Ekspertiza rrëzon Gjikën, dha
leje ndërtimi një vit para pronësisë

TIRANE- Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika ka firmosur miratimin e lejës së ndërtimit për subjektin “En-Bjo Sh.p.k” dhe lejën për shesh ndërtimi, para se Gëzim Feta të bëhej pronar dhe përpara se mes Fetës dhe Gentian Sherifaj të ishte lidhur një marëveshje për ndërtimin e objektit. Gjithçka ka qënë e paracaktuar dhe se në kundërshtim me ligjin për urbanistikën, më parë është dhënë leja për ndërtim, se sa është siguruar dokumentacioni në hipotekën e Vlorës. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë aktin e ekspertimit të inxhinieres Luiza Bala, i cili në këtë fazë ku ndodhet gjykimi, është kontestuar shumë nga avokatët mbrojtës të kryebashkiakut Shpëtim Gjika.

Ekspertimi
I mbajtur më dt.03/04/2013, nga unë ekspertja teknike: Luiza Bala, arkitekte, drejtuese teknike dhe administratore e “GORA-Fier Shpk” me licencë projektimi-kolaudimi-mbikëqyrëse e punimeve dhe Vlerësuese e Shkallës së Parë të pasurisë së paluajtshme, thirrur në detyrën “Për kryerjen e Ekspertimit Teknik Urbanistik” për sqarimin e çështjes penale me nr.1532 të vitit 2012, mbështetur kjo në vendimin e dt 12/3/2013 e nxjerrë nga prokurori i çështjes Aurel Zarka,prokuror në prokurorinë Vlorë.

Për të sqaruar sa më qartë ato, u bë shqyrtimi i gjithë dokumentacionit teknik dhe ligjor të vëna në dispozicion nga prokurori i çështjes dhe që ndodhen në fashikullin penal të çështjes së mësipërme, si dhe verifikimi në vende i zonës dhe mbështetur në to, po u japim përgjigjet e pyetjeve dhe detyrave të caktuara në këtë vendim, si më poshtë vijon:
Pyetja. Sheshi i ndërtimit dhe leja e ndërtimit e miratuar me vendimin nr.1/11 datë 24/03/2010, a është në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligjin nr.8405 datë 17/09/1998 “Për Urbanistikën” dhe VKM nr.722 datë 19/11/1998 “Për miratimin e rregullores së Urbanistikës”, Planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Vlorës dhe studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës?

Përgjigje:
Dokumentet e ndodhura në fashikullin hetimor të çështjes së mësipërme, po i citojmë duke i analizuar sipas radhës:
1.Formulari nr.1-kërkesë për miratimin e destinacionit dhe kondicioneve urbane te sheshi i ndërtimit, mban në fund të saj firmën e Gëzim Feta dhe ka të shënuar vitin 2012. Kjo do të thotë se qytetari as kërkesë nuk ka pasur, në momentin që është bërë miratimi i sheshit dhe lejes së ndërtimit. 2.“Çertifikatë për vërtetim pronësie” e noterizuar më dt.31/05/2012, për pasurinë me nr/28/119, truall me sip.34 m2, e ndodhur në zk. 8602, pranë portit, Vlorë, pronë e Gëzim Feta. 3. “Çertifikatë për vërtetim pronësie” e noteruar më dt.31/05/2012 për pasurinë me nr 28/102, truall me sip.61 m2, e ndodhur në zk. 8602, pranë portit, Vlorë, pronë e Gëzim Feta. 4. “Çertifikatë për vërtetim pronësie” e noteruar më dt.31/05/2012 për pasurinë me nr 28/104, truall me sip.58 m2 e e ndodhur në zk. 8602, pranë portit, Vlorë, pronë e Gëzim Feta. 5. “Çertifikatë për vërtetim pronësie” e noteruar më dt.31/05/2012 për pasurinë me nr 28/1114, truall me sip.166 m2 dhe një ndërtesë një kat me sip.77.6 m2, e ndodhur në zk.8602, pranë portit, Vlorë, pronë e Gëzim Feta.

