Elmar Brok, eksponent i partisë gjermane CDU, njëkohësisht edhe kryetari i komisionit të punëve të jashtme të PE, ka folur rreth çështjes së akuzave të deputetit Tom Doshi.

“Së pari, është detyrë e autoriteteve shqiptare që të hedhin dritë mbi çështjen dhe të kryejnë hetimin.”- është shprehur Elmar Brok.
 
Gjithashtu ai e shprehet se nëse kreu i Kuvendit është nën akuzë, ai duhet të dorëhiqet për t’i hapur rrugë hetimeve.

“Nëse ka akuza për kreun e Kuvendit që ai ka urdhëruar dy vrasje, atëherë është prokurori i përgjithshëm që hap hetimin dhe në rrethana normale, në këta rast në një vend demokratik, Kryetari i Kuvendit jep dorëheqje. Nëse hetimi është në vijim e sipër nga autoritetet shtetërore, atëherë do të ishte e çuditshme të mos jepet dorëheqje"-është shprehur Elmar Brok.

Luan Rama:Brok të mos përdoret për interesat e klaneve kriminale
Ndërsa për këtë deklaratë të Brok ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.
 
Ai i bëri thirrje Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok që të mos përdoret për interesat e klaneve kriminale në Shqipëri dhe të mos bëjë prokurorin, por nëse do të dijë të vërtetën, të vijë në Shqipëri. Sipas tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk mund të japë dorëheqjen për llogari të krimit të organizuar.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)