Prodhimi i verërave në vendin tonë ka marrë një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit. Fermerët, nisur edhe nga tradita dhe kultura, kanë zgjeruar hapësirat e mbjella dhe i kanë kushtuar rëndësi prodhimit të rrushit me cilësi të lartë. Eksporti i këtij produkti për 2014 ka arritur në vlerën e 6.3 milionë lekëve.
Prodhuesit kanë ngritur si shqetësim se në vendin tonë ka mungesë tregu për shitjen e verës dhe shpesh qytetarët shqiptarë janë paragjykues mbi prodhimet "Made in Albania", edhe pse kushtojnë shumë më lirë se ato të importuara.
Nga ana tjetër duket se të huajt po e preferojnë gjithnjë e më shumë këtë produkt shqiptar. Por duket se edhe importi ka vijuar të rritet çka tregon se qytetarët shqiptarë e konsumojnë gjerësisht verën e importuar. Vihet re se për 9 mujorin, janë importuar rreth 17 hektolitër verë nga 15.8 hektolitër që janë importuar në vitin 2013.
Për të mbështetur këtë industri, në paketën fiskale për bujqësinë është parashikuar rishikimi i akcizës së verës dhe rimbursim për industrinë vendase, ndërsa vetë prodhuesit kanë kërkuar heqjen e kësaj takse.