Fasoneria vijon të përballet me humbje edhe gjatë këtij viti, ndërsa kompanitë e mëdha po zhvendosin aktivitetin e tyre në vende ku kostot janë më të ulëta. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve janë në rënie, zhvlerësimi i valutave nuk po ndalet, dhe së fundmi rrezik i shtuar është edhe lufta që rrit kostot e transportit.
***
Humbjet në sektorin e fasonerisë nuk po ndalen. Vetëm në 3 muajt e parë të vitit eksportet e tekstileve dhe këpucëve u tkurrën me 14.7 milionë euro në raport me vjet.
Veç zhvlerësimit të valutave që u ka ulur fitimet, pasi kjo industri kontratat i ka kryesisht në euro, sipërmarrësi Florjan Zekja, thotë se po i dëmton edhe lufta në Lindjen e Mesme.
“U bë tre vjet që të dhënat janë po të njëjta, ku sektori i manifakturës është sektor i cili ka rënien më të lartë dhe është ai sektor i cili po vuan më shumë problematikën e rënies së euros. Tani është shtuar dhe çështja e luftës në Gjirin Persik ku ka pasojat e saj edhe këtu transporti, pasi transporti nga vendet e largëta është vështirësuar gjithnjë më shumë. Jemi në një situatë ku ne ishim keq, por tani pasiguria dëmton më shumë”, tha Zekja.
Por, ky sektor po përballet edhe me një tjetër vështirësi këtë vit. Kompanitë e huaja të biznesit fason po zhvendosin aktivitetin e tyre nga Shqipëria drejt vendeve të treta, ndaj shteti thotë Zekja, duhet të marrë masa.
“Duhet të merren masa përsa i përket gjendjes aktuale të sektorit të manifakturës për të frenuar sadopak atë hemorragjinë e kompanive të mëdha që po ikin nga Shqipëria. Për të ndaluar reduktimin e linjave tona të mbylljes së bizneseve të shqiptare dhe pastaj masa të tjera duhet të jenë në lidhje me integrimin me transformim me mbylljen e ciklit nga material porositës në cikël të plotë”, thotë eksperti.
Largimi i kompanive të huaja është reflektuar edhe me ngadalësim të kontratave të reja me jashtë. Kështu importet janë rritur vetëm me 1.2 milionë euro në këtë tremujor të parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përveç largimeve të punonjësve nga puna, pasi ka fabrika të mbyllura dhe një pjesë ka shkurtuar linjat e prodhimit, Zekja thotë se po hasen vështirësi edhe në pagimin e punonjësve.
“Një pjesë e bizneseve janë në vështirësi për të mbajtur ato punëtorë që kanë dhe kjo normalisht reflektohet dhe në pamundësinë për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore nga biznesi i manifakturës, nuk është se ka nuk paguan sepse nuk do, por sepse është në pamundësi të madhe për të për të përballuar këto kosto”, thotë ai.
Aktualisht Ministria e Financave po punon për një ligj për produktet “Made in Albania”, një nismë që synon të mbrojë produktet vendase, të nxisë prodhimin dhe të rrisë konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.
Komente









