Edison Ypi: Shitu

Edison Ypi: Shitu

Edison Ypi

A do të pasurohesh ? A do t'i thush fukarallëkut një herë e mirë: Ma nxive jetën, ma more shpirtin, mjaft të durova, sikter, ik e mos u duk?

Bëj biznesin më të suksesshëm që ka bërë shqiptari në shekuj: Shitu për tu pasuruar. 

Jo te i huaji. Të shitesh te i huaji nuk varet nga ty që je gati të shitesh më me qef gratis se i paguar. Varet nga i huaji a i duhesh. Shitu te ndonjë tjetër këtej rrotull.
Shitu, pra shitu. Por jo i tëri. Shitja me gjith lecka, shitja 1 copet, nuk është me leverdi. Për ta shitur veten me nikoqirllëk, shitjen variacionoje. Mos u shit me shumicë, shitu me pakicë, shitu nji nga nji.

Që shitja e vetes të nisi për së mbari, e para që duhet të shesësh është shtylla kurrizore. E shet kollaj shtyllën. Dhe me çmim të majmë. Gjen sa të duash myshterinj nga ata që shtylla kurrizore u duhet, por u mungon. Shitja e shtyllës, përveçse do ta lehtësojë trupin dhe do ta trashi xhepin, do të bëjë dhe një tjetër të mirë të madhe, do ta kollajsojë përkuljen para eprorëve duke ta mundësuar që gjatë temenasë koka ta preki dyshemenë. Ndërkohë, shtylla jote në kurrizin e tjetrit nuk do ketë asnjë efekt. Ça po të duhet tjetri dhe fati i tij. S'ke për të ndreq shtyllat e dynjasë. Secili shtyllën e vet. Merr paret dhe ik.

Pas shtyllës mund të shesësh gjuhën. Që gjuhën ta shesësh me gjith gurrmazin dhe kordat zanore, gjuhën mos e prit, gjuhën shkule bashkë me rrylin, tubin e kundragazit. Do mbeteni të kënaqur të dy. Si ti që, vërtet mbete pa gjuhë, ama me shitjen e gjuhës fitove gjithato pare, po ashtu dhe tjetri që me gjuhën tënde u bë llapaqen si ty. Do dali një problem. Pa gjuhë nuk do mund të lëpish. S'ke ç'i bën. Të mirat nuk vinë kur do ti. Venë e vinë kur u teket atyre.

Vetëm me paret e shitjes së shtyllës dhe gjuhës nuk mund ta realizosh ëndrrën për tu bërë i pasur duke u shitur. Duhet të shesësh të tjera.
Shiti duart. Tani që nuk punohet me duar por me kompjuter, duart janë të tepërta. Para se të shesësh duart, pritu thonjtë, hiqu unazat, gjeju klient tjetër.
Po shite duart s'e ke vështirë të shesësh dhe këmbët. E ç'i do këmbët kur nuk çvendosesh, nuk udhëton, nuk ecën, nuk vrapon, rri gjithë kohës para televizorit si guak, si gozhdë e ngulur në divan. Shitja këmbët ndonjërit që lëviz, udhëton, dhe kur sheh bukuritë e Shqipërië i dridhen gjunjët, loton, qan, këmbët e veta nuk e mbajnë, i duhen këmbë të tjera.

Shit dhe veshët. S'të duhen. Janë send i kotë. S'ka problem se do mbetesh shurdh. S'po thonë asgjë që ja vlen ta dëgjosh.
Edhe me kaq, s'bëhesh dot zengjin. Madje je larg. Se ti ke dhe një të keqe. Nuk premton asnjë kacidhe për gjithë këto këshilla të mrekullueshme për tu pasuruar që po të jap.

Shitja hundën dikujt që nuk i pëlqen e tija. Hundën tënde me gjithë qurra shitja atij që s'ka lënë hale pa e futur hundën e vet. Atë e nxjerr në selamet. Ti mbete pa hundë, ama fitove paret dhe privilegjin që ku gjithçka është qelbur, të duket fushë me lule aromatike gjithçka.

Ku të gjithve u kanë hedhur trut' e gomarit, ça po të lypsen trut' e njeriut. Shiti edhe ato sa s'ësht vonë e s'u ka rënë çmimi. Myshteriun e gjen në dy vende. Te pazari i gjësë së gjallë, dhe në Parlament.

Nëse ke talent ngrënien, kullufitjen, llapjen, bërtitjen, uluritjen, klithjen, gojën mbaje. Përndryshe shite pa pishman. Përderisa nuk kafshon, as dhëmbët s'ke ç'i do. Shiti edhe ato. Edhe të vëna kur i ke se s'kupton njeri gjë.

Qimet e kokës dhe lesht e bythës, vër një palë doreza boksi, numuroji një nga një, dhe falja ndonjë fukarai, bëj një sadaka'.

Edhe rrushin shite në tezgë. Por me një kusht: Të betohesh me dorën mbi Kuranin e Edi Ramës se nuk po e përdor për gjë tjetër, veçse për të bërë shurrën. Përndryshe, sakën se e shet. Do ngrihet gjith Shoqëria Civile më këmbë të protestojë për qef' të rrushit tënd.

Pas rrushit, po shite dhe bythën, u bëre i pasur. Shtro gostinë e fitores në luftën e përgjakur kundër fukarallëkut. Mishi, plënci, pilafi, tava e dhes, rakia, birra, vu të gjitha.
Bëre mirë që nuk i shite sytë. Pa sy katandisesh cop mishi që s'i duhesh as Dreqit. Me sy mbetesh si i duhesh Atdhjeut, cop mishi me dy sy.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: BE-ja vazhdon të improvizojë me Kosovën

Augustin Palokaj: BE-ja vazhdon të improvizojë me Kosovën