Katër të dyshuar për vrasjen e një shqiptari dhe të policit belg Nordine El Talbi në Bruksel i janë dorëzuar autoriteteve belge, pas arrestimit në Spanjë dhe Francë. Hetuesit dyshojnë se të njëjtët persona që vranë shqiptarin pranë Parlamentit Evropian më 12 tetor, disa orë më pas kanë qëlluar për vdekje policin disa orë më vonë në Jette. Identiteti i viktimës shqiptare nuk bëhet i ditur në raportimet e mediave belge.
Tre nga katër të dyshuarit u arrestuan në Almería të Spanjës, pa kaluar një javë nga ngjarja. Ata dyshohet se po udhëtonin drejt Marokut. I katërti u arrestua në një stacion hekurudhor në Paris. Njëri prej tyre është i mitur. Të katërt ishin larguar nga Belgjika pas vrasjeve.
Menjëherë pas të shtënave, policia arrestoi edhe dy të dyshuar të tjerë në Bruksel. Dhoma e Këshillit e gjykatës liroi njërin prej tyre për mungesë provash, ndërsa tjetri mbetet në paraburgim. Të gjithë të dyshuarit janë nga Brukseli dhe njihen për lidhjet me rrjetet e drogës.
Shqiptari u vra në hollin e një pallati pranë Parlamentit Evropian
Të shtënat e para ndodhën të hënën, më 12 tetor, në orën 17:50, në rrugën Ëiertz në Elsene, në zemër të lagjes evropiane të Brukselit. Autorët e qëlluan shqiptarin në gjoks në hollin e një pallati, pranë Parlamentit Evropian. Ai u godit nga shtatë ose tetë plumba pistolete dhe humbi jetën në vend, me gjithë përpjekjet e ekipeve të urgjencës për ta shpëtuar. Pas të shtënave, tre ose katër autorë u larguan me vrap.
Në momentin e ngjarjes ishte ende dritë dhe në rrugë kishte shumë kalimtarë. Në zonë banojnë shumë punonjës të institucioneve evropiane. Viktima nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë. Sipas disa burimeve të cituara nga mediat belge, të dhënat tregojnë për një larje hesapesh në rrjetet e drogës dhe ngjarja ka tiparet e një vrasjeje me pagesë.
Polici u qëllua teksa po kontrollonte makinën e grabitur
Disa orë pas vrasjes në Elsene, Nordine El Talbi dhe kolegët e tij të Brigadës Kundër Grabitjeve (AOB) të Policisë së Brukselit po kërkonin një Volksëagen T-Cross, të grabitur me forcë më herët atë mbrëmje në Tubeke. Rreth mesnatës, efektivët e pikasën automjetin në bulevardin Carton de Ëiart, në Jette. Kur El Talbi u afrua në këmbë për ta kontrolluar, personat brenda makinës hapën zjarr. Një plumb e goditi për vdekje në kokë.
Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në makinë ndodheshin pesë burra dhe njëri prej tyre qëlloi policin. Autorët lanë tri armë zjarri në trotuar, pranë automjetit, dhe u larguan në këmbë. Sipas prokurorisë, në makinën e grabitur hetuesit gjetën edhe një sasi të konsiderueshme droge.
Pamjet e kamerave sollën kthesën në hetim
Në konferencën e parë për shtyp pas vrasjes së El Talbit, Prokuroria e Brukselit deklaroi se, në pamje të parë, dy vrasjet nuk dukeshin të lidhura. Pamjet e kamerave të sigurisë sollën më pas një kthesë në hetim. Sipas mediave belge, hetuesit janë tashmë të bindur se të njëjtët autorë që vranë shqiptarin në Elsene, grabitën makinën në Tubeke dhe në fund qëlluan për vdekje policin në Jette.
Prokuroria ende nuk e ka konfirmuar lidhjen mes dy vrasjeve. Motivi dhe rrjedha e saktë e ngjarjeve mbeten të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar si lidhen mes tyre të tri ngjarjet.









Komente
Komento