Leja para pronësisë
Bashkëngjitur me këtë akt, është bërë plan-vendosja nr.1, ku është bërë hedhja e kësja prone sipas hartës treguese që shoqëron këtë dokument, ajo është shënuar me konture me ngjyrë të kuqe. Shikojmë se këto dokumente pronësie, apo harta treguese të tyre kanë dalë nga ZVRPPP në dt.2/11/2011, 1/11/2011 ose 2/9/2011, dhe kanë datën e noterimit 31/05/2012, kur leja dhe sheshi i ndërtimit kanë qenë të miratuara. Kjo do të thotë se në momentin e miratimit, nuk ka qenë dokumenti i pronësisë, duke shkelur kështu në nenin 32, 38, e Ligjit 8405 “Për urbanistikën” dhe precizuar në nenin 40, ku thuhet se: ”Kërkesa për miratim të destinacionit, funksionit dhe kushteve urbanistike të sheshit të ndërtimit mbi truall pronë private, bëhet vetëm nga pronari i truallit..”.

Kjo do të thotë që ai së pari duhet të ketë dokumentin e pronësisë mbi truallin që kërkon të ndërtojë, dhe sipas dokumenteve të mësipërme, na rezulton se në momentin e dhënies së lejes dhe sheshit të ndërtimit, ai nuk ka pasur këtë pronësi....
Planimetria e sheshit të ndërtimit për objektin: polifunksional 2-6 kate me një kat nën tokë, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, me pronar Gëzim Feta. Në plan-vendosjen nr.2 është bërë hedhja e këtij sheshi, konform atij që është firmosur nga infrastruktura. Planimetri sheshi të firmosur nga Kryetari i KRRT-së së bashkisë Vlorë, nuk ka në dosje.

Çfarë konstatojmë:
1)Nuk janë marrë të gjitha firmat konform ligjit si ajo e MKZ-së dhe mjedisit.2)Në të, njëra nga format ka datën 27/2/2012, duke qenë kështu e firmosur pasi është miratuar edhe leja e ndërtimit.
3)Në dosje, nuk ka ndonjë studim urbanistik pjesore, mbi të cilën të jetë dhënë sheshi i ndërtimit, dhe kjo është në kundërshtim me Ligjin 8405 “Për urbanistikën”.4)Nga analizimi i Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Vlorës, të miratuar me Vendimin nr.5.dt.21/8/2002 të KRRTRSH-së, rezulton se ndërtimi i këtij objekti është brenda zonës së shënuar me shpjegime me shenjë konvencionale të portit.

Pra ky ndërtim është i pëfshirë brenda zonës së portit, dhe nuk duhet të ishte parashikuar asnjë lloj ndërtimi në këtë zonë, duke shkelur në mënyrë flagrante planin  e përgjithshëm të qytetit, duke kufizuar ndjeshëm zhvillimin e tij. Porte, aeroportet etj, janë objekte të rëndësisë së veçantë...

Lidhja e objektit me infrastrukturën inxhinierike, për objektin polifunksional 2-6 kate me një kat nën tokë, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, me pronar Gëzim Feta. Ky formular nuk ka datë, por në firmën e ujësjellësit, firma ka datën 2012. Po kështu në këtë formular mungojnë akoma firmat e inspektoratit të shteti sanitar, MKZ-ja dhe mendimi i urbanistikës. Pra, ky formular nuk ka përmbushur akoma kushte e miratimit të tij, akoma më shumë dhe ato që janë firmosur kanë data shumë të vona se dita kur është miratuar leja e ndërtimit, duke shkelur Ligjin. Ka një vendim të zbardhur për këtë objekt me firmën e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë z.Shpëtim Gjika....

Nga gjithë relativi i mësipërm rezulton se në këtë dosje nuk ka asnjë llojë dokumenti tekniko-ligjor që mund të çojë në dhënien e lejes dhe sheshit të ndërtimit. Përgjegjësitë ligjore rrjedhin nga vet ligji, për Bashkinë Vlorë. Edhe vet formulari nr.2 “për dhënien e sheshit të ndërtimit” dhe formulari nr.4 “leja e ndërtimit” nuk janë. Nga verifikimi i gjendjes në vende, rezulton se ndërtimi po vazhdon, në momentin kur kanë bërë fotografitë në datë 18/03, ishte në punimet e karabinasë. Ky ndërtim, pa asnjë llojë leje ndërtimi në dorë, pa një dosje të rregullt në Urbanistikën, vazhdon punimet. Ky ndërtim, përballë gjithë organeve kompetente për ndërtimin, kontrollin ë ndërtimeve (Policia ndërtimore) (Policia Bashkiake), Drejtoria e PU, etj, vazhdon punimet e ndërtimit. Eksperte Luiza Bala.
 
Të pandehur
Shpëtim Gjika
Eleni Dardhaj
Aleks Ahmataj
Artan Ferati
Blerdi Liçaj
Gentian Sherifaj
Gezim Feta
Mustafa Tartari.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit