EKSPOZITA/ Bujar Zajmi
në syrin e një koleksionisti

EKSPOZITA/ Bujar Zajmi<br />në syrin e një koleksionisti
TIRANE- Vërejmë një çift malësorësh të veshur paq me kostume tradicionale, ndërsa përmes një grafike ireale gjinjtë e gruas shfaqen si dy kokrra mollë jashtë bluzës. Shohim portretin e një malësori hijerëndë përmes stilizimeve kubiste. Në një tablo tjetër gjinjtë e fryrë të një vajze të re nuk qëndrojnë dot më brenda veshjes së rënduar.

Ngjyrat që përdor janë një temë tjetër. Plot ngasje, erotizëm dhe lirizëm të ngrohtë, kështu kanë qenë gjithmonë pikturat e Bujar Zajmit. Kështu vijojnë ende të jenë. Po si do të vijnë ato të para me syrin e një koleksionisti...

Ekspozita “Bujar Zajmi në një koleksion” me 32 vepra do të hapet nesër në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë. Veprat janë pjesë e koleksionit të studiuesit të njohur Jaho Brahaj.

Bujar Zajmi ka lënë gjurmë në kulturën shqiptare si një piktor grafist me stilizime interesante.

Ai ka ekspozouar vepra kryesisht vetëm pas viteve ’90, sepse krijimtarinë e tij më të hershme nuk guxonte ta ekspozonte. Asnjëherë nuk iu përshtat pikturave me shprehje heroizmi e sfidash që kërkoheshin sipas metodës së realizmit socialist, por nuk rreshti megjithatë së pikturuari.

“Kokë më vete” ai përjetonte në vepra jetën në “gjenezën dhe primitivizmin e saj”. Pas viteve ‘90 Bujar Zajmi hyn natyrshëm në aradhën e piktorëve të shquar. Kritika dhe studiues të njohur drejtuan vëmendjen drejt krijimtarisë së tij, duke e vlerësuar për stilizimet origjinale me nuanca piktorike të elementve të kubizmit dhe ekspresionizmit, gjithmonë sipas përjetimit të tij.

Në pikturat e tij Bujar Zajmi shfaqet me një lirshmëri dhe sinqeritet të shprehjes së emocionit, ku nuk mungojnë as nudot, por përgjithësisht mes veprave të tij bien në sy pikturat me figurat e grave gjysmë të zhveshura, ku duket vetëm gjoksi i tyre. Është një mënyrë prezantimi e figurës së gruas që ai e ndërthur me vazhdimësinë e e jetës, me gjirin e nënës që për të duket se është simboli më i bukur i jetës, por edhe gjirin e gruas.

Gruaja në pikturën e Bujar Zajmit, e veshur apo e zhveshur është e idealizuar, e veshur me bukuri dhe dritë tokësore, tërheqëse, joshëse dhe peneli i tij duket se e adhuron. Koleksioni i Jaho Brahaj përbëhet nga veprat që përmbajnë tematikën e traditave kombëtare, të amësisë, të dashurisë, të familjes dhe zanafillës së jetës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot