Policia e Tiranës, seksioni ndaj krimeve kundër jetës ka nisur një procedim penal për një atentat me eksploziv të ndodhur në një godinë në ndërtim për qëllime biznesi, depo farmaceutike, pranë autostradës Tiranë-Durrës.

Sipas burimeve të policisë, lënda eksplozive u vendos në një godinë në pronësi të biznesmenit Nexhat Sheshi nga qyteti i Shkodrës. Nga shpërthimi i tritolit raportohet se nuk ka pasur të lënduar në njerëz, kjo edhe për faktin se ngjarja ndodhi në një zonë disi të veçuar dhe në orët e para të mëngjesit. Prej disa kohësh 54-vjeçari vepronte në fushën farmaceutike, por në pak sekonda biznesi i tij ka ikur në ajër. Sipas burimeve të policisë, mendohet se lënda plasëse të ketë qenë në sasi të madhe, pasi edhe dëmet materiale janë të shumta. Bashkë me forcat e policisë në vendin e ngjarjes mbërritën edhe ekspertë të kriminalistikës dhe prokurorë të kryeqytetit. Pistë kryesore nga ku policia ka përqendruar hetimet e saj është edhe ajo e konkurrencës.

Pas ngjarjes, ekspertët e policisë kanë marrë në pyetje pronarin e depos farmaceutike, i cili në rrëfimin e tij ka deklaruar se nuk ka konflikte të hapura me asnjë person. Gjithsesi, për krimin e ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë që ndodheshin në afërsi të objektit që shpërtheu, për të hedhur dritë mbi autorët e mundshëm. Në ditët në vijim pritet që të pyeten kryesisht punonjës të sigurisë së objekteve përreth, pasi kjo zonë është e mbushur me kompani private që operojnë në fusha të ndryshme të biznesit.

ATSH