TIRANË - Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi sot nga Athina (Greqi), drejt vendit tonë, shtetasin shqiptar, Ndrec Kola, 52 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit  Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.884, datë 11.12.2002, e ka dënuar me 19 vjet burg për kryerjen e veprave penale të "Vrasjes me dashje" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve  luftarake", parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Më datën 18.03.2002, rreth orës  17:00, shtetasi Ndrec Kola ka qenë para lokalit të nipit të tij P.K. Ndërkohë ,para  lokalit ka qëndruar  me mjetin e tij  tip "Ford Sierra", shtetasi S. H., i cili pasi ka dalë nga  mjeti ka përplasur derën e automjetit. Aty ka filluar debati me Ndrec Kolën, i cili më pas largohet merr armën tip automatik dhe gjuan në drejtim të shtetasit S. H., duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij.
Si rezultat i bashkëpunimit  mjaft të mirë të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij ne Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. /ATSH/