Ekspozita ndërkombëtare “MAMA Mother Nature” u hap në Tiranë me praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili këtë herë ishte jo vetëm i ftuar, por edhe pjesë e saj me një vepër nga koleksioni i Leyla Aliyevës.
Projekti, i ideuar nga Aliyeva, bashkon artin me mesazhin për mbrojtjen e natyrës. Në sallë u ekspozuan 70 vepra nga artistë të vendeve të ndryshme, që flasin për krizën mjedisore, për lidhjen e njeriut me Tokën dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj saj.
“Ndonjëherë kur flasim për mbrojtjen e natyrës, njerëzit mendojnë se e bëjmë sepse duam natyrën dhe kafshët, por e mbrojmë prej dashurisë për njerëzit”, tha Aliyeva.
Ajo e krahasoi dashurinë e natyrës me atë të një nëne për fëmijën, duke thënë se është një forcë më e madhe se instinkti i mbijetesës dhe jep pa kushte.
Veprat sjellin qasje poetike dhe ndijore, por edhe reflektim të fortë mbi pasojat e ndryshimeve mjedisore. Mes tyre spikat edhe puna e Ramës.
“Së pari më duhet ta qartësoj që vepra ime në këtë ekspozitë nuk është e imja, por nga koleksioni i Leylës dhe ajo vendosi ta përfshinte. Nuk munda ta ndalja dot sepse i druhesha të atit të saj”, tha Rama me humor, përpara nisjes për në Uashington ku do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes. Ai e quajti privilegj praninë e Aliyevës dhe faktin që ekspozita sjell një dimension të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve përmes kulturës dhe artit.
“Është privilegj dhe e them plot zemër, që kemi këtë kombinim të pranisë së një personi plotësisht të përkushtuar ndaj mbrojtjes së natyrës dhe një ekspozite ku ka shumë artistë, përfshirë Leylën vetë, e cila ka sjellë pjesë të artit të saj. Është privilegj sepse ajo është një forcë e natyrës, është po aq kokëfortë sa i ati, kur vjen fjala që të luftojë për bindjen dhe idetët e saj. Është privilegj sepse ka çelur një rrugë të re në miqësinë dhe marrëdhëniet tona duke sjellë kulturën, dëshmitë e njerëzve krijues në këtë sallë. Dua të falenderoj ekipin që kanë punuar me zell për të instaluar këto vepra arti. Është kënaqësi tju kemi këtu. Dua që prindërit tuaj ta dinë që Shqipëria po kujdeset për ju ” tha Rama
"Jam mirënjohës për këtë investim bujar shpirti, zemre dhe mendjeje dhe jam i sigurtë që ndërsa do të qëndrojë për një muaj këtu, ekspozita do të ketë shikues të shumtë dhe dikush do të marrë me vete nga ky bollëk formash, ngjyrash e ëndrrash" shtoi ai.
Edicioni në Tiranë vjen me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri dhe Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), pas ndalesave në Baku, Romë, Manama, Londër, Tbilisi dhe Berlin.
Komente










