TIRANE- Një sasi eksplozivi ka shpërthyer brenda në oborrin e shtëpisë së shtetasit Osman Hushi në Fushë-Krujë. Tritoli ishte vendosur poshtë makinës së tij, të parkuar në oborin e shtëpisë. Shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në orët e mesnatës, kur Osman Hushi dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij kanë qënë në gjumë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia e Fushë-Krujës ka marrë në pyetje dhjetëra persona dhe vetë të dëmtuarin Hushi, i cili ka pohuar se nuk ka pasur konflikte dhe nuk dinte se cilin person të akuzonte.

Ndërkohë eskpertët kanë përcaktuar se lënda eksplozive rreth 200 gramë ishte vendosur poshtë makinës dhe se ishte lidhur me një fitil disa metra. Fatmirësisht nga shpërthimi i fuqishëm nuk ka pasur asnjë person të lëndur, vetëm dëme materiale në makinë dhe banesën e Osman Hushit.

Hetimet e policisë
Lidhur me ngjarjen e rëndë policia e Fushë-Krujës ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje kriminale. Nga burimet e grupit hetimor mësohet se rreth 200 gramë tritol janë vënë poshtë makinës së Hushit dhe shpërthimi është realizuar nëpërmjet një fitili zjarrpërcjellës. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje Hushin në lidhje me dyshimet e tij për këtë atentat, por mësohet se ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt personal.

Nga ana tjetër, policia tha se ka pyetur edhe dy djemtë e Hushit, 24 dhe 21 vjeç, nëse kanë pasur ndonjë konflikt, por nuk kanë mundur të zbulojnë ndonjë të dyshuar mbi këtë atentat. Grupi hetimor shpjegoi se mjeti, objekt i shpërthimit, përdorej edhe nga djemtë e Hushit dhe një nga pistat e hetimore ka të bëjë pikërisht me ndonjë konflikt që ata mund të kenë pasur, megjithëse kjo është mohuar prej tyre.

Gjithsesi, policia tha se ka ngritur disa pista hetimore mbi këtë ngjarje të rëndë, ku një prej tyre ka të bëjë me çështje pronash.Gjithashtu, grupi hetimor ka shoqëruar disa persona, që janë marrë në pyetje në cilësinë e atyre që mund të japin informacion mbi këtë krim të rëndë.

Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)