Një atentat me armë zjarri ka tronditur zonën e Pimonte, në provincën e Napolit, mbrëmjen e djeshme. Raffaele Afeltra, 69 vjeç, i njohur si një figurë historike e Camorras dhe pjesë e fraksionit Afeltra-Di Martino të Pimonte, është vrarë me armë zjarri.

Afeltra u gjet pa shenja jete brenda makinës së tij, pranë një parcele toke në zonën malore të Monti Lattari.

Viktima dyshohet se është sulmuar nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë qëlluar disa herë me armë gjahu. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e atentatit dhe autorët, ndërsa po hetohet edhe motivi që qëndron pas vrasjes.

I njohur me nofkën “O’ Burraccione”, Afeltra ishte në liri pas një periudhe burgimi. Në vitin 2019, ai ishte dorëzuar tek autoritetet italiane pas një periudhe të shkurtër arratie dhe më pas kishte vuajtur dënimin e formës së prerë për zhvatje në kuadër të veprimtarisë së Camorrës.

Prej rreth tre vitesh ai ndodhej sërish në gjendje të lirë.

Tashmë hetuesit po analizojnë të kaluarën e tij kriminale, kontaktet dhe konfliktet e mundshme me grupe rivale, në përpjekje për të zbardhur vrasjen dhe për të kuptuar nëse atentati lidhet me përplasje të vjetra mes klaneve.