Eksportet, 105 mln euro humbje në 2018-n, vetëm nga zhvlerësimi i euros

Eksportet, 105 mln euro humbje në 2018-n, vetëm nga zhvlerësimi i euros

Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore. 76% e eksporteve kishin si destinacion Bashkimin Europian (rreth 236 miliardë lekë), ku tregu kryesor është Italia, që priti 48% të totalit të eksporteve, ku peshën kryesore e zënë tekstilet dhe këpucët. 8.7% shkojnë në Kosovë (27 miliardë lekë), që përdor euron si monedhë zyrtare, duke e çuar në total në gati 85% peshën e eksporteve në monedhën e përbashkët. Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshm, me një nënçmim prej 5%.

Nëse kursi i euros do të kishte qenë i qëndrueshëm, të ardhurat e sipërmarrjeve që eksportojnë në vendet e BE-së do të kishin qenë të paktën 5% më të larta (ose rreth 263 miliardë lekë). Në vlerë absolute, humbja e eksportuesve është rreth 13 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro, sipas vlerësimeve të Monitor, bazuar në ecurinë e eksporteve të raportuar në lekë dhe kursit vjetor mesatar të këmbimit. Humbja më e madhe i takon sektorit të tekstileve e këpucëve i cili ë rreth 40% të totalit të eksporteve dhe ka destinacion kryesor Italinë (e cila pret 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve). Vlerësohet se për gjithë vitin, eksportuesit fason, që shitën mallra me vlerë 123.7 miliardë lekë, kanë humbur rreth 50 milionë euro, vetëm nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët. Eksportet e këtij grupi u rritën me 5.3% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta që nga 2015-a.

Madje në dhjetor, eksportet e këtij grupi shënuan rënie me 5% me bazë vjetore, duke reflektuar efektin e zhvlerësimit të euros që në dhjetor zbriti në nivelet më të ulëta të dekadës, duke kaluar për pak ditë dhe nën 123 lekë. Florjan Zekja, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve Fason, tha për “Monitor” se arsyeja kryesore është kursi i këmbimit. “Duke qenë se euro ka qenë shumë e nënçmuar, kemi pasur pasiguri për të ardhmen dhe kjo na ka vështirësuar lidhjen e kontratave të reja”. Ata e kanë të paqartë se si do të jetë e ardhmja, në momentin që kursi i këmbimit nuk është i stabilizuar. Edhe më herët, eksportuesit e tekstileve e këpucëve ishin shprehur pesimistë lidhur me ecurinë e eksporteve në 2019-n, duke parashikuar rënie të tyre. Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, gjykon se nëse nuk do të merren masa, e ardhmja e sektorit mbetet e zymtë.

“Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje, pasi ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë. Për këtë arsye, përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e këtij sektori”, shprehet ai. Administratori i kompanisë së këpucëve FITAL, Skënder Pashaj, nënvizon se në raste të tilla ka nevojë për masa që amortizojnë goditjet. “Në fakt, duke pasur parasysh goditjen nga kursi apo rënien e konsumit, sigurisht që duhet të merren edhe masa për të amortizuar këtë pjesë. Vit pas viti, kushtet për sektorin kanë ardhur duke u vështirësuar, ndaj masat mbështetëse duhet të jenë një opsion që duhen marrë parasysh si amortizatorë”, nënvizon Pashaj.

Hoxha: Sipërmarrësit të tregohen agresive e të kërkojnë rritje çmimesh
Kërkesa në 2018-n ishte e  njëjtë me një vit më parë, pohojnë eksportuesit, por kursi i ka dëmtuar shumë. Flamur Hoxha, sipërmarrës i fabrikës së prodhimit të këmishave Kler, që punon me cikël të mbyllur, thotë se zgjidhja e vetme është që kjo humbje të transferohet në rritjen e çmimit dhe thotë se ia ka dalë të bindë partnerët italianë për një rritje 10% të çmimit për dy fabrikat e tij. “I bëj thirrje sipërmarrësve të mos kenë frikë të kërkojnë rritje çmimesh, sepse kërkesa është shumë e lartë”, pohon Hoxha. Sipas tij,  sipërmarrësit shqiptarë duhet të jenë pak më agresive dhe të kërkojnë rritje çmimesh, pasi  Shqipëria ka ende avantazhin e kostos, sepse çmimet janë ende shumë më të lira se në Bullgari e Rumani, që e dorëzojnë produktin me kosto 50% më të shtrenjtë sesa në Shqipëri. Psh, një palë pantallona në Shqipëri prodhohen me 3.5euro, në Bullgari e Rumani, me minimumi 5 euro./ Monitor




/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen