Vetëm pak orë pas vrasjes, është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar për vrasjen e rapsodit të njohur Kol Murrani dhe mikur të tij, Preng Simoni. Në pranga kanë rënë Aleksandër Përdoda, 40 vjeç, e ndërsa është shpallur në kërkim i vëllai i tij Edmond Përdoda.
"Zbardhet ngjarja e ditës së djeshme në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S.
Identifikohet dhe arrestohet autori kryesor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, për përkrahje të autorit të krimit.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, Lezhë, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH Shkodër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.
Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale "Vrasja".
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave. Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij. Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit", njofton policia.
Lajmi kryesor: