SHKODER- Një nga sipërmarrjet më të rëndësishme dokumentare të fotografisë së shekullit XX, ‘Regjistri Sociologji’, i fotografes polake Zofia Rydet, u prezantua në një ekspozitë të veçantë në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Rydet ndërmori këtë mision të rrallë në vitin 1978, për të dokumentuar jetën e përditshme të njerëzve përmes brendësisë së shtëpive të tyre. Në këtë ekspozitë paraqiten rreth 100 fotografi të përzgjedhura nga një fond prej afro 20 mijë imazhesh, duke përfshirë edhe fotografi të realizuara në Shqipëri.
“Është kënaqësi që e fillojmë këtë vit të ri me një prej ekspozitave që ka lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e fotografisë. Një projekt që vjen në bashkëpunim me The Photographers’ Gallery në Londër, ku është shfaqur më parë. Ekspozita është realizuar gjithashtu në bashkëpunim me fondacionin Zofia Rydet dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm, përfshirë ambasadat e Shqipërisë në Poloni dhe të Polonisë në Shqipëri”, tha Luçjan Bedeni, drejtor i muzeut “Marubi”.
Për afro tre dekada, Zofia Rydet realizoi mijëra portrete në ambiente familjare, duke krijuar një arkiv unik që dokumenton identitetin, kulturën dhe transformimet shoqërore në komunitete të ndryshme. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në muajin qershor.
Komente











