Ekzekutimi mafioz i Santos
Ndërpritet një karrierë suksesi

TIRANE- Curriculumi profesional i kreut të Bankës Credins, të ekzekutuar dje në Tiranë në mënyrë mafioze, shpreh një sukses të padiskutueshëm të tij në vite, që ja kanë njohur edhe rivalët në biznes. Artan Santo e ka nisur karrierën si bankier në Bankën e Shtetit në vitin 1989-1990, e më pas kaloi në Bankën e Kursimeve, ku e filloi punën në vitin 1990 si specialist i thjeshtë, për të ngjitur hap pas hapi karrierën, duke kulmuar si drejtor i përgjithshëm në vitin 1997 deri në 2001, duke e drejtuar bankën në një nga momentet më të vështira të saj, kur ajo ishte në process ristrukturimi dhe po përgatitej kalimi i pronësisë së saj nga shteti te private.

Në momentin kur Santo emërohet drejtor i përgjithshëm i kësaj banke, pas rrëmujës së piramidave, bilanci financiar i saj ishte me një humbje prej 6.6 miliardë lekësh. Ndërkohë që kur është larguar në shkurt të viti 2001, rezultati financiar i vitit 2000 i bankës ishte 6 miliardë lekë fitim.

Ai ishte një ndër themeluesit e Institutit Financiar Credins, në 2001, për ta shndërruar më pas në bankën e parë me kapital shqiptar në vend, Credins, në vitin 2003, të cilën e drejtoi deri në ditën e fundit të jetës së tij. Falë vizionit të Artan Santos, Credins u bë një nga bankat më të suksesshme në vend, me një rritje të shpejtë, edhe në vitet e fundit kur sistemi bankar kaloi në stanjacion, duke u bërë një nga financuesit kryesorë të biznesit vendas.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2014, Credins ishte banka e katërt më e madhe në vend në bazë të aktiveve, me një total aktivesh prej 116 miliardë lekësh, duke zënë 8.4% të sistemit bankar. Ne peshën për kreditimin në ekonomi, Credins renditej e treta, pas BKT dhe Raiffeisen, me stok total prej 71 miliardë lekësh, duke qenë banka me rritjen më të madhe përsa i përket kreditimit në tremujorin e parë të këtij viti.
Veç këtyre, Santo krijoi të parin televizion në vend krejtësisht të dedikuar ndaj ekonomisë dhe financave – SCAN. Po kështu, ai avancoi në terrenin e medias, duke u bërë bashkëpronar i polit mediatik që përfshin Gazetën Shqiptare, TV Neës 24, etj në vitin 2011, pas një transaksioni financiar që transferoi pronësinë e tij nga pronarët italianë në duar të shqiptarëve.

Shoqata Shqiptare e Bankave reagoi dje, duke përmendur që Santo ishte anëtar i AAB-së që në fillimet e saj, në vitin 1999. “Ai do të mbahet mend si një bankier i suksesshëm, i cili i ka shërbyer me përkushtim sistemit bankar për më shumë se dy dekada”.

Fullani, “Nuk cenohet stabiliteti i sistemit bankar”
Duke dënuar aktin kriminal, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera që garantojnë sigurinë financiare në vend, deklaron se kjo ngjarje pa precedent nuk cenon qendrueshmërinë e sistemit bankar në tërësi dhe atë të Bankës Credins në veçanti. Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artan Santos ka dërguar edhe guvernatori i BSH, Ardian Fullani. “Sot, pas një akti kriminal të pashembullt, u nda nga jeta miku dhe kolegu ynë i vjetër Santo, i cili për vite me radhë punoi për ndërtimin e një institucioni të besueshëm si Banka Credins. Santon do ta kujtoj gjithmonë për optimizmin dhe entuziazmin e tij. Vizioni dhe natyra e tij novatore do të vazhdojë të jetë burim motivimi për ekipin drejtues të bankës Credins”, thekson Fullani.
 
Ministri Cani: U largua në mënyrë të pamerituar!
Edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani ka përcjellë një mesazh për kolegun dhe mikun e tij të vjetër nga lagja tiranase e “Kombinatit”, Artan Santo: “Ditën jemi mësuar ta fillojmë me lajme të mira. Por kjo e sotmja i kalon kufijtë e një keqardhje. Një lajm tronditës. Një akt kriminal i tipit mafioz. Artan Santo u largua nga ne në mënyrë të pamerituar. Miku dhe shoku kombinatas, shumë vite së bashku. Kujtimet e mira nuk mund t’i fshijë ky akt mafioz. Ndjehem keq. Humba një shok, një mik. Ngushëllime familjes!” Mesazhe të tilla ngushëllimi kanë ardhur pa fund nga drejtues institucionesh, duke dëshmuar për një reputacion të gjerë që kishte bankieri në qarqet e sektorit privat bankar dhe atij publik. Të gjitha përfshijnë kërkesën për gjetjen e shpejtë dhe ndëshkimin e autorëve të krimit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti