Fitorja e AfD-së në zgjedhjet rajonale në Gjermani nuk është një lajm i mirë për shqiptarët. Ky ishte vlerësimi i ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Egon Loli, në emisionin “Studio Live”, ku analizoi ndikimin politik të suksesit të partisë së ekstremit të djathtë.
"Ajo që ne ndiejmë është Serbia që është dora e zgjatur e Rusisë. Influenca ruse është gjithashtu shkaktare në zgjedhje. AFD ka qëndrim problematik me shqiptarët, sepse ata janë shumë pranë në qasje me Serbinë dhe shumë larg me të drejtën e Kosovës. Nga ana tjetër, AFD është shumë e afërt me Rusinë, është shume ekstreme që beson te Rusia dhe nuk beson tek mbështetja për Ukrainën" tha Loli
Në analizën e tij, Loli e lidhi rritjen e AfD-së me pakënaqësinë e krijuar nga mënyra se si janë menaxhuar ekonomia, krizat ndërkombëtare dhe emigracioni. Sipas tij, lufta në Ukrainë, pasojat ekonomike të saj, inflacioni dhe kriza e emigracionit kanë krijuar terren që partitë e ekstremit të djathtë të fitojnë mbështetje gjithnjë e më të madhe.
Eksperti theksoi se fitorja e AfD-së ishte e pritshme dhe se kjo është pjesë e një prirjeje më të gjerë në Europë. Sipas tij, në Gjermani, Francë dhe Britani e djathta ekstreme po fiton vazhdimisht terren dhe nuk përjashtohet që në të ardhmen të marrë pushtetin edhe në nivel qendror.
"Fitorja e AFD ishte e pritshme. Në Gjermani, Francë e Britani po numërojnë ditët kur e djathta ekstreme do vijë në pushtet në qeverinë qendrore. Në zgjedhje lokale kanë fituar por numërohen ditët kur do të vijnë në kryeqytet. Është rrjedhoja e një menazhimi spektakolar për keq të elitave, si menaxhuan ekonominë, taksat, kriza e vitit 2008, teknologjia dhe de-industrializimi, konflikti në Ukrainë ku duke i mbyllur derën Rusisë, i mbyllën derën furnizimit me gaz. Kemi një keq menaxhim të konfliktit në Ukrainë, Gaza dhe Iran, kemi rritjen e inflacionit dhe pastaj ke penalitet politik. Kur qytetari e ndjen në xhep luftën atëherë ti ke bërë diçka keq. Gjermania është goditur fort nga kriza e emigracionit. Në rastin e landit ku fitoi AFD dhe Ulrich Siegmund, duhet thënë që AFD është rritur me të njëjtin marzh me të cilin ka humbur CDU. Rreziku që ka europa sot është rreziku rus" tha ai.
Duke u ndalur te ndikimi gjeopolitik, Loli insistoi se rreziku kryesor për Europën mbetet Rusia çka e bën edhe më shqetësues suksesin e forcave politike që mbajnë qëndrime të afërta me Moskën.










Komente
Komento