaj detyrimeve ligjore po i shkaktojnë një dëm të pallogaritur shtetit shqiptar dhe interesit publik, ata duhet të përballen me ligjin për të treguar se sa dëm i kanë bërë këtij shteti", tha Bejtja.

Kontrata e privatizimit të ARMO-s parashikonte një sërë detyrimesh ligjore ndaj privatit së bashku me penalitetet përkatëse. Sipas marrëveshjes për pesë vjet pronari i ri duhet të investonte 200 milionë dollarë, të modernizonte teknologjinë dhe të prodhonte karburante me standarde europiane. Në fund të 5 viteve asnjëra nga kushtet nuk u përmbush.

Përkundrazi kompania ka akumuluar detyrime financiare të papaguara në rendin e qindra milionë dollarëve ndaj shtetit, punonjësve, por edhe palëve të treta. METE ndërkohë dha OK për transaksionin, që ja transferon pronësinë e ARMO-s një kompanie të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument