“Vrasjen e kam bërë unë dhe babai e shoku im nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen”.

Kjo ka qenë dëshmia e dhënë në polici nga 22-vjeçari Llej Lika i cili sëbashku me babain e tij Skëndër Lika dhe shtetasin Klajdi Gjexhaj (Beleshi) u arrestuan një ditë më parë për vrasjen e biznesmenit Rakik Roli në Sanxhak të Kurbinit.

I riu ka thënë para hetuesve se vrasjen e ka kryer në shenjë hakmarrje, pasi djemtë e viktimës e kishin dhunuar barbarsht në muajin korrik të këtij viti.

Dy  ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Rakip Roli në Sanxhak të Kurbinit, policia ka arritur të prangosë tre autoret e dyshuar të ngjarjes. Në pranga kanë rënë babë e bir Skënder dhe Llej Lika si dhe Klaudio Beleshi. Ata u arrestuan nga forcat e policisë të komisariatit të Kurbinit, pasditen e së shtunës brenda një banese në zonën e Fushë-Milotit. Gjithashtu policia ka gjetur dhe sekuestruar dhe armen automatike me të cilën dyshohet se është kryer krimi si dhe automjetin me të cilin kanë lëvizur autorët.

Sipas të dhënave bëhet fjalë për një makinë tip "Benz" ngjyre gri i cili është kapur dhe nga kamerat e sigurisë të një biznesi në zonë 5 minuta pas atentatit me armë zjarri. Drejtues i mjetit mendohet të ketë qenë Klaudio Beleshi i cili i ka pritur babë e birë dhe i ka marrë e janë larguar sapo kanë kryer vrasjen .Ata kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Miloti, duke u fshehur në banesën e një të afërmi të tyre, por falë reagimit të shpejtë të forcave policore të Komisariatit të Kurbinin është arritur të zbulohet vendndodhja dhe prangosja e tyre.

Dinamika e vrasjes
Rakip Roli u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli me makinë nga banesa e tij. Report Tv mëson se automjeti me të cilin udhëtonte viktima, ka lëvizur për të paktën 500 metra nga vendi ku është qëlluar duke goditur nga pas një makinë tjetër tip 'Audi' ku më pas përfundoi në kanal. Biznesmeni është qëlluar nga krahu i pasagjerit me breshëri duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Kush ishte Rakip Roli?
Raportohet se Roli ishte biznesmen materialesh ndërtimi. Rakip Roli, rezulton emër i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai u arrestua pasi u përfshi në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, Petrit Sana rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.

Pista e hetimit
Hetimet janë përqendruar në konfliktet që mund të kenë pasur dy djemtë e biznesmenit Rakip Roli. Emiljano dhe Isuf Roli mësohet se janë hetuar për trafik droge në vitin 2017.