TIRANE - Eshtë ekstraduar dje nga Londra drejt vendit tonë Bedri Çala, 37 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi vrau shtetasin Lefter Yzeiraj e më pas dhe motrën e vetë në vitin 1996 në Kutalli. Vrasje kjo e cila do të hapte një serial të tmerrshëm ekzekutimesh ku personat që kanë humbur jetën mes fisit Çala dhe Yzeiraj llogariten në 21 vetë. 37-vjeçari nga fshati Kutalli i Beratit ishte dënuar nga gjykata me vendimin e datës 11.05.2000 me 20 vjet burg për "vrasje me dashje" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake". Bedri Çala me datë 09 maj 1996 ka vrarë shtetasin Lefter Yzeiraj dhe të motrën e tij M. Çala.
"Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Londrën, më datën 18 Korrik 2011 është bërë arrestimi në Angli dhe sot Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka bërë ekstradimin e tij në Tiranë", njoftoi dje policia.

MOTIVET
Spiralja e vrasjeve që nisën me ekzekutimin e vitit 1996 të bërë nga Bedri Çala do të përfshinte pak muaj më vonë edhe Lulzim Cakën. Ky i fundit ishte në krahë të fisit Çala. Zinxhiri i vrasjeve kapërceu çdo imagjinatë, e fillimisht nga autoritetet hetimore të vendit u tha se gjithçka bënte fjalë për një hasmëri të nisura për motive banale. Kjo referencë u dha kryesisht pasi Bedri Çala ndërsa ekzekutoi shtetasin Lefter Yzeiraj, pak sekonda më vonë ekzekutoi dhe të motrën e vetë shtetasen M.Çala. Fillimisht u dyshua se viktima Lefter Yzeiraj mund të kishte një lidhje me të motrën e Bedriut por antarë të fisit Yzeiraj vite më vonë në prononcime publike për mediet kanë shtruar një tjetër pistë dhe motiv për ngjarjen, duke implikuar strukturat shtetërore dhe duke e lidhur masakrën me zgjedhjet e trazuara të Majit 1996 dhe ndasitë politike.

DESHMIA
Interesante është dëshmia e shtetasit Agron Yzeiraj e dhënë në media vite më parë. Ai ka rrëfyer mënyrën se si ka ndodhur ngjarja që i hapi rrugë spirales së vrasjeve në vitin 1996 por edhe motivet që sipas tij kishin çuar në këtë vrasje. "Konflikti mes fiseve Yzeiraj dhe Çala ka nisur në vitin 1996. Konflikt qëë më shumë është përfolur për punë nderi, por nuk është e vërtetë. Kjo hasmëri ka nisur për shkak se Lefter Yzeiraj, nuk u bë levë e Mehmet Çalës, ish shef i SHIK-ut në ato vite në Berat. Mehmeti i këkroi Lefterit që të ndikonte në qendra votimi duke manipuluar vota në krahun e PD-së, por ai nuk pranoi. Atë natë Lefteri këtë bisedë ia kishte treguar vëllezërve të tij, Agronit dhe Bardhylit. Tre ditë me pas, djali i Mehmet Çales shkon para shtëpisë dhe qëllon me kallashnikov Lefter Yzeirajn. Deshmitare kanë qenë motra e Bedriut dhe mamaja e tij. Motra i ka thënë se përse e vrave, kurse Bedriu në ate kohë ka qëlluar duke e lënë të vrarë edhe atë, ndërkohë që ka tentuar që të vrasë edhe nënën e saj", - ka deklaruar Agron Yzeiraj. Në vitet 1997-2004 mes dy fiseve pati një konflikt shumë të ashpër dhe në mënyrë periodike palët kanë ekzekutuar antarë të fiseve duke e kthyer hasmërinë mes fiseve Çala dhe yzeiraj në një nga historitë më të përgjakshme të hasmërive në Shqipëri.


FISI CALA SULMOI FURGONIN E DASMOREVE


Fill pas vrasjes së parë të kryer nga Bedri Çala brenda harkut kohor të 45 ditëve, Çalajt kanë vrarë edhe tre persona të tjerë të fisit Yzeiraj, teksa shkonin për në dasëm në rrugën automobilistike pranë fshatit Strum. Ata i kane dalë para furgonit ku udhëtonin pjestarët e familjes Yzeiraj, ndërkohe që dy prej bandës së tyre ishin maskuar si pasagjerë në furgon dhe kanë qëlluar me " kallashnikov ", duke lënë të vrarë Nezir Yzeirajn, babanë e Lefterit, Ashine Yzeiraj, kunata, dhe Ilir Yzeiraj, djalin e Ashinesë, ndërkohe që kanë mbetur të plagosur tre antarë të tjerë të fisit Yzeiraj. Pas kësaj ngjarje do të ishte radha e fisit yzeiraj të përgjigjej e kështu vazhdoi seriali që përfshiu në listën e viktimave dhe të ëmën e Lulzim Cakës e cila u vra në Fier.

Shkrimi u publikua në gazetën SHQIPTARJA.COM, (print) datë 5 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)