Ekspozita, Çumani: Si u rritën në
Shqipëri 9 jetimët kongolezë

Ekspozita, Çumani: Si u rritën në<br />Shqipëri 9 jetimët kongolezë
TIRANE- Spikat fotoja më e rrallë, ku janë jo pak, por 9 jetimë të revolucionarit komunist afrikan Ofana Osandez, të strehuar në Elbasan në vitet ’60. Pushkatimi i tij barbar në Kongo u kthye në ngjarje ndërkombëtare.

9 fëmijët jetim vijnë nga Tuluza e Francës për t’u strehuar në Shqipëri dhe rriten në jetimoren e Elbasanit... Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”, u kujtua dje bashkë me 95 – Vjetorin e krijimit të “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri dhe 10 – Vjetorit të Themelimit të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Ilir Çumani, drejtori i këtij Instituti organizoi në mjediset e “Pedonales”, të parën fotoekspozitë të 100 viteve të fundit që hedh dritë mbi historikun e jetimoreve në Shqipëri, që nga themelimi. Ekspozita mban titullin “Sfidat e Humanizmit”.

Në kuadrin e 20 majit, Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimeve, është çelur kjo foto-ekspozitë me 820 foto të rralla dhe faksimile dokumentesh historike për këto jetimore, ku tregohet rruga e gjate që kanë pasur ato gjatë veprimtarisë së tyre.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, Ilir Çumani, i cili është një nga personalitetet e suksesshëm i rritur në strehëzat e jetimëve shqiptarë, ka grumbulluar me pasion çdo foto të arkivuar dhe tashmë po përgatitet t’i botojë në një album.

Fotot e kësaj ekspozite flasin më shumë se fjalët. Çumani thotë për “Shqiptarja.com” se “Për herë të parë është menduar të realizohet kjo foto-ekspozitë fotografike shumë serioze në një mjedis shumë publik për qytetarët e Tiranës, që pasqyron foto të rralla dhe dokumentet historike mbi jetimoret e para në Shqipëri deri në ditët e sotme, foto që nuk janë publikuar ndonjëherë dhe që shtrihen si hapësirë kohore të ngjarjeve që kanë ndodhur që nga vitet 1912 – 2012.”

Fotoekspozita që është çelur me nismën dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të zotit Ilir Çumani, i cili është ideatori dhe kuratori, jo vetëm i kësaj foto-ekspozite të rrallë (si e para këtij lloji) në funksion të kësaj veprimtarie, por, edhe ideatori dhe autori para 10 vjetësh i nismës për jetësimit të datës 20 Maj, si Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve.

“Ekspozita synon të sjellë në memorien kombëtare të gjithë trajektoren historike, në një këndvështrim panoramik përmes gjuhës së fotografisë dhe dokumentit, të të gjithë rrugëtimin e gjatë historik, plot përpjekje të dhimbshme, të vështirë dhe të mundimshme që i është dashur të kaloj populli ynë gjatë kthesave të rëndësishme të historisë, në përballje me rezistencën që i bëri të huajve që kërkonin me çdo kusht asimilimin e kombit tonë, por ana tjetër, shfaqet dukshëm vitaliteti dhe shpirti i madh human i popullit shqiptar, i cili krahas rezistencës që u bëri të huajve për vetë-ekzistencën e tij si komb, mundi të shfaq edhe një dimension tjetër; forcën e madhe shpirtërore të humanizmit njerëzor, duke iu gjendur pranë fëmijëve jetimë, atyre që kishin humbur familjen dhe shpresën për të jetuar”, thotë Çumani.

I rritur edhe vetë në jetimore Çumani vihet në kërkim të themeluesve të tyre. Në Ekspozitë ai ka sjellë edhe një foto që e ka për zemër, ku dalë me aktorin e madh Kadri Roshi, i cili u rrit në jetimore. Ky fakt, e ka bërë aktorin e madh të shkëlqejë me rolin e Kujdestarit tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”.

Madje në këtë ekspozitë mësojmë se edhe skenari i këtij filmi është bërë nga një tjetër fëmijë i suksesshëm i jetimoreve shqiptare, shkrimtari Petraq Qafëzezi, i cili ka bërë romanin “Bonjakët”, ku është bazuar filmi. “Historia e jetimoreve në Shqipëri nis 95 vite më parë, kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë”, thotë.

JETIMORJA E PARË, 28 NËNTOR 1917

Historia e këtyre fotografive nis me jetimoren e parë në Shqipëri, e cila u krijua më 28 Nëntor 1917 në Tiranë me iniciativën e prefekturës e të bashkisë së Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në teqenë e sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores ndihmoi kryqi i kuq Amerikan.

Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. “Në fakt, sipas dokumenteve të kohës, iniciatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës së Parë Vorfënore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e shquara të kohës, z. Reuf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit.

Iniciativa për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një djali jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandarë austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të motrën e tij 4 vjeçe. Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë të Tiranës, duke ngrënë bar.

Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit thërret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’ju sigurojnë një vend sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe bukë”, rrëfen Çumani, duke vijuar historinë se si të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5 vjeçar nuk mundi të mbijetoj.

Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Reuf Fico, “më prishi nervat, e më çqetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kasha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe është letra që Z. Reuf Fico, i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza.

HISTORIA

Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri. Bamirësit e mëdhenj

Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, 95 vjet më parë, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të harrojnë kurrë bamirësit e mëdhenj fisnik, si Themeluesin e Strehës së Parë Vorfnore Reuf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli, etj. Fotot e rralla të ekspozitës evokojnë ngjarje të rëndësishme në periudha kyçe të historisë gati 1 shekullore që ka kaluar Shqipëria.

Janë fto dhe faksimile që tregojnë rolin që kanë luajtur shumë figura të spikatura të humanizmit dhe filantriopisë, duke filluar që nga fillimet e shekullit të 19 – të në veri të Shqipërisë (në zonën e Shkodrës) përmes motrat stigmatine të krishtere në vitet 1912 dhe që u pasua me aktin më sublim-njerëzor nga ata burra të shquar si, diplomati Reuf Fico, Mytezim Këlliçi, Zyber Hallulli, Ismail, Ndroqi, etj, të cilët me iniciativën e z. Reuf Fico, themeluan “Strehën e Parë Vorfnore” në Shqipëri, më 28.Nëntor.1917, duke hedhur kështu themelet e para të ngritjes së institucionit të bamirësisë për fëmijët pa prindër, që më pas vijoi me një formëzim më të organizuar të këtij institucioni në periudhën e mbretërisë dhe asaj të Italisë fashiste, dhe që do të vazhdonte edhe gjatë regjimit komunist e më pas, gjatë periudhës së ndërrimit të sistemit pas viteve ’90 – të.

Grup vajzash nga Strehës Vorfnore në Koncertin e 25 Vjetorit të Pavarësisë në vitin 1937 me logo
(Në foto një grup vajzash të Strehës Vorfnore në Koncertin e 25 Vjetorit të Pavarësisë në vitin 1937)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024