Viti nuk ka nisur i mbarë për tregtinë e mallrave. Instituti i Statistikave thotë se në janar u eksportuan mallra me vlerë 26,7 miliardë lekë (267 milionë euro) ose rreth 4.5% më pak se vitin e kaluar, kur në të njëjtin muaj iu shitëm tregjeve të huaja mallra me vlerë 30 miliardë lekë.
Ndikimin më të madh në reduktimin e eksporteve sipas INSTAT e ka dhënë rënia në grupin e lëndëve djegëse dhe energji elektrike me -2.9% dhe vijon të thellohet kriza në sektorin e manifakturës me -1.9%.
Në muajin e parë të vitit 2026 u eksportuan tekstile dhe këpucë në vlerën e 80 milionë euro, nga 80.5 milionë euro që ishte vlera vjet. Po ashtu gjatë janarit u ulën edhe eksportet e produkteve kimike dhe të ushqimeve.
Pozitivisht kanë ndikuar vetëm grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,4 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me +0,1 pikë përqindje.
Në rënie në janar raportohen edhe importet e mallrave me 4% krahasuar me janarin e 2025-ës. Në total blemë nga jashtë 57.9 miliardë lekë nga 60.2 miliardë lekë në janar vjet.
“Gjatë muajit Janar 2026, në uljen e importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,5 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,1 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.
Në muajin Janar 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2025 janë: Italia (3,6 %), Kosova (2,0%), ndërsa rritjen më të madhe e ka pasur me Gjermaninë (30,2 %) dhe Greqinë (31,8 %). Sa i takon importeve në muajin Janar, kemi blerë më pak produkte nga Italia dhe Greqia, dhe është në rritje importi nga Kina dhe Turqia.
Komente











