TIRANE- “Muzikë me origjinë të panjohur” quhet ekspozita e Sigmar Polkes një prej artistëve më të njohur gjermanë të shekullit të 20-të, i cili do të prezantohet në sallën e ekspozitave të përkohshme të GKA-së në 15 janar. Me bashkëpunimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Ambasadës Gjermane, Qendrën e Gjermanishtes në Tiranë dhe mbështetjes së Institutit për Marrëdhënie me Jashtë, prezantimi i artistit Polke në ekspozitë vjen përmes 40 punimeve në guash të autorit, punime të vitit 1996, në formatin 70 x 100 cm.

Këto vepra do të na njohin me një krijimtari që është me vlerë unike në skenën artistike aktuale si dhe ndër më të rëndësishmet e periudhës gjermane të pasluftës së dytë botërore. Sigmar Polke ka lindur më 13 shkurt të vitit 1941 në Oels. Që prej fillimit të viteve 60, ai është marrë me raportin mes së vërtetës figurative dhe realitetit, artit dhe të përditshmes.

Në këtë mënyrë ai pozicionohet në një perspektivë hera-herës të distancuar dhe ironike që i mundëson artistit të kalojë përtej problematikës përmbajtjesore dhe t’i kushtojë vëmendje të veçantë formës dhe dimensionit material të pikturës. Nisur nga karakteri ujor i teknikës së guashit.

Polke në këtë ekspozitë e kthen vetë ngjyrën tek rrjedh e pikon në temë të veprës. Lënia e fenomeneve fizike në rrjedhën e tyre në mënyrë të kontrolluar ose të pakontrolluar luan një rol të rëndësishëm për të. Veç kësaj, ai i vë punëve tituj që tingëllojnë absurdë, duke i shtuar kështu një frymë poetike asaj që paraqitet në vepër, që është tipike për stilin e Polkes.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)