TIRANE - Një 30 vjeçar shqiptar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për marrëdhënie seksuale me të mitur është ekstraduar ditën e sotme nga Greqia për në vendin tonë.

Sipas policisë, sot në orën 16:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë i shqiptart Besnik Banushi, 30 vjeç, lindur në Delvinë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, më datë 29 Janar 2013, e ka dënuar 30 vjeçarin me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale me të mitur.

Në muajin Gusht 2011, Banushi është njohur me minorenen me inicialet DH.N. Duke përfituar nga mosha e saj e vogël dhe pse e dinte që ajo ishte vetëm 13 vjeç, nën premtimin për martesë ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i Besnik Banushit me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ai iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)