KORÇË- Neim Behari, i burgosuri në burgun e Drenovës, në dëshminë e tij, ka pranuar se ka qenë ai që ka porositur eksploviz në makinën e gjyqtarit, Markelin Kuqo mesditën e djeshme në Korçë. Ai më pas ka njoftuar policinë nga burgu i Drenovës duke thënë se gjyqtarit i është vendosur eksploziv. Por më pas gjithcka ka rezultuar alarmë fals pasi në makinë nuk është gjetur lëndë plasëse.
Në dëshminë përpara uniformave blu, që Shqiptarja.com e disponon, Behari ka hedhur akuza ndaj Kuqos, si një gjyqtar i korruptuar dhe këtë akuzë e argumenton se i ka kërkuar transferimin nga burgu i Drenovës, por nuk e ka marrë aspak parasysh, por edhe për çështje të tjera, të pazbardhura ende.
Ai e ka kërcënuar me jetë Kuqon, duke thënë se "vendimet e tij të gabuara, do t'i kushtojnë shumë, aq sa dhe nuk do t'i gjendet kocka".
"Lënda eksplozive është porositur nga unë. Gjyqtari Markelian Kuqo ka shkelur të drejtat e mia. Kam shumë çështje me gjyqtarin Markelian Kuqo. Ai është një mesazh dhe e kupton shumë mirë gjyqtari. Paralajmërova fillimisht por nuk e kam kërcënuar. I kam kërkuar transferim dhe as e ka marrë parasysh. Nuk është ai askush të tallet me mua. Vendimet e tij të gabuara do i kushtojnë me jetën e tij. Këtë ia kam thënë shume here. Dhe jam i bindur që s'do i gjendet as kocka e fundit. Me njohin të gjithë se kush jam dhe ku kam punuar më herët. I dënuar për vrasje jam dhe për këtë po vuaj dënimin. Jam dakord. Por të tallet një palo gjyqtar me të drejtat e mia nuk ia fal sa të kem jetë. Zbardhni të vërtetat dhe çdo gjë që ka lidhje me atë person. Është shkelës i ligjit ai dhe jo unë", mësohet të ketë thënë Behari.
Neim Behar është arrestuar 21 mars të vitit 2005-ë për një vrasje horror të taksistit, ndërsa vendimi i formës së prerë është dhënë në 21 Janar të vitit 2010, duke e dënuar 25-vjeçarin me 24 vite burg. Autori ka kërkuar ulje të dënimit me pretendimin se vuan nga probleme mendore, por kjo nuk është vlerësuar nga Gjykata.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, por e gjitha rezultoi një alarm fals. Ishte një telefonatë e mbërritur nga burgu i Drenovës, që ngriti të gjithë Korçën në këmbë, por pas kontrollit të njësisë anti-eksplozive, rezultoi të mos kishte sasi lënde plasëse. Markelian Kuqo është gjyqtari që liroi nga qelia Gert Gjinararin, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo vendosi të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht, një vendim i marrë më 14 shkurt të këtij viti.