Eksperti: Si zgjidhen problemet me kufijtë e pronave

Eksperti: Si zgjidhen problemet me kufijtë e pronave

Eksperti Gjergj Begaj

Si çdo javë eksperti i çështjeve të pronave Gjergj Begaj ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e ndryshme, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli.

Në këtë emision eksperti Begaj është fokusuar fillimisht tek problemet që kanë qytetarët që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Po kështu ka sqaruar edhe disa problematika me kufijtë e pronave. Gjithashtu eksperti Begaj ka sqaruar disa raste me probleme legalizimi dhe disa problematika të tjera që kanë ngritur qytetarët live në Report Tv nëpërmjet telefonatave.

Do të flasim pak për banorët që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Si duhet të veprojnë, me daljen e aktit normativ të vitit 2012? Çfarë është ky akt?
Ky akt normativ në fakt doli si nevojë e kthimit të pronave, më shumë të objekteve, banesave të ish-pronarëve, të cilat ishin marrë nga shteti monist, sepse një pjesë e këtyre shtëpive kanë qenë të sekuestruara. Në atë kohë shteti futi në këto banesa qytetarë me autorizime, të cilët nuk kishin strehim. Kaloi një kohë e gjatë dhe disa prej këtyre banorëve kanë banuar edhe 50 vite në këto shtëpi.

Në vitin 2012 qeveria Berisha nuk hartoi një ligj, por bëri një akt normativ që këto shtëpi t’u ktheheshin ish-pronarëve dhe banorët që kishin banuar në këto shtëpi të merrnin kredi të buta ose me interes zero nga shteti, për të blerë shtëpitë e tyre. Në fakt ky akt normativ u keqpërdor edhe nga gjykatat edhe nga përmbaruesit dhe këtë e kemi parë në shumë raste konkrete, kur banorët janë nxjerrë nga shtëpitë dhe nuk kanë përfituar kredi, kështu që kanë mbetur të pastrehë.

Ky akt normativ duhet të rishikohet nga ligjvënësit sepse nuk mund të kënaqim njërën palë pa rregulluar edhe palën tjetër. E them këtë sepse e dimë që janë favorizuar ish-pronarët, të cilët kanë të drejtën e tyre mbi këto prona dhe duhet t’u kthehen, por, duke gjetur një zgjidhje optimale edhe për banorët që dalin nga këto shtëpi dhe jo të lihen në mes të katër rrugëve. Një pjesë prej tyre, ne e kemi parë shumë mirë, kanë fjetur edhe nëpër çadra. Prandaj ky akt normativ duhet riparë patjetër dhe të kthehet në ligj.

Flas nga Lezha. Jemi katër familje dhe kemi një pronë shumë të madhe këtu në Lezhë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1994, i jepet dikujt tjetër, në një kohë kur Komisioni i Kthimit të Pronave na kishte njohur të gjithë ne si pronarë të kësaj prone. Kemi bërë gjyq për 20 e ca vite dhe më në fund, Gjykata Kushtetuese vendosi që të gjitha gjyqet që janë bërë më parë, janë të jashtëligjshme. I kemi dërguar letra qeverisë dhe ministrit Ahmetaj dhe na vjen përgjigjja ku thuhet se kemi shumë të drejtë, por problemi qenka me Bankën. Çfarë të bëjmë ne tani?
Zotëria, bashkë me familjarët, kanë marrë nga Komisioni i Kthimit të Pronave një pronë të trashëguar. Zotëria gjithashtu thotë që Kryeministria ka ndërhyrë me një vendim të saj, dhe ia ka dhënë këtë pronë dikujt tjetër, me qira apo në përdorim, këtë nuk e dimë. Pra, dy institucione kanë vepruar me vendime të ndryshme, brenda një sipërfaqeje toke. Komisioni i Kthimit të Pronave ia kthen njërës palë si pronare, ndërsa Kryeministria me një vendim ia jep palës tjetër, që nuk e dimë se për çfarë e ka përdorur këtë pronë, ndoshta edhe për biznes.

Pronarët që e trashëgojnë këtë pronë, e kanë çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese dhe e kanë fituar. Ndërkohë, pala tjetër, që ndoshta e ka përdorur për biznes, që ka marrë edhe kredi, ka problem me bankën, është debitore. Pra banka e mban këtë pronë nën sekuestro deri sa të shlyhet vlera e kredisë. Ky është ngërçi që është krijuar. Duhet të shlyhet borxhi që të kalojë prona.

