Dy persona janë ekstraduar nga Athina drejt vendit tonë ditën e sotme nga Interpol Tirana. Të ekstraduarit e identifikuar si Eduart Lulo, 33 vjeç dhe Franci Halili, 41 vjeç janë të dënuar me 20 dhe 7 vite burgim në fushën e veprave penale kundër jetës së personit dhe në fushën e narkotikëve.
33-vjeçari Lulo është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është arratisur nga burgu i Drenovës ku po vuante dënimin prej 20 vitesh për vrasjen e 20 vjeçari, për t’u larguar më pas drejt Greqisë ku u arrestua në vitin 2013.
Ndërsa 41-vjeçari nga Saranda ka qënë i dënuar me 7 vite burg për veprën penale " Prodhim dhe shitje narkotikësh", veprimtari që e kryente në bashkëpunim me një shtetas tjetër.
Njoftimi i plotë:
Ekstradohen nga Interpol Tirana, 2 shtetas të dënuar me 20 dhe 7 vite burgim në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lirisë së personit, si dhe në fushën e narkotikëve.
Nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Athina - Greqi drejt vendit tonë, i shtetasve shqiptarë :
- Eduart Lulo, 33 vjeç, banues në Përmet.
Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit penal nr. 479 datë 28.11.2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprat penale " Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit" " Armëmbajtje pa leje" parashikuar nga nenet 323/2 dhe 278/4 të Kodit Penal.
Vendim ky i marrë pasi, më datë 23.11.2013, në bashkëpunim me disa të burgosur të tjerë, është arratisur nga burgu i Drenovës ku po vuante dënimin prej 20 vitesh, për veprat penale " Vjedhje me pasojë vdekjen" " Plagosje e lehtë me dashje" dhe " Armëmbajtje pa leje" parashikuar nga nenet 141-25, 89 dhe 278/4 - 25 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye në Athinë - Greqi, me datë 29.11.2013, nga ku u ekstradua për në vendin tonë.
---------
- Franci Halili , 41 vjeç, lindur në Sarandë.
Ky shtetas, është shpallur në kërkim, bazuar në vendimin penal të datës 15.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale " Prodhim dhe shitje narkotikësh" parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në qytetin e Sarandës shisnin lëndë narkotike Heroinë, personave të ndryshëm.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë arrestimi i tij duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.