Foto: Artan Myrtaj
Vrasja e Artan Myrtajt dhe plagosja e një këmbësori në Sarandë kanë vënë në lëvizje strukturat më të larta të Policisë së Shtetit.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, me urdhër të kryepolicit Hita është ngritur një grup i posaçëm me ekspertë të Policisë Kriminale dhe të Sigurisë Publike, ndërsa ka nisur një rivlerësim i situatës kriminale në Sarandë dhe i performancës së strukturave të Komisariatit.
Njoftimi i plotë
Në vijim të masave të marra për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 20.09.2026, në qytetin e Sarandës, dhe pas analizës së bërë pasditen e djeshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore.
Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.
Lajmi kryesor:
Ekzekutimi i ‘Tanit të Rruzhdiut’ në Sarandë, Ervis Lami në kërkim policor, i kontrollohet banesa në Kamëz! Asnjë gjurmë nga 2 autorët, 16 gëzhoja në vendngjarje