Ky është një problem që i mbetet përsëri gjykatës sepse është e koklavitur. Është një spirale: shteti me individët dhe bankat. Zotëria normalisht duhet t’i drejtohet përsëri ose Gjykatës Administrative, ose duhet të vazhdojë përsëri ta pastrojë me anë të gjykatës, ose të vazhdojë rrugën ligjore ose të gjejë rrugën e kompromisit dhe të zgjidhet çështja.

Flas nga Shkodra. Jetoj në një lagje në periferi të qytetit të Shkodrës. Jemi autoktonë, të lindur dhe të rritur këtu. Desha të di se përse nuk më bëhet legalizimi i shtëpisë, meqë unë nuk jam banor i ardhur këtu por autokton, në këtë lagje 500-vjeçare. I kam bërë të gjitha procedurat dhe më ka ardhur një përgjigje nga ALUIZNI që nuk e përfitoj legalizimin, meqë banesa është afër një lumi. Dakord jam që banesa ime ndodhet afër lumit, por shtëpia ime është ndërtuar këtu shumë vite para vitit 1990. Dokumentet që posedoj janë në emër të prindërve. Unë dua dokument të legalizuar nga shteti në emrin tim sepse prindërit kanë kohë që kanë vdekur.
Për të gjithë banorët që kanë ndërtuar para viteve ’90, ka lindur si nevojë Ligji nr. 608, sipas të cilit, me regjistrimin e këtyre pronave merren bashkitë. Ky nuk është problem i legalizimit. Normalisht legalizimet kanë procedurat dhe rregullat e tyre për të bërë legalizimin e një banese ose të një lagjeje sepse do të thotë legalizim-urbanizim. Në qoftë se aty ka një projekt zhvillimi nga Bashkia e Shkodrës, si p.sh. zgjerimi i shtratit të lumit ose është parashikuar diçka tjetër, atëherë legalizimi në këtë zonë nuk kryhet.

Por çfarë duhet të bëjnë qytetarët? Ata që i kanë shtëpitë të ndërtuara para viteve ’90, normalisht që duhet të favorizohen nga ligji i bashkisë. Duhet të shkojnë me urgjencë në Bashkinë e Shkodrës për të vepruar sipas Ligjit nr. 608. Ndoshta projekti që mund të ketë bashkia mund ta vazhdojë ecurinë e tij, por banorët dokumentet duhet t’i dorëzojnë në bashki, me qëllim që në të ardhmen të marrin shpërblimin e kompensimit të shtëpisë. Kjo është njëra rrugë.

Ndërsa rruga tjetër është ajo ligjore, me parashikim fitues që kanë kaluar 20 vjet në këtë banesë. Në fakt zotëria thotë se banesa është ndërtuar para viteve ’90, pra ka kaluar dyfishi i kohës. Pra, ky problem ka zgjidhje, por fillimisht duhet të interesohen pranë Bashkisë së Shkodrës, për Ligjin nr. 608 dhe të vazhdojnë procedurën standarde sepse kjo nuk është procedurë e ALUIZNI-t.

Flas nga Durrësi. Kemi një shtëpi në fshat. Një person i familjes e ka marrë këtë shtëpi dhe thotë që është e tija. Në fakt ajo shtëpi është e babait të bashkëshortit tim. Nuk po gjejmë asnjë dokument. Si duhet të veprojmë për ta marrë atë shtëpi?
Është rast i njohur ky, që një banesë e cila është banuar nga një familje e cila mund të jetë larguar për arsye të ndryshme, i është lënë në përdorim dikujt tjetër ose është lënë bosh. Por zonja thotë që në shtëpinë e tyre ka hyrë dhe banon një familjar i tyre. Dokumente duhet të ketë patjetër sepse nuk ekziston shtëpi apo banesë që të mos ketë asnjë dokument. Zonja duhet të interesohet pranë arkivit të qytetit ku ndodhet, duhet të shkojë në Bashkinë e Durrësit.

Nëse këtu nuk gjen dokumente duhet të kërkojë në arkivin e Fushë-Krujës, ku ka harta shumë të vjetra dhe mund të gjendet edhe harta e shtëpisë. Duhet të gjendet një provë dhe pastaj mund të vërtetohet në gjykatë pronësia mbi shtëpinë me një nga këto dokumente. Kështu që duhet të bëjë përpjekje patjetër në arkivin e Durrësit, por edhe në Arkivin Qendror në Tiranë sepse mund të gjejë edhe këtu dokument nëse ajo është shtëpi e ndërtuar para çlirimit. Kërkimi i dokumentit duhet të bëhet në emër të vjehrrit sepse zonja kështu tha, që shtëpia ka qenë në emrin e babait të bashkëshortit.

Flas nga Korça. Kam një vendim gjyqi për çështje prone. Mirëpo hipoteka e Korçës ma ka zvogëluar pronën sepse kështu e ka nxjerrë ekspertiza e gjykatës. Nuk është ajo pronë sipas hartës së vitit 1939, por e kanë zvogëluar. Nuk e di për ç’arsye ka ndodhur kjo. A mund të më ndihmoni?
Siç duket zotëria ka bërë një gjyq për pronën sepse ka bërë edhe një akt ekspertize. Të gjitha hipotekat, në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë të detyruara të zbatojnë vendimet e gjykatës, të formës së prerë, ashtu siç i marrin, sepse nuk mund të diskutohen më vendimet e formës së prerë të gjykatës, të çfarëdolloj shkalle qoftë kjo gjykatë. Kryhet edhe një ekspertizë nga një ekspert i caktuar. Para se të merret vendimi, eksperti ka marrë informacionin dhe materialet e duhura si nga hipotekat ashtu edhe nga institucionet e tjera përkatëse dhe përgatit aktin e ekspertizës. Normalisht që prona vihet në vendin e vet.

Por, mund të kemi një problem, që ndoshta hipoteka mbi këtë pronë mund të ketë bërë një regjistrim të mëparshëm, meqë zotëria pretendon se i është zvogëluar prona. Ndoshta zotëria duhet ta ndjekë këtë problem me anën e një zyre përmbarimore, e cila ka edhe ekspertin e vet. Duhet parë edhe një herë matja faktike e tokës në terren nga një studio topografike, nëse përputhet kjo matje e re që do të bëhet me atë të ekspertizës së gjykatës.

Duhet marrë edhe informacioni nga hartat e mëparshme që ka hipoteka dhe të bëhet krahasimi. Që të jetë i qartë me veten, zotëria duhet t’i drejtohet një studioje topografike, të bëhet matja faktike e tokës, të merret harta me të cilën ka punuar hipoteka. Duhet të bëhen këto krahasime dhe të shihet se ku është problemi. Sepse s’ka mundësi që prona në terren të jetë e saktë dhe të mos pasqyrohet si e tillë në hartën e hipotekës. Ka diçka që nuk shkon.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eks. Gjergji Begaj: 09/05/2018 15:40

    I NDERUAR EKSPERTI JU MUNDE TE KENI SHUME TE DREJTE PER DISA GJERA POR SHKURTE KAM THEKSUAR PA FUTUR NE SHIFRA APO LIGJI NR X A Y POR JAM NE NJE LINJE QE PRONARVE TJU KETHET PRONA ,,, POR QE QEVERIA DUHET TE STREHOJE BANORET ..QE KAN JETUAR ATY.....

    Përgjigju
  • experti: 09/05/2018 09:12

    o expert. por ligji eshte bere per ti dhene atyre familjeve kredi ose te liberalizohen cmimet e qirave sipas lushteve te tregut. ligj i cili u hodh poshte nga qyqtari komunist fehmi abdiu. ai akt normativ u be ne kushte emergjence sepse cdo pronar e ka hedh shtetin shqiptar ne gjyq per marrje prone dhe ceshtjet kane shkuar ne strasburg dhe kostoja finaciare do te ishte me e madhe se GDP jone vjetore (imagjino banesa ngjit me ambasaden ruse ne bllok ka marre mbi 30 mln euro, kthim sendi dhe fitim te munguar ne gjithe keto vite) po sikur edhe pronat e tjera te kishin kete rezuktat?????? atehere u kerkua te mbahet pezull kjo procedure ne strasburg dhe u hartua ky akt normativ, qe sainir tahiri dilte dhe e kundershtonte me protesta ne cdocep te tiranes. dhe meqe je expert vllai, Akt normativ ka fuqine e ligjit, dhe eshe dekretuar edhe nga presidenti disa muaj me vone, verifiko dhe do e gjesh. si mendoni ju qe nje qiraxhi do pranoje te marre kredi me 0% per 30 vjet duke paguar nga 100 mije cdo muaj apo eshte me mire te jetoje ne vile ne mes te tiranes me vetem 100 leke qira mujore????? a dini ju qe godina ngjit me sahatin e tiranes edhe sot eshte nje pjese e zabtuar nga qiramarres ne prone private? a e di sa leke e kane tarifen mujore???? mos u beni qesharake por flisni me te drejten e Zotit, duke i dhene pronen atij qe ka derdh djerse e gjak ne historine e tyre familjare dhe djallezia e komunizmit i perlau dhe i syrgjynoai.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